Home KRYESORE “Erdhi ujti, ujti Selitës”…. Ujë pa kontroll…

“Erdhi ujti, ujti Selitës”…. Ujë pa kontroll…

Nga Mentor Kikia

Të paktën në Tiranë, nuk ka njeri që nuk e ka dëgjuar në mëngjes herët makinën që shet ujë: “Erdhi ujti, ujti Selitës”…. Ujë pa kontroll…prishje e qetësisë publike…evazion fiskal… Mund të jenë me mijëra njerëzit që kanë telefonuar në çdo zyrë të mundshme, për muaj e vite. Por askush nuk ndërhynte për ti ndaluar. Më në fund u “zbulua” se autobotet mbusheshin fiks mu atje, tek tubacionet e ujësjellësit, pra ata u shesin qytetarëve të njëjtin ujë që u shet dhe ujësjellësi në rubinet-at e shtëpisë.


Në fakt ata mund tu shisnin qytetarëve ujë me çdo lloj përzierjeje, edhe mund të helmonin tërë miletin derisa askush nuk i kontrollonte.
Nuk më habit kjo, pasi ky është i tëri një vend rrumpallë sa i takon sigurisë ushqimore,(dhe jo vetëm) por më habit fakti se përse nuk reagonte askush kur denoncimet, sa personale aq edhe publike, përmes medias, nuk kanë munguar. Çfarë duhet të bëjnë më shumë qytetarët, çfarë formash denoncimi mund të përdorin ata?


Unë nuk besoj se kamionistët e ujit paguajnë ryshfet për të korruptuar policinë e rendit dhe policinë bashkiake, AKU-në, Tatimet, Higjienën, dhe gjithë institucionet e tjera që duhet të reagojnë. Por besoj se është mefshtësia e reagimit të shtetit, është pikërisht kjo që nxit në tërësi rrumpallën, kaosin dhe abuzimin.


Mos më gjykoni për rastin që po sjell, duke thënë se nuk është kjo shkelja më e madhe, derisa ka të tjerë që bëjnë gjëmën. Derisa ka ministra e gjykatës qe shkëmbejnë ne para çdo firme, nuk duhet te pranojmë qe edhe ca matrapazë te mbushin ujë ne kanal e te na e shesin me para.

Share: