Home I pakategorizuar Situata politike, Tahiri e quan të zakonshëm takimin me Metën dhe deklaron:...

Situata politike, Tahiri e quan të zakonshëm takimin me Metën dhe deklaron: Koalicioni solid

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e quajti të zakonshëm në kuadër të detyrës, takimin me  kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, të zhvilluar paraditen e sotme. Ndërsa kërkoi të nënvizonte se koalicioni dhe maxhoranca janë mjaft solide, për të hequr dyshimet për një krisje mes PS-LSI

Nga Elbasani Tahiri duke iu përgjigjur interesit të medias deklaroi:

“Me Metën takohemi shpesh për shkak të detyrës. Koalicioni dhe maxhoranca janë mjaft solide. Reformat janë prioritet maksimal i qeverisë dhe shumicës. Të gjitha fabulat që qarkullojnë janë të pavërteta. E djathta ka shumë vite përpara për t’u kthyer në opozitë të shëndoshë” .

Takimi paradite me Metën në Kryesi

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zhvilloi një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta. Takimi i cili u zhvillua në kryesinë e Kuvendit zgjati vetëm pak minuta dhe ishte jashtë vëmendjes së mediave. Pas përfundimit të takimit asnjëri prej tyre nuk dha ndonjë deklaratë për mediat.

Nuk kishte një njoftim zyrtar për takimin Tahiri-Meta, po situata aktuale politike ishte në qendër të bisedimeve.

Më pas Ministri Tahiri u nis drejt Elbasanit për të zhvilluar një takim me strukturat e policisë së Elbasanit në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Takimet e Ilir Metës ditët e fundit po zhvillohen pas letrës që Kreu i Komisionit Spartak Braho i ka dërguar krerëve më të lartë të shtetit. Në media shkruhet se në letër Braho shkruan për një destabilizim dhe akuzon se pjesë e këtij skenari destabilizues janë ish ministri i Energjitikes, Dritan Prifti dhe ish deputeti socialist Tom Doshi.

Ndërkohë një ditë më parë kryeprokurori Adriatik Lalla i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës që të nisë  hetimin në lidhje me shqetësimin e Spartak Brahos.

Ditën e djeshme (29 shtator) kreu i Kuvendit Ilir Meta u takua edhe me kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi dhe Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Share: