Home KRYESORE Elif Shafak: Në Turqi u goditën laikët që festonin. Erdogan e ka...

Elif Shafak: Në Turqi u goditën laikët që festonin. Erdogan e ka përçarë vendin

Elif Shafak, shkrimtarja më e shitur në Turqi, autore e librit më të fundit “Tre bijat e Evës” (ne shqip jane perkthyer Bastardja e Stambollit, Nderi, 40 rregullat e dashurise) është një grua me një finesë të madhe mendore, dhe di të përziejë politikën me kulturën, shoqërinë me ekonominë. Por këtë herë, toni i zërit të saj ka një krisë më shumë.

“Jam thellësisht e tronditur, e trishtuar. Nuk kam fjetur fare. Njerëz të pafajshëm që festonin ardhjen e Vitit të Ri, u sulmuan, masakruan në mënyrë të pamëshirshme në klubin e natës Reina. Një akt i tmerrshëm mizorie, kryer me gjakftohtësi. Viti 2016 ishte një vit i tmerrshëm për Turqinë”.

Reina i Stambollit si Bataclani i Parisit: ngjashmëria është e menjëhershme. Eshrë Elif Sharak që flet por, këtë herë, toni i zërit të saj ka një krisje më shumë.

Përse nuk kalon një javë pa një atentat terrorist në Turqi?

Nga një pikëpamje gjeopolitike, Turqia është bërë për Shtetin Islamik, fronti i ri. Lufta në Siri ndikon drejtpërdrejtë, sidomos që kur jemi përfshirë në konflikte rajonale. Ndajmë me Sirinë 500 milje vijë kufitare, një kufi tashmë i pasigurtë. Për shumë kohë u është dhënë e drejtë kalimi, shumë grupeve sirianë. Më pas nisën të godasin qytetarët turq, t’i rekrutojnë. Në të kaluarën, atdheu im ishte porta, ura kulturore mes Lindjes së Mesme dhe Europës. Sot nuk është më. Jemi një shoqëri në depresion, e tronditur, e traumatizuar.

Presidenti Erdogan flet për “kaos që dikush po e krijon për të shkatërruar Turqinë”. Ju a nuk mendoni se polarizimi i skajshëm i pozicioneve, përjashtimi i forcave demokratike dhe ndryshimi i vazhdueshëm i aleancave të jashtme (me Rusinë, Izraelin, frontin shiit, Europën, SHBA) kanë bërë që Turqia të precipitojë në një vend të paqëndrueshëm, ku të mund të krijohet kaosi?

Në Turqi, elitat në pushtet flasin gjithmonë për “armiq të jashtëm” dhe për “lobe ndërkombëtarë”. Thonë se Turqia është kaq e madhe, saqë armiqtë e jashtëm janë xhelozë dhe duan të na shkatërrojnë. Ka paranojë, mosbesim kundrejt Perëndimit.

Edhe këtë herë?

Këtë herë duhet të pushojmë së pari “fajtorët perëndimorë” dhe të përqëndrohemi tek “demokracia jonë e brendshme”. Prej shumë kohësh vendi është i polarizuar. Qeveria e udhëhequr nga partia konservatore u zgjua me vonesë për të kuptuar se grupet islamike fondamentaliste, në anën tjetër të kufirit, do të mund të na godisnin një ditë. Nuk e kuptoi atëherë kur duhej këtë rrezik.

E megjithatë, deri pak kohë më parë, Turqia ishte një vend në zhvillim të plotë, edhe ekonomik. Për çfarë ka nevojë?

Kur isha fëmijë, në Ankara, dhe përgjatë gjithë rinisë sime në Stamboll, Turqia ishte një vend i ndryshëm. Festimi i Vitit të Ri ishte normale. Njerëzit bënin blerje, blinin arra dhe fruta, shihnin këngëtarë dhe aktorë të famshëm në televizion, në mesnatë përqafoheshim të lumtur. Kjo ndodhte. Tani nuk ndodh më.

Po çfarë ndodh?

Grupet islamike shpërndajnë fletëpalosje në rrugë, ku u bëjnë thirrje myslimanëve të mos festojnë Krishtlindjen. Dhe ministri për Punët Fetare shpall “ilegjitim” festimin e Vitit të Ri. Sa gabim! Nuk kanë të drejtë: njerëzit duhet të festojnë atë që duan. Por rritet presioni kulturor dhe politik mbi laikët, mbi stilin modern të jetesës.

Pak ditë më parë, u lirua pas katër muajsh burg shkrimtarja Asli Erdogan. Edhe linguistja Necmiye Alpay. Por u burgos gazetari investigativ Ahmet Sik. Për ata që përdorin fjalën e shkruar, të punojnë këtë është bërë gjithnjë e më e vështirë. Edhe ju shkrimtarët jeni larguar pothuaj të gjithë jashtë vendit…

Unë u kënaqa shumë kur Erdogan dhe Alpay u liruan nga burgu. Një kënaqësi e mbytur, sepse po atë ditë arrestuan Sikun. Dhe ai është një gazetar kurajoz, i hapur, një veteran që kërkon të vërtetën dhe tani duan ta heshtin. A e besoni nëse ju them se 143 gazetarë e kanë nisur 2017-ën prapa hekurave? Turqia është sot burgu më i madh i gazetarëve. Këtu fjalët nuk janë të lira. E di mirë çdo gazetar, shkrimtar apo intelektual. Dhe të flasësh e të shkruash bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ka një presion shumë të madh mbi intelektualët që kanë pozicione kritike. Në momentin që kritikon, mund të të etikojnë menjëherë si tradhëtar. Rezultati është që shumë shkrimtarë, e mbi të gjitha gazetarë, janë të frikësuar.

Çfarë duhet bërë?

Duhet mbështetur një demokraci e plotë pluraliste. Partia Demokratike e popujve, filokurde, dhe gazetarët e intelektualët turko-kurdë të burgosur duhet të lirohen të gjithë, menjëherë. Qeveria duhet të përdorë policinë e saj për të kërkuar terroristët (edhe të ISIS edhe të PKK), në vend që të arrestojë gazetarë, shkrimtarë, karikaturistë.

Nuk do të jetë e lehtë.

Sot Turqia është më e dobët sepse demokracia ka bërë hapa prapa. Si vend jemi ndarë mes atyre që duan Erdoganin dhe atyre që e urrejnë. Nuk ka më një kulturë bashkëjetese. Ose vlerash të përbashkëta.

Me Reinan, mos vallë terroristët deshën të godasin një simbol të laicitetit?

Zgjodhën një objektiv simbolik. Sulmojnë një stil jetese laik, perëndimor, kozmopolit. Një vend ku myslimanët dhe të krishterët, burra dhe gra, takohen, festojnë, pijnë së bashku. Nuk ka qenë një koincidencë. Fanatikët këtë synojnë: urrejtjen, frikën, ndarjen.

Caption: WWW.LAPSI.AL
Share: