Home KRYESORE Filli i Arianës i marrëveshjeve shqiptare

Filli i Arianës i marrëveshjeve shqiptare

Nga Ilir Kalemaj

Nënshkrimi i marrëveshjes së Asocim-Stabilitetit nga ana e Republikës së Kosovës, bash në këtë kohë përplasjesh të forta për Zajednicën, pra autonominë faktike të komunave serbe në Kosovë, duket si një “karrot딝 për të rritur legjitimitetin e qeverisë dhe tejkaluar krizën e brendshme politike që po udhëhiqet nga opozita me në krye Vetvendosjen. Ndonëse është ende herët për të parashikuar se çfarë efektesh kjo do të ketë në opinionin publik dhe sa do ta qetësoj kjo “karrot딝 që ndryshe nga fjala bie, liberalizimi i vizave, nuk ka impakt të drejtëpërdrejtë në ekonominë familjare të shqiptarëve të Kosovës, kjo ngelet për t’u parë. E rëndësishmë është që i shërben më së miri qeverisë Mustafa për të shpejtuar me firmosjen e dekretit përkatës që anashkalon Kuvendin dhe i siguron jetëgjatësinë pa u dashur të përballet në terma afatshkurtra me zgjedhje të parakohshme që mund të ndodhnin si rezultat i përshkallëzimit të protestave. Gje që në fakt e ka paralajmëruar qartë Albin Kurti kur në mënyrë ultimative i kërkonte kryeministrit Mustafa të zgjidhte mes tërheqjes nga Zajednica apo humbjes së pushtetit duke paralajmëruar nisma akoma më agresive se bombat tym-lëshuese në arenën legjislative.

Nga ana tjetër, mediat lajmëruan për një dakordësi të kryeministrit Rama për ofertën e bërë vendeve të BE-së në lidhje me gadishmërinë e Tiranës zyrtare për pritjen e mijërave refugjatëve sirianë. Është ende e paqartë nëse këta do të jenë refugjatë tranzitë të cilët do e përdorin vendin tonë si urë kalimi, gjë të cilën deri tani e kanë shpërfillur me një logjikë të qartë, duke qenë se destinacion final kanë kryesisht Gjermaninë dhe kanë preferuar rrugët tokësore, nëpërmjet akseve Greqi-Maqedoni-Serbi-Budapest apo Greqi-Serbi-Kroaci-Slloveni. Apo do të jenë emigrantë fundorë që do të përzgjidhen për t’u pritur në qendra të caktuara dhe mandej për t’u shpërndarë nëpër familje, konvikte etj. Nëse është kjo e fundit, prapëseprapë ngelet të përcaktohen nëse do të jenë nga refugjatët e ngecur diku mës kufirit kroato-slloven apo do të jenë të ardhur direkt nga kampet e refugjatëve në Liban, Siri apo Jordani sikundër do të vepronte Britania e Madhe? Të gjitha këto pikëpyetje nuk janë sqaruar, por duket se qëllimi i “nxënësit” Rama është të marrë një “notë kaluese” në “detyrat e shtëpis딝 të caktuara nga BE, tashmë që data e hapjes së negociatave për antarësim është shtyrë për në “kalendat greke”.

Ekspertë të mirënjohur të marrëdhënieve ndërkombëtare si R. Putnam prej kohësh kanë vënë theksin te “sjella me dy nivele” [tëo level games] e shteteve ndërvepruese në negociatat ndërkombëtare. Niveli i parë është i brendshëm, ku shtetet negociojnë me aktorë dhe faktorë të ndryshëm shoqërorë dhe mundohen të ndërtojnë koalicione mbështetëse, të qetësojnë zëra të opinionit publik dhe të fitojnë mbështetje mediatike. Në nivelin e dytë, atë ndërkombëtar, negociatori i secilit shtet kërkon një marrëveshje që maksimizon interesin kombëtar të shtetit që përfaqëson. Sikundër Putnam demonstron empirikisht, marrëveshjet me përfitim të dyanshëm [win-sets] janë ato vendime që pranohen nga grupet e brendshme të interesit dhe që bëjnë të mundur ratifikimin e marrëveshjes në nivel kombëtar. Mandej, marrëveshjet ndërkombëtare ndodhin kur në mënyrë të dyanshme (për marrëveshjet mes dy shteteve) ka një dakordësi të tillë të brendshme që i lejon marrëveshjet të tejkalojnë rezistencën e brendshme.

Studiues të tjerë kanë ndjekur modelin e Putnam si Katzestein, Keohane etj., dhe e kanë zgjeruar duke përfshirë dhe tezën që paradoksalisht në negociatat mes një shteti autokratik (sulltanat, juntë ushtarake apo diktaturë) apo me prirje autoritare dhe një shteti demokratik, ky i fundit ka më shumë gjasa të përfitojë maksimalisht nga ujdia, për shkak të rezistencave të brendshme që nuk ekzistojnë në shtetet autoritare. Ky paradoks shpjegohet me faktin se shtetet që i përkasin demokracisë liberale janë më të ndjeshëm dhe reagues ndaj opinionit publik, grupeve të interesit, burokracive mirëfunksionale etj. Por sa demokratike janë shtetet e Kosovës dhe Shqipërisë? A kanë ato mekanizmat institucionalë që të ndalojnë veprimet unilaterale të liderëve në pushtet? Fjala bie, a mundet Gjykata Kushtetuese në Kosovë të hedh poshtë miratimin e Zajednicës pas dekretit qeveritar? A po dëgjohen zërat opozitarë të cilët e kanë çuar në ekstrem aksionin e tyre politik? Përse nuk e përdor qeveria këtë masë kritike kundërshtimi për t’i interpretuar në favor të interesit kombëtar të Kosovës pikat e diskutueshme në aktet nënligjiore që do të dalin nga marrëveshja kuadër, nëse është e pamundur të ri-negociohet marrëveshja? Një qeveri inteligjente do të përfitonte nga kjo situatë, qoftë edhe e parë në aspektin e ngushtë pragmatik dhe oportunist, pra mbijetesën politike, qoftë nga pikëpamja e gjerë e mbrojtjes së interesave të vendit.

Po në Shqipëri, a janë pyetur grupet e interesit se ç`mendojnë në lidhje me dakordësinë e qeverisë shqiptare për të pritur masivisht refugjatë edhe kur këta gjerësisht e kanë injoruar Shqipërinë si vend kalimi? Çfarë do të përfitonte konkretisht shqipëria nga kjo? Kjo përtej konsideratave njerëzore dhe humane, pasi nëse çështja do të shtrohej në këtë prizëm, atëherë mendoj se Shqipëria pikësëpari duhej të ofrohej të merrte ato qindra sirianë me prejardhje shqiptare që jetojnë në Damask e gjetkë në Siri si detyrim moral dhe shtetëror, ashtu sikundër edhe Kosova. Diplomacia përdoret shpesh për të fituar kapital politik të brendshëm nga shtetet dhe natyrisht Shqipëria dhe Kosova nuk kanë se si të bëjnë përjashtim. Por mënyra se si marrëveshjet firmosen, se çfarë lejojnë apo jo në interes apo dëm të interesit kombëtar (pasi djalli fshihet në detaje) dhe çfarë efektesh kanë, bëjnë gjithë diferencën. Kësisoj integriteti plus profesionalizmin duhet të jenë alfa dhe omega e çdo udhëheqësi dhe nëpunësi në traktatet e negociuara dhe firmosura mes shtetesh.

Share: