Home KRYESORE MJEDIS I KEQ NË POLITIKËN SHQIPTARE…

MJEDIS I KEQ NË POLITIKËN SHQIPTARE…

Nga Sadedin Celiku

Çdo shqiptari që i ka takuar të jetojë edhe për pak kohë brënda kufijve të Shqipërisë e ka kuptuar se sa dëm i ka bërë qeverisja e kaluar Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo janë.Në ka njerëz të zhveshur nga aktet e pronësisë trashëguara nga etërit e tyre,të privuar nga djersa që dhanë për katër dekada,ata janë shqiptarët të cilët sot kanë mbushur ushtrinë e të papunëve dhe jetojnë nën minimumin jetik dhe me shpresën e së nesërmes.
Të vjedhësh me ligj,të grabisësh në emër të popullit,të shesësh tërësinë territoriale të vëndit në emër të popullit dhe të mandatit që të ka besuar është e dënueshme jo vetëm sipas kodit penal por dhe sipas kodit etiko-moral.Kjo ka ndodhur në Shqipëri dhe askund tjetër në Botë sepse tek ne nuk është pushteti i popullit.
Doktrina e sovranitetit të popullit ka patur pikpamjen se pushteti i takon Princit.Edhe pse kjo pikpamje është hedhur poshtë nga shumë filozofë e politologë,unë insistoj se tek ne pushteti është personal,privat dhe kësisoj i ka takuar Princit që zgjidhet nga sovrani.
Si është e mundur që opozita t’i bëjë budallenj e të paditur shqiptarët, t’i injorojë dhe ti trajtojë si skllevër të votës ata, t’i hedhë hi syve dhe të tallet me skamjen dhe fukarallëkun e tyre ? Kjo është e pafalshme pse jo dhe e pamoralshme.
Aq keq ka punuar ajo qeveri dhe aq shumë abuzime me fondet publike ka bërë saqë dhe një i pashkolluar di t’ia bëjë llogarinë sepse llogari aritmetike është.
Kështu borxhin publik e la në masën 73 përqind,kreditë e këqia dhe faturat e papaguara kapën shifrën rreth një miljard dollarë,bilanci i tregëtisë negative,mosrealizimet në tatime e dogana nuk u realizuan asnjë vit dhe asnjëherë nuk na dhanë një buxhet real e të qëndrueshëm por ajo ndryshonte disa herë në vit dhe ndryshimet paraqiteshin për alokim fondesh.Investitorë strategjik nuk kishim,por edhe atje ku u afruan nuk ndërtuan asgje siç qenë rastet e Petroliferës dhe portit detar në pyllin e sodës në Vlorë.Hekurudha u shkatërrua qëllimshëm, transporti detar pa inventar anijesh shqiptare dhe ai ajror me tarifat më të larta në Europë.Rruga e kombit përveçse pati gabime në detyrat e projektimit dhe zbatimit,na dhuruan një dëm ekonomik prej 225 miljon eurosh,u shëmb mbikalimi i Zogut Zi sepse pallati shumëkatësh që ndërtonte Princi humbiste shitjen e tre kateve të para,porti detar në Vlorë s’filloi kurrë dhe shqiptarëve ju bë dëm ekonomik me prerjen e dhjetra hektarëve me pisha.
Termocentrali i Vlorës i kushtoi qeverisë shqiptare 110 miljon euro.Për shkak të një defekti në sistemin e ftohjes ai ende nuk punon.TEC-i,ende nuk prodhon energji dhe as është marrë në dorëzim nga Koorporata Energjetike e Shpërndarjes,ndërkohë që paguan 62 punonjës shqiptarë dhe një Inxhinier Italian me pagë të barabartë me të gjithë punonjësit. Problemi vazhdon të jetë i ndërlikuar dhe në negocim.
Dëmi më i madh ju bë shqiptarëve me ligjin e konçensionit.Të privatizosh një aset do duhet të futësh dorën në xhep e të paguash,me anë të këtij ligji vetëm fiton sepse qeveria jepte me konçension vetëm sektorë me fitim,në kundërshtim me ligjin.
U shitën hidrocentralet Shkopet,Bistrica 1 dhe 2, dhe Ulëza nën vlerësimin real si aset.Disa herë u kthyen vlerësimet e tyre dhe u bë shumë presion deri sa shkojë çmimi aq sa e desh Princi,u dhanë dhjetra liçenca për universitete jo publike ku jemi dëshmitarë që mbushën dynjanë me diploma universitare,me mastera dhe doktoratura.
Konçensionuan sheshin e kontainerëve në portin detar të Durrësit,qindra hidrocentrale dhe s’lanë përrua pa shfrytëzuar pa llogaritur dëmet nga erozioni,kontrolli teknik i automjeteve,njësitë e prodhimit pasaportave dhe kartave të identitetit,minierat e kromit,kalatë e monumentet,porto Romanon,markimin e karburanteve dhe skrapin,mbetjet e plehrave nga Italia,Cez,Albpetrol.Të gjitha këto koncensione i gëzojnë njerëzit e Princit.Jo vetëm kaq por investimet me karakter privat morën dhenë siç janë Teg-u,QTU;City Park,supermarketi Shkup dhe dhjetra vila e sipërfaqe në zonat turistike malore dhe detare.
Ja për këto duhet të flasi opozita,për këto duhet të kërkojë ndjesë dhe këto duhet të hetojë e zhbirilojë prokuroria.
A shkëlqen me punën e saj qeveria e sotme ? Sigurisht që jo.Edhe qeveria e drejtuar nga zoti Rama duket se ka marrë virozën e Berishës dhe po punon me vrull të japi me konçension gjithçka që ka mbetur.
Kështu u dha me konçension për 10 vjet shërbimi i hemodializës dhe po punohet që të japin dhe shërbimet e tjera që shqiptarët të paguajnë qimet e flokës për shërbimet që na u servirën për falas;po jepet rruga e kombit ende pa përfunduar dhe pa e sjellë në standart,së shpejtë jepet dhe kontrolli fizik i automjeteve nga ku drejtuesit do duhet të paguajnë nga 1500 lek që paguajnë sot për këtë shërbim në 100 euro për çdo kontroll, problemi i Çez-it është future në një spirale ku me sa duket janë zhyer të gjithë nga pak.Minierat e kromit vazhdojnë e shfrytëzojnë pa investuar asnjë grosh por dhe pa i paguar asgjë dhe shtetit.Mungojnë politikat ekonomike sepse ekonominë e drejton anglishfolësi që nuk di ç’është ekonomia dhe po kështu janë dhe sektorët e tjerë.
Borxhi publik nuk po ulet dhe as shpenzimet qeveritare,nevoja për kredi dhe borxhe të huaja është rritur,konsumi është ulur dhe kreditimet në bizneset e vëndit gjithashtu.Bankat e vëndit po financojnë miljarda dollarë projekte jasht vëndit sepse shqiptarët kanë frikë të investojnë nga taksat e larta.Politikat fiskale duhen rishikuar në funksion të ardhurave dhe rritjes ekonomike.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat si 9-mujor nuk janë realizuar ose më troç kanë krijuar një gropë të zezë.Investimet publike si 9-mujor me mosrealizim.Lufta kundër informalitetit nuk ka çuar në rritjen e të ardhurave dhe në përmisimin e situates fiskale.Është me rëndësi të theksojmë se luftën kundër debitorëve në energji elektrike dhe ndaj kultivimit të bimëve narkotike e kemi vlerësuar,por po ndeshemi me fenomene të reja.Nga pamjet filmike që shikojmë në televizor vërejmë se janë kultivuar qindra hektarë me bimë narkotike.Kjo do të thotë se nuk merret njeri me parandalimin por vetëm me konstatimin dhe asgjësimin e bimëve.
Këto fakte na çojnë në një llogjikë të thjeshtë.Kryeminiustri përpiqet ta bëjë me pahir punën e tij të suksesëshme,t’i paraqesë të korruptuarit për të ndershëm,dhe mungesën e politikave ekonomike për politikbërje.
Përpiqet të mbrojë të paaftët dhe përformancën e dobët të tyre.Njerëzit duan ndryshime,përmisim të jetës tyre,rritje konsumi dhe të buxhetit familjar,ulje taksash dhe hapësira për rritje ekonomike.Ato nuk ngopen me llafe dhe as me deklarata,por duan punë dhe ndryshime konkrete.
Në të gjithë këtë zallamahi dalim në përfundimin se situata nuk është e mirë,e kënaqshme,dhe meriton një analizë të ndershme e të sinqertë ndryshe situata do të përkeqësohet dhe ato që do ta vuajnë janë populli.
Botuar në gazetën Koha Jonë, e martë 27 tetor 2015

Share: