Nga Av. Idajet Beqiri
PS dhe kryeministri Rama duhet të bëhen më serioz në respektimin e aleatëve dhe të ndajnë me ta të mirat dhe të këqijat e koalicionit afatgjatë. Marrëveshja politike për bashkëqeverisje e hartuar para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, e cila u rikonfirmua me rastin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit të këtij viti nuk është respektuar nga ana e PS dhe e kryeministrit Rama. Ka një mungesë të plotë serioziteti dhe është treguar dhe vazhdon të tregohet një mosmirënjohje e madhe ndaj partive politike pjesëtare të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në maksimalizimin e votave që sollën në pushtet PS.
Nuk e kemi fjalën vetëm për mosrespektimin e marrëveshjes politike për ndarjen e posteve sipas kontributit me vota të secilës parti politike pjesëmarrëse në koalicion, por mbi të gjitha për faktin se ky koalicion nuk po funksionon. Bashkëqeverisje nuk do të thotë që të mblidhemi vetëm 1 ditë në 4 vjet vetëm sa të bëjmë marrëveshjen, të bashkojmë forcën elektorale, dhe pastaj “hodha lumin, të q… kalin”!
Bashkëqeverisje në koalicion do të thotë që tryeza e partive politike që e përbëjnë ‘Aleancën Për Shqipërinë Europiane” të jetë permanente dhe në të të diskutohen e debatohen të mirat dhe të këqijat e qeverisjes, dhënia e vlerësimeve për çdo aspekt të kësaj qeverisje, afrimi i një oponence serioze e profesionale për mirëqeverisjen, përballimi së bashku i të gjitha shënjestrave dhe denigrimeve të paprincipa që i bëhen me dashakeqësi kësaj qeverisje etj. Vlerësoj diferencimi, mbajtja me “kulu kulu” dhe përkëdhelja që PS dhe kryeministri Rama u bënë vetëm dy forcave politike, LSI dhe PDIU, apo edhe e ndonjë force tjetër politike, thjesht dhe vetëm se kanë ca vota më shumë, apo kanë ca deputet në Kuvend, duke hedhur pas krahëve 35 parti të tjera të koalicionit, nuk është as morale dhe as serioze për një forcë politike demokratike që drejton qeverisjen e vendit. I kemi kërkuar kryeministrit Rama të thërrasë urgjentisht tryezën e koalicionit dhe t’i bëjë realisht ato bashkëqeverisëse, siç është parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar. Askush nuk thotë që kryeministri Rama të angazhohet çdo muaj për të drejtuar tryezën permanente të koalicionit. PS ka një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Kryesisë dhe figura të tjera politike që do e bënin shumë mirë këtë punë. Mirëpo mos funksionim normal i koalicionit, mënyra si është konceptuar dhe si është vepruar deri më sot, nuk është as demokratike, as morale dhe as e denjë për një klasë politike që kërkon ta anëtarësoj vendin në BE.
Av. Idajet Beqiri
Kryetar i Partisë së Unitetit Kombetar