Home I pakategorizuar VERË! Nga Ledi Shamku

VERË! Nga Ledi Shamku

U bënë do ditë që jam zhvendosë me veru në Golem. U bënë do ditë që disa herë në ditë shoh të patrullojnë qark policë, në kēmbë ose me biçikletë. Zakonisht në grupe dyshe.

Është një pamje që ta merr me pahir admirimin e do ta shpjegoj mandej pse me pahir.

Janë djem të rinj e vajza të reja, veshur hijshëm me uniformën që iu këndon në trupat elegantë, me këmishat e bardha të hekurosura e pantallonat blu pa një rrudhë. Janë pamja e bukur e plazhit që, për habinë time, më le një ndjesi të re qetësie. Komunikojnë me një ligjërim qytetar aspak konfidencial por me respekt. U bënë ditë që i vërej. E tash dua të shpjegoj pse “me pahir”.
Unë linda e u madhova në një kohë kur polici ishte figurë e padashur e kërcënuese. Dëgjoja mjaft nëna shoqesh të mija që thonin kalamajve: haje supën se ndryshe vjen polici e të merr e të çon në birucë! Policë ishin edhe ata që na i zbrujtën kurrizet në dajak gome mu te “Asim Vokshi” kur po zbrisnim si ortek nga Qyteti Studenti.
Si u madhova, ika fare. Dhe polici u bë poliziotto o carabiniere, të cilin sërish e shihja me siklet si e huaj që isha.
Si ika, erdha sërish. Dhe polici nuk ishte më frikë por trishtim e shpesh nervozizëm: i pistë, i shformuar, i paedukuar e pa respekt, arrogant e qelepirxhi, greps e pa dinjitet. Edhe vizualisht kompromentonte pamjen sapo shfaqej, duke më sjellë një ndjenjë të beftë ankthi.
Ndaj është risì për mua që pamja e patrullave policore të më lerë një ndjesi të paqtë e të andshme. E madje ja del të luftojë me ndjesitë e këqija që ju përshkrova më lart e të dalë mbi to. E fola me fqinjët e çadrave rrotull meje dhe vura re se po atë ndjesi mirakandjeje u kish lënë edhe atyre.
Nuk duhet me e mbytë shpirtin delikat brenda vetes ndonëse kohët janë të zmerilta. Dhe kur e ndjen të mirën, mirë është t’i japësh zë.
Pra, falemnderit Policia e Shtetit!

Share: