Home KRYESORE MOTIVET E DOBËTA JANË SHUMË TË FORTA!

MOTIVET E DOBËTA JANË SHUMË TË FORTA!

Nga Erion Kristo

Më ka ndodhur shpesh të dëgjoj shprehjen mediatike: “burri vrau gruan për motive të dobëta”; “plaka vrau burrin e vet për motive të dobëta”; “të rinjtë u therën me thika me njëri-tjetrin për motive të dobëta”. Ky refren i çuditshëm po përsëritet kaq shpesh, saqë e vetmja arsye që të vjen në mend është se këto motive janë kaq të forta, saqë askush nuk po arrin t’i tresë dot. Dhe mos harroni se jetojmë në kohërat kur magjistarët tanë të mendjes, i kanë hyrë debateve pabukse për të përcaktuar identitetin tonë. Është pak a shumë sikur të diskutonim për metafizikën, nëse duhet apo jo, dhe çfarë mund të përfshinte ajo në ditët tona. Si çdo herë, edhe kësaj radhe fjalët e të mençurve janë veç metafora. Por kjo nuk është asgjë. Madje, nuk ka rëndësi as fakti i rreshtimit të gjithë të tjerëve nëpër llogoret e ndërsjella të luftës së ftohtë. Ndaj, vijnë në mendje fjalët e hallos së Mato Grudës: “Ia ke gjetur vaktin!”.

Ajo që ka rëndësi është diçka tjetër. Këta “baballarët” e kombit tonë, që për fatin e keq të tyre kanë lindur në një kohë kur kombi është përcaktuar me gjithsej, pra këta baballarë kaq largpamës, më duken si ai filozofi që shihte qiellin dhe ra në pus. Dhe ky pusi ku ka rënë identiteti ynë kombëtar kërkon ca doktorë të tjerë. Le të marrim psikikën e një kombi, atë që rëndom quhet edhe arketip (edhe pse janë gjëra të ndryshme). Këto 15 vitet e fundit, me çfarë është ushqyer pavetëdija e kombit? Jam kureshtar ta di. Por edhe ndonjë kureshtje të madhe të kërkoj në errësirë nuk kam. Mjafton të shohësh veprat. Dhe cilat janë veprat. Sot ne shqiptarët jemi kampionë në disa fusha: si në shitje droge, prostitucion, kriminalitet, gjakmarrje, etj. Por ka edhe më: sot ne jemi më të paditur, më shëndetlig, më të pafe, e ndoshta më të pashpresë se kurrë. Por këta shqiptarë kanë edhe një fat të keq më të madh se sa kanë arritur të përjetojnë. Ata kanë baballarë qaforë. Këtë shprehje nuk dua ta komentoj. Por le të marrim disa aspekte fare të vogla të çështjeve për të cilat po diskutohet. Ç’lidhje kanë gjërat kombëtare me sikletet personale të njërit apo të tjetrit?

Pra, ajo që na formëson si komb, a kalon përmes inatit të ndonjë individi hyjnor? Dhe nëse kalon, përse bëhet më i rëndësishëm qëndrimi vetjak i gjithkujt, sesa ajo që duhej të ishte fare pavetore, përderisa është identitet i të gjithëve? Por ka edhe më. Kjo e fundit është e frikshme. Kaq, vërtet kaq, pra ky është kulmi i potencialit mendor të një kombi? Edhe kur diskutojmë për gjëra të shenjta, duhet pa tjetër të sillemi si të djemnuar? Si është e mundur, që në të gjitha përpjekjet e njerëzve të mençur, në fund fare, feja del viktima e radhës. Ajo del si elementi më i panevojshëm i kombit tonë. Të gjithë citojnë gjithë të tjerët. Por më duket se ka një gabim metodologjik të paparë, me përmasa gati biblike. Po të shkëputësh një frazë nga një libër dhe një frazë nga një libër tjetër, kjo nuk do të thotë se me to mund të thurësh një kurorë. Kësisoj, edhe Xhaxhi, na del si filozofi më i madh i globit, si një njeri me përmasa tejet njerëzore, nëse do të marrim nga një fjali për çdo Vepër. Keqpërdorim më i madh i citimit dhe i dijes nuk mund të bëhet.

Është e disata herë që hapen debate të tilla me përmasa kozmike për ne shqiptarët. Ajo që i ka shqetësuar mendjet e mëdha të kombit është fakti nëse filan vjershë ka pasur helm brenda apo ka pasur sheqer; nëse fisteku ka vrarë veten apo e kanë vrarë, dhe ca të tjera akoma, që si ato kërmat, ndjellin gjithfarë mizash nga ato të tjetërkundit. Nuk më kujtohet ndonjë debat për diçka që e larton njeriun, për diçka që i jep atij një ndihmë në jetën e hallakatur që po jetojmë, që t’ia heqë stresin dhe jo t’ia shtojë atë. Përfundimet e debateve të tilla të shtyjnë të mendosh se kjo jetë nuk ia vlen të jetohet dhe pesimizmi apo pezmatimi ulen këmbëkryq në zemrat e njerëzve.

Edhe kësaj here, din-shumët e shembën qiellin me profka. Ndërsa jeta reale, ajo e vërteta, ajo e dhjetëra njerëzve në nevojë, ajo e fëmijëve të dhunuar në syrin tonë, e të vetëvrarëve, e të papunëve, e të shfrytëzuarve, e administratave qesharake dhe punë-kota, e qytetarit që nuk ka asgjë prej qytetari, e shkollarit që nuk e di se pse shkon në shkollë, e familjes që po shkatërrohet cip më cip, e ndërtimeve në toka bujqësore, dhe mijëra marrëzi, që nuk ka vend ku t’i mbledhësh të gjitha, pra kjo jetë në dimensione danteske, e pajetuar, por e dhunuar gjithandej, kjo jetë ka nevojë për shumë doktorë të tjerë. Këta doktorë duhet të shohin dhe të njohin të thjeshtën, atë faktin fare të pavënë re, se pothuajse të gjithë njerëzit në këtë vend janë kriminelë të mundshëm potencialë, vetëm se Zoti na qëndron kaq pranë, dhe ne nuk e kryejmë aktin tonë të gjithë përnjëherë, por ditameditë, nga pak.

Ndaj, duhet parë thellë në ndërgjegjen e kombit, sepse ashtu siç paraqitet sot, jemi tejet larg diskutimeve që kryen. Njerëzit nuk kanë më motive për të bërë ndonjë gjë të hajrit, ndonjë gjë që të mbetet edhe për brezat e ardhshëm. Ama një tipar kombëtar me përmasa ndërkombëtare u zbulua edhe kësaj here. Qenkemi tepër mllefqarë dhe dritëshkurtër, dhe ajo që më tremb është se hejbet që kemi në kurriz nuk janë të mbushura me dije, por me largqoftë. Si është e mundur që shkrehen gjithmonë po ato pushkë të ndryshkura? Si ka mundësi që mungon një gjë fare e vogël, dashuria? Quo vadis pa një çikë dashuri?

Share: