Nga Teuta Nunaj
Në dekadën e fundit raporti dhe marrëdhëniet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor morën një dimension të ri dhe u zgjeruan në kuadër të procesit të integrimit evropian, pasi BE përcaktoi politikën e përbashkët integruese, gjë e cila “detyron” shtetet e Ballkanin Perëndimor që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, për të qenë shtysa për zhvillim reciprok, për të vendosur e mbajtur një Ballkan të stabilizuar, larg trazirave etnike dhe politike mes shteteve të tij. Komisioni Evropian, gjithnjë e ka vënë theksin se integrimi në tregtinë rajonale është i një rëndësie vendimtare për Ballkanin Perëndimor, si dhe një element kyç i politikës së BE-së për rajonin. Perspektiva e këtyre vendeve është dukshëm drejt Evropës së bashkuar, e cila filloi të përbënte bazën e një lidhjeje të ndërsjellë mes tyre, e konkretizuar nëpërmjet marrëveshjes së CEFTA-s.
Zbatimi i plotë i marrëveshjes së CEFTA-s mundëson shmangie të arbitraritetit, ndihmon në rritjen e ekonomive tona kombëtare, e cila përkthehet në mirëqenie për popujt e rajonit dhe stabilitet ekonomik e më tej politik për rajonin dhe më gjerë. Kështu, për periudhën 2010 deri në gjysmën e parë të vitit 2014, nga të dhënat e marra nga CEFTA, shohim se Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të eksporteve të saja drejt vendeve të CEFTA-s, duke arritur nivelin 10 për qind, në vitin 2010, ndërsa nivelin më të lartë të eksporteve me vendet e CEFTA-s kundrejt totalit të importeve, e ka Mali i Zi, me 63 për qind në vitin 2013 (vit i cili i ka të dhënat e azhornuara nga CEFTA vetëm për gjysmën e tij). Në nivelin e importeve, vendi me nivelin më të ulët është Serbia, e cila për gjysmën e parë të vitit 2014 nga totali i të gjitha importeve, me vendet e CEFTA-s importi zë vetëm 5 për qind, ndërsa nivelin më të lartë të importit e ka Mali i Zi, 45 për qind për vitin 2011 dhe 2012. Nga të dhënat rezulton se Mali i Zi ka vëllimin tregtar më të lartë me vendet e CEFTA-s. Ndërsa Shqipëria vijon të jetë me nivele të ulëta si eksporti dhe importi, gjë e cila tregon për zhvillim tregtar në një shkallë të vogël me vendet e CEFTA-s.
Koha ka treguar se marrëdhëniet e njëanshme nuk sjellin dobi, përkundrazi zgjerojnë hendekun dhe ulin besueshmërinë në bashkëpunim, gjë e cila largon edhe më shumë ekonomitë tona nga integrimi me ekonominë evropiane e më tej, atë globale. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: cili është roli i menaxhimit në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të bashkëpunimit rajonal? Për lehtësi analize, bashkëpunimin rajonal të vendeve të BP-së do ta klasifikojmë si funksion të veprimtarisë së një organizate të madhe ndërkombëtare me një qëllim unik, që është rritja ekonomike e rajonit. Kjo lejon zbatimin e koncepteve të menaxhimit pasi ekonomitë e rajonit kanë një origjinë të njëjtë si vende ish – komuniste, të cilat vetëm pas viteve ’90-të filluan aplikimin e ekonomisë së tregut. Kjo gjë mundëson, që të zbatohet një praktikë e njëjtë menaxheriale ashtu si edhe vendet e NAFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në Amerikën e Veriut) zbatojnë koncepte të njëjta menaxheriale apo edhe ato të BE-së, mjaft që politikat e bashkëpunimit rajonal të udhëhiqen nga parimet e besimit dhe partneritetit reciprok. Për këtë lind e nevojshme që të identifikohen problemet dhe të ofrohen zgjedhjet më të mirë ekonomike, për të prodhuar më pas edhe zgjidhje politike për rajonin.
Zbatimi i parimeve menaxheriale në bashkëpunimin rajonal mund të sjellë këto avantazhe: 1 Përmirësohet mënyra se si menaxhohet bashkëpunimi rajonal, që ndikon në rritjen e besimit dhe të tregtisë mes këtyre shteteve; 2, Njihet më mirë fusha e bashkëpunimit rajonal, duke rritur mundësinë e zbatimit të politikave të përbashkëta proteksioniste; 3, Edhe pse kultura dhe traditat në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndryshme, ato kanë karakteristika të përbashkëta me njëritjetrin më shumë se me rajonet e tjera; 4, Një menaxhim efektiv, është burimi kryesor për hartimin e strategjive, për suksesin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për realizimin e qëllimit të vendosur në marrëveshjet bashkëpunuese. Bashkëpunimi ekonomik ka një rol kyç për çdo vend të rajonit në prespektivat e tij drejt integrimit evropian e më tej drejt globalizimit. Ndaj këndvështrimi dhe e ardhmja e rajonit duhet të tentojë drejt integrimit në tregun rajonal, me synimin afatmesëm integrimin në tregun evropian dhe me objektivin afatgjatë drejt integrimit në ekonominë globale, por jo drejt nacionalizmit të sëmurë ekonomik. Kjo do të thotë të mendosh në mënyrë globale, duke vepruar në një ekonomi rajonale për të marrë dhe përfituar të mira kombëtare.