Nga Artan Fuga
Në një Bashki, më njoftojnë, kanë afishuar fytyrat e njëqind të rinjve të shkëlqyer me mësime, pra me rezultate dhjeta.
Ka të rinj që më pyesin nëse është e drejtë kjo apo jo? Madje shkojnë dhe më tej, e quajnë metodë komuniste.
Po përgjigjem shkurt.
Unë nuk mendoj se është një metodë komuniste. Por, pak rëndësi ka kjo. Unë mendoj se nuk është bërë me qëllim të keq. Por, pas kësaj praktike ka mentalitete të gabuara që fshihen, me të cilat janë edukuar disa, dhe u duket se janë të natyrshme.
Nuk e njohin as arsimin, as filozofinë e arsimit, as sociologjinë e arsimit. Pse mendoj që afishimi i fytyrave të njëqind nxënësve me dhjeta nuk është i drejtë, është naiv, i paditur, dhe qesharak ?
Sikurse ka shpjeguar dhe vërtetuar sociologu i njohur europian Burdieu në një traktat qindra faqesh, mësuesi i mirë dhe pastaj agjencitë e tjera duhet të mendohen mirë kur vendosin një notë të shkëlqyer sikurse kemi ne notën dhjetë.
Cfarë duhet të mendojnë : A ja vendosin dhjetën nxënësit, apo prindit? Ka nxënësa me dhjeta që në fakt dallojnë prej të tjerëve jo për meritë të tyre, por se në krahasim me nxënësit mesatarë kanë :
– Kushte më të mira familjare për të mësuar, biblioteka, mësues privatë, ushqehen më mirë, etj.
– Kanë prindër me formim intelektual më të lartë që reflektojnë dije në shtëpi, ose i dinë ushtrimet apo tekstet që duhet të mësojnë fëmijët e tyre dhe i ndihmojnë ata.
– Kanë influenca mbi shkollën për shkak të parave, gjendjes ekonomike, lidhjeve politike, dhe ndikojnë tërthorazi ose drejtpërdrejt mbi mësuesit.
– Kanë mundësi më të mira për të marrë informacion, sepse kanë Internet në shtëpi, kompjutera, smartphona 4G, tableta, etj, që u japin superioritet ndaj të tjerëve.
Kjo kategori dhjetanjosësish duhet të jenë modestë dhe të kuptojnë se dhjetat e tyre nuk janë kryesisht vetëm merita e tyre, por i avantazheve që ata kanë në krahasim me të tjerët, pra e prindërve dhe e familjeve të tyre.
Në këtë rast mësuesi dhe punonjësi i Bashkisë bëhen budàlla sepse nuk kuptojnë se notën dhjetë nuk e ka marrë nxënësi që ata e quajnë të merituar, por familja, babi, mami, gjyshi. Nuk përkrahin kështu meritokracinë, por përkrahin pasojat negative që sjellin pabarazitë e mëdha sociale dhe padrejtësitë shoqërore që bërtasin në cdo cep, dhe japin këtë konfiguracion notash në shkollë.
Pra për mua një nxënës që e merr dhjetën duke qenë në kushte sociale, kulturore dhe ekonomike njësoj me të tjerët pak a shumë, e meriton, i heq kapelen dhe i përulem deri në tokë. Por, një dhjetanjosi bufalaq, kokëtul, llasticë, që nuk vlen për asgjë, por dhjeta i vjen se ja ka falur familja me kushtet e pabarabarta që i ka krijuar në krahasim me të tjerët!
Unë i kthej kurrizin dhe as dorën nuk i jap derisa të kuptojë se ai duhet të eci me këmbët e veta dhe jo me paterica. Pra një djalë ose vajzë që del me nota shtata ose teta, por jeton në kushte privimesh sociale, që nuk ka mbështetje, lufton me kushtet, dhe përparon, vjen në shkollë gjysëm i uritur, për mua është njëmilion herë më i dalluar sesa një dhjetanjos kokëtul që nuk ka asnjë meritë dhe aftësi më shumë sesa të tjerët, por vetëm sepse vjen në shkollë me fuori strade, që ka shtadhjetë tableta, mësues privatë, piano, e violinë në shtëpi, e detyrat ja bën mami – zyshë arithmetike në shtëpi.
Në këtë rast unë kokëtulin dhjetanjos do ta kisha zbritur nga tabela e nderit e bashkisë dhe do të kisha hypur nxënësin që ndonëse me nota mesatare ja del të përballojë mungesat e familjes dhe ndofta vjen në shkollë i uritur.
Matës i meritës nuk është nota, aspak fare, por sesa arrin një nxënës me forcat e veta, brenda mundësive që ka, si rezultat sa më të lartë.
Ja pse mesatarja e shkollës për të vlerësuar nxënësit është një verë në ujë, është një padrejtësi sociale, është monumentalizimi i padrejtësive sociale që projektohen te shanset e pabarabarta për nxënësit dhe që reflektohet edhe në rezultatet e tyre.
Por, nuk ka faj bashkia. Ku merr vesh bashkia, ciladoqoftë ajo, nga sociologjia dhe filozofia e arsimit. Kanë faj institucionet e specializuara që nuk kuptojnë se cfarë po bëhet në arsim. Ka në ndonjë bashki, nga ata që nuk kanë haberin nga arsimi dhe sa e prekin atë, si fallxhorë dhe keqbërës, e shkatërrojnë, që nuk dinë arsimin e lartë, jo më të dinë çerdhet e kopshtet a shkollën e mesme që është histori e ndërlikuar boll. I njoh me emër dhe mbiemër se ngjiten pas karrierës si Maaaaa…stiç.
Prandaj mendoj se ajo tabelë nderi me fytyra nxënësish me dhjeta, duke u përulur, thash, për ata që kanë dhjeta me meritat e tyre, por që duhet punë për t’i dalluar nga kokëtulat dhe bythpambukët, është monumenti i padrejtësive sociale i ngritur në simbol gjoja meritash personale të të rinjve që riprodhojnê pabarazinë e shanseve.
Ato janë prova dhe shenja sesi një shoqëri e keqe bën padrejtësira qysh në bankat e shkollës. Shtyp me këmbë dhe fyn fëmijët e shtresave me pak të ardhura, pa pushtet, ose shtresave të mesme, për të diferencuar padrejtësisht bullafiqët e pasur.
Kështu do të thoshte Burdieu po ta shihte dhe do të ikte i trishtuar duke shëtur buzë Lanës, për fatin e rinisë shkollore.