Home KRYESORE Pikërëndesat e humbura të reformës në drejtësi!

Pikërëndesat e humbura të reformës në drejtësi!

Para disa kohësh në vendin tonë bëri një vizitë pune një nga autoritetet e larta të Prokurorisë në Mbretërinë e Bashkuar. Në sallën e konferencave të shtypit të misionit të BE, mbushur plot e përplot me gjyqtarë të të gjitha niveleve dhe me prokurorë gjithashtu, u organizua takimi. Kur na u dha mundësia për të pyetur, kërkova fjalën. Iu drejtova personalitetit me kërkesën të më lejonte që të bëja një koment, për të dalë më tej te shtegu i pyetjes. Nisa t’i tregoja për atë që ndodhi disa vite më parë me ish-Presidentin e Francës, zotin Jacque Chiraque, i cili gjatë pushimeve konsumoi 200 mijë $ cash. Aso kohe në Francë qarkulloi batuta “Jam jar dilemma” ”“ “dilema e kavanozit të reçelit”, që do të thotë se po hëngre me gjuhë në kavanoz, sado që t’i fshish buzët, cepat mbeten të ndrakura. Deri në atë moment fytyrat e njerëzve në sallë ishin të qeshura, pati dhe humor në grup. Unë vijoja. Tek ne i thashë kemi një tjetër dilemë, atë të “qypit me mjalt딝 ”“ “honey pot dilemma” ku është futur koka dhe janë ndrakur veshët e politikanëve dhe njerëzve që punojnë në sistemin e drejtësisë. Në çast ra heshtja. Fytyrat e qeshura u ngrysën, u bënë serioze dhe vigjilente se cila do ishte pyetja post-koment. Pyetja ime i nderuar zoti prokuror është: “Nëse ju keni raste politikanësh, gjyqtarësh apo prokurorësh që janë në pengun e kësaj dileme, si veproni?” Juristi i lartë britanikë m’u përgjigj. “Unë nuk do merrem as me dilemën e kavanozit, as me atë të qypit, as me reçelin, as me mjaltin. Po ju jap tri shmebuj. Një politikan i yni, anëtar i parlamentit u pa se bënte një jetë luksoze, krejt të pamotivuar me të ardhurat dhe jashtë mundësive të tija ekonomike. Ai u vëzhgua dhe u investigua deri sa u zbulua që gjithçka që zotëronte nuk ishte e bazuar tek të ardhurat reale dhe legale që përfitonte. U arrestua, u gjykua dhe u burgos. E njëjta gjë ndodhi me një gjyqtar të lartë dhe me një prokuror. Ata u gjykuan për korrupsion dhe u dënuan me heqje lirie në burg. Kjo është zgjidhja”. Kështu e mbylli përgjigjen juristi britanik. Pas kësaj ekspozeje të tij, pllakosi heshtja. Personat në sallë ngrinë. Ambienti humbi shkëlqimin e xhojlerive në qafa dhe orëve të shtrenjta në duart e atyre, që ngrenë çekiçin e drejtësisë. Po gëlltiteshin dhe mendonin makinat e shtrenjta luksoze që kishin parkuar përjashta. Pas këtij dialogu, takimi u mbyll. Askush nga gjyqtarët dhe prokurorët në sallë nuk bën pyetje drejtuar kolegut të nderuar britanik. Ftohtësia dhe qëndrimi i tij i prerë tregonte se bëhej fjalë për dy qëndrime, për dy morale, për dy filozofi, për dy sjellje, për dy realitete që nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin. Sallëmbushësit mendonin të ikim prej këtej tek dreka në ndonjë restorant luksoz. Ndërsa britaniku koleg i tyre, kujdesej për takimin e radhës që të ishte korrekt me orarin.
Aktualisht prej disa muajsh në Shqipëri flitet për reformën në sistemin e drejtësisë. Opinioni brenda dhe jashtë vendit është i tillë se në sistemin e drejtësisë, në një masë të gjerë ka të pandershëm, se ka nivel profesional shumë të ulët dhe është ngritur një korrupsion masiv i frikshëm. Pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve shkon në mbi 500 mijë $, por ka edhe nga ata që kanë miliona euro pasuri. Në këto kushte për çfarë reformimi të sistemit të drejtësisë flitet? Më saktë do të ishte që të thoshim se, bazuar tek ajo pjezës shumë e vogël pozitive, sistemi duhet rithemeluar. Para se të shkojmë tek reforma, duhet të kryhet ajo që tregoi prokurori britanik. Bllokimi i pasurive të dyshuara, verifikimi sipas skemës debit-credit dhe në fund të gjitha pasuritë e papërligjura të sekuestrohen, mandej çështja të shkojë për gjykim. Prokurori përgjithshëm dhe e gjithë pema e tij strukturore si Prokurori e Shtetit, nuk kanë pse presin për paraqitje akuze për ryshfet apo ndonjë “flagrancë për shfaqje” që përdoret si shembull, se ja gjoja po luftojmë korrupsioni mes radhëve tona, si edhe ishte rasti i gjyqtarit në Sarandë dhe rasti në Lezhë. Pse nuk ndodh ajo që tregonte prokurori britanik? Sepse prokurorët janë po aq të pasur, se gjyqtarët janë po aq të kamur, se të gjithë së bashku janë të dhjamur si “derra të kënaqur” përballë “Sokratit të vuajtur” -popull. Kjo është pikërëndesa e humbur. Në këto rrethana reforma duket si tymnajë, si mjegulla e radhës. Kur 10-tra gjyqtarëve e prokurorëve të të gjitha niveleve do t’u merren pasuritë e paligjshme, likuiditetet dhe pronat “real state” dhe do shkojnë në burg për korrupsion, vetëm atëherë ka klimë që të rindërtohet një sistem drejtësie tek ne. Por gjasa të tilla nuk shohim, madje të pangopurit me para të paligjshme po na japin mendime se si duhet të kryhet reforma në drejtësi. Ky është kulmi. Duket sikur hajduti i bankës tregon se si duhet vepruar që të mos vidhet banka herën tjetër, porse gjithnjë duke mbajtur më shumë se një variant rezervë, që sërish ajo të vidhet po prej tij. E gjithë kjo çfarë ka ndodhur në këta 25 vite ka sjellë si keqpërfundim humbjen e besimit tek drejtësia. Është fatale, sepse ajo që njihet si “Demokracia përmes Ligjit”, që kushtëzon Rule of Law-Shtetin-Ligjor, nuk funksionon tek ne. Demokracia është në rastin më të mirë e bllokuar. Në rastin më të keq është një formalitet pseudo-institucional. Shteti nuk lëviz me mekanizmat e tij, por se është peng në duart e strukturave okulte të parave të këllirta.
Institucionet e zgjedhura që certifikohen edhe në mënyrë juridike nuk garantojnë besueshmëri. Prona është e cenuar, pasuritë kombëtare të grabitura, pronat publike gjithashtu. Individi si institucion nuk ekziston dhe në masë kemi njerëz në nevojë. Sipas Bankës Botërore, gati 30% popullsisë janë në mizerje. 5% popullsisë kontrollon pjesën më të madhe të pasurisë kombëtare. Që nga e drejta romake dihet se “nevoja është parapolitike”, këtë e theksonte dhe Shën Agustini. “Necessitas non habem leggem”. ”“ Nevoja nuk ka ligj. Njeriut në nevojë nuk i duhet ligji, jo se e urren atë, porse ai nuk e zbaton dot. Kjo gjendje pafuqie e ka shndërruar sistemin e drejtësisë dhe njerëzit e korruptuar të tij në autoritari të frikshme. Është krijuar “autoritarizmi abuziv antiligj”. Duke parë dhe provuar se të drejtën në gjykatë mund ta gjesh vetëm nëse paguan ryshfet, njerëzit në masë kanë hequr dorë nga e drejta e moralshme dhe kanë përqafuar të drejtën utilitare pa pyetur nëse ajo është e drejta ligjore e bazuar në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri. Kështu veprohet për pronat, kështu për probleme të tjera civile dhe penale, aq sa gjykatat në shumë raste ngjajnë me pazare të hapura për shitje-blerje drejtësie. Kjo sjellje flagrante ka deprimuar shumë gjyqtarë korrektë dhe të pakorruptuar. Ata janë nën trysni. Janë shpesh të kërcënuar me vendin e punës, apo në drejtime të tjera po aq delikate, përfshirë edhe të ndjeshmërisë njerëzore e familjare.
Sipas reformës për të cilën po diskutohet (materialet kanë mbërritur deri tek Komisioni Venecias, i cili është thjesht i një ekspertize konsultative), është menduar të krijohet një institucion enkas, që me një kohë zgjatje 3-5 vite do bëjë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në tri drejtime: “Pasuritë, kualifikimin, integritetin”. Edhe kjo ide është një pikërëndesë e humbur, jo e fituar. Të bie në sy që janë bashkuar elemente që nuk mund të bashkohen as në aspektin juridik, as në atë etik. Le të arsyetojmë me mendje të ftohtë. Hetimi pasurisë është diçka ligjore, sepse fal tij do gjendet korrupsioni, do të zbulohen vjedhjet, apo grabitjet shumëplanëshe, pasi me një vendim gjykate mund të jetë mbyllur një aferë shtetërore, ose është gjetur alibia juridike për mosndëshkim të një politikani apo drejtuesi lokal, të një specialisti të lartë, apo të një “kodoshi” të tenderëve, pse jo të një grabitësi të parave publike, si rasti kur CHEZ-i do t’i mblidhte pagesat e prapambetura me agjent privat. Kuptohet se ato ishin lekët e shqiptarëve, sepse po të ishin të qytetarëve çekë, nuk do të silleshin kështu, kaq pa ndjenjë përgjegjësie ligjore dhe administrative. Unë personalisht meqenëse nuk besoj te “Komisioni Deklarimit të Pasurive”, apo tek sistemi drejtësisë, do të kërkoja ngritjen e një komisioni qytetar ekspertësh, së paku për të zbuluar se çfarë fshihet në gropën e zezë të korrupsionit në drejtësi, por edhe në politikë. Këtu do të gjejmë abuzime, vepra penale dhe duhet ndëshkimi ligjor. Kualifikimi është tjetër gjë, ai nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me korrupsionin dhe abuzimet që rëndojnë në vendimet e gjykatave me ndëshkim penal. Kualifikimi matet me kontrollin e dokumentacionit, me vendimet e prishura për gjyqtarët apo rrëzimin e akuzës së prokurorit, me specializimet dhe trainimet brenda dhe jashtë vendit, me lektrimin në auditorët akademikë e universitare, si dhe në aulat e institucioneve të ngjashme jashtë Shqipërisë. Kualifikimi matet edhe me botimet brenda dhe jashtë vendit etj., etj..
“Institucioni Vlerësimit” është paragjykuar që në shpërgënjë, kur atij i kërkohet edhe verifikimi pasurive edhe kontrolli mbi kualifikimet. Është bashkuar xhami me najlonin. Po ky institucion u dashkërka të shohë edhe integritetin e juristëve. Është mëse normale që një punonjës në sistemin e drejtësisë, me vese si hajdutëria, kurvëria, hedonizmi, bixhozi, pija alkoolike, ryshfeti, marrja e drogës, etj. nuk jep as një lloj garancie për dhënien e drejtësisë. Ai apo ajo është i prishur që në qelizë, ndaj nuk ofron bindshmëri për figurë qytetare, lëre më për njeri që me “togën e zez딝 në emër të parimit “Ligji është i njëjtë për të gjith딝, të japë drejtësi juridike, si për presidentin e vendit, ashtu dhe për atë plakën 92 vjeçe që nuk paguante dot faturat dhe i prenë energjinë elektrike, aq sa edhe mund të procedohej për abuzim deri në dënim me burg. Të mos habitemi. Kështu ndodhi para disa viteve me atë plakën që doli nga burgu me amnisti, pasi ishte dënuar për kultivim kanabisi. Integriteti ka të bëjë me etikën dhe qytetarinë, me personalitetin dhe sjelljen, me figurën publike që ndërton dhe me raportet institucionale dhe ato joformale, private apo shoqërore qofshin. Si të tilla, ato mund të vëzhgohen dhe vlerësohen në mënyra të specializuara dhe me institucione të një tjetër natyre. Ka mjete dhe përvoja ku mund të bazohemi apo marrim përvojë se si kontrollohet e vlerësohet integriteti.
Kryesore është pasuria e paligjshme. A do sekuestrohet pasuria e paligjshme? Këtu duhet prerja e nyjës gordiane, ajo nuk zgjidhet, pritet. Mirëpo gjyqtari lartë apo i mesëm, e ka vilën apo shtëpizën malore ngjitur me atë të politikanit, te Gjiri Lalëzit, në peizazhin kodrinor të Tiranës, apo diku në fshatin malor. Bashkë ndajnë kohën dhe hapësirën, paratë dhe këllirën. Ndaj edhe kjo është një pikërëndesë e humbur e reformës, ose më saktë e luftës kundër korrupsionit. Prokurori italian i Antimafias e ka nënvizuar mëse një herë. Merrjuni pasuritë e paligjshme. Po i futët në burg, ata kanë aq para sa sërish dalin andej, madje edhe duke iu korruptuar një sistem si ai drejtësisë.
Këtu tek ne duhet kurajë si në Kroaci dhe së fundmi në Rumani, no more comment! Në kushtet e një sistemi të korruptuar, ku ti pret që prokurori të nisë hetimin dhe të arrestojë politikanin apo gjyqtarin e korruptuar kur ai është vetë i tillë, ose më këtë “peshk të madh” që i vjen si rasti fatlum ai siguron të ardhurat që, si edhe thotë zoti Fatmir Xhafa, kryetari komisionit të reformës, “fitohen miliona pa hedhur asgj딝; është e pamundur të rregullohet gjendja. A jemi vallë përpara reformimit të sistemit të drejtësisë, apo përballë sfidës së pastrimit të llumit korruptiv dhe kriminal në Shqipëri? Kjo është çështja. Kjo është dilema. Ky është pengu. Ata që dalin nga i njëjti sistem i degraduar mund edhe ta shpëtojnë atë. Kjo është provuar në histori. Siç argumentonte filozofi strukturalist Michel Foucault, në kësi rastesh na duhet një pushtet jashtë dhe brenda institucional. Jashtë se nuk është pushtet në vetvete, por edhe brenda se duhet të injektohet në të. Ky është pushteti i frikës. “Frika është përgjigja politike e të gjitha kohërave”, thoshte Foucault. Ky përcaktim nënkupton se pa ndëshkim shembullor nuk ka frikë dhe pa frikën nga ndëshkimi nuk lind vetëdija e respektimit të rregullit, ligjit dhe detyrimeve që burojnë prej tyre. Tek ne njeriu abuzues, qoftë ky më i rëndomti që lufton për të siguruar jetën, nuk ka pse frikësohet sepse nuk ka se çfarë të humbasë. Ndërsa ai që ka bërë pasurinë mullar në rrugë të paligjshme, nuk ka frikë sepse ai ka aq shumë para sa mund të blejë edhe atë që është i ngarkuar institucionalisht të ndëshkojë me ligj, duke krijuar edhe klimën e frikës nga ndëshkimi. Si dilet nga ky qerthull? Po nuk dolëm, përfundimisht jo thjesht sistemi drejtësisë, por e gjithë shoqëria do të jetë pa pikërëndesa, rrokullima do të jetë fatale. Gjithçka që shitet si reformim do të jetë tek e fundit një arnim i radhës. Zgjidhje ka, sepse ka përvoja dhe precedentë në vende të tjera të botës.
Kur në Itali mafia vrau dhe Borcelinon, ndihmësin e Falcones, gabimisht u mendua se gjithçka u mbyll, mafia kishte triumfuar, aq sa ajo deklaronte: “Të mos i kundërvihemi pushtetit, por ta marrim atë nën kontroll që ai të punojë për ne”. E frikshme sigurisht, kur e dëgjon! Pikërisht në atë kohë në Itali nga diku u urdhërua, ushtria zbriti në rrugë dhe arrestoi një të tretën e parlamentit që ishte zhytur në llumin e mafies. Nisi procesi me “Duart e Pastra” i spastrimit me në krye gjyqtarin e famshëm Di Pietro. Ne në Shqipëri flasim për dekriminalizim të politikës dhe institucioneve. Llafe! Jo gjurma gishtash, jo testi drogës, jo kjo po ajo. Si përfundim, asgjë. Një politikan që konsumon drogë është i degjeneruar, është jonormal, ndaj ai nuk vlen as për shtëpinë e tij e jo më për shtëpinë e madhe shoqërore, ndaj kush ka frikë nga ky test, e bën apo se bën, e ka humbur betejën. Gjurmët e gishtërinjve na janë marrë që kur kemi bërë pasaportat biometrike dhe kur lëshohet leja e drejtimit të automjetit, ndaj nuk e di pse ngrihet kjo stuhi në gotë.
Krimineli e ka vendin në burg. Gjyqtari i korruptuar e ka vendin në burg, ashtu edhe prokurori, mjeku, pedagogu, farmacisti, apo çdokush që shkel ligjin. Pasuria e paligjshme ose korruptive është vjedhje dhe si vepër penale nga përmasat, ajo ndëshkohet. Vepro zoti Prokuror i Shtetit, çfarë pret? Nëse gjyqtari i korruptuar nuk të përgjigjet dhe ai e fal hajdutin, e liron nga burgu kriminelin, e ndihmon trafikantin, nuk e dënon zyrtarin e korruptuar, ngrini ju zoti prokuror padi penale për gjyqtarin. Arrestohen atë për korrupsion dhe të shohim ndryshon apo jo shoqëria tek ne? Zoti Prokurori i Përgjithshëm hetoni pasuritë e Presidentit të Republikës dhe të gjithë paraardhësve të tij të kryetarit të parlamentit dhe të gjithë spikerave të parlamentit në këto 25 vite, të kryeministrit në detyrë dhe të gjithë atyre që kanë qenë në atë karrige zyrtare, të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë! Dhe nëse del që janë të papërligjura, merr në hetim cilindo. Arrestojini dhe dërgojini tek banka të akuzuarve nëse kanë shkelur ligjin. Këmbëngul t’u bllokosh së paku pasuritë e dyshuara, makinat luksoze, vilën/at, pallatin/tet, territorin/toret, jahtin, konton/tot bankare, aksionet etj., etj. Lërini zoti prokuror, me ato pasuri që janë të justifikuara me paratë e virgjëra të pagës mujore, apo të ardhurave të tjera të përligjura. Bëje zoti prokuror, cilido qofsh ti, edhe nëse nuk të lë eprori. Nisi hetimet po qe se të lejon ligji dhe deklaroje gjendjen ashtu si është. Bëje publike gjëmën. Informo kudo, brenda dhe jashtë vendit, sepse diskreditimi moral nuk është pa vlera. Porse ndëshkimi me heqje lirie dhe sekuestrimet e pasurive të paligjshme do ta shpëtojnë vendin. Do kuptojmë se ku ka shkuar pasuria kombëtare dhe se si ajo do të duhet t’i rikthehet popullit dhe shoqërisë. Është e trishtueshme, por edhe e frikshme ajo që shkruanin minatorët e Bulqizës në letrën që i dërgonin kryeministrit, zotit Edi Rama. “Nuk po i vëmë emrat në letër se rrezikohemi me jetën, kur të takohemi me ju personalisht zoti Rama, do t’ju themi kush jemi”. Një fshehje e tillë e identitetit personal nuk ka ndodhur as në mbretëri e as në komunizëm. Po ndodh në sistemin që ne e quajmë demokraci. Në të dy sistemet e para nuk kishte liri dhe të drejta të njeriut, porse kishim shtet dhe ligje që zbatoheshin. Tash një çerek shekulli, pretendojmë se kemi liri dhe të drejta të njeriut, porse shteti është i kapur. Drejtësia është e korruptuar dhe demokracia ka rezultuar e pamjaftueshme, madje në shumë raste në trajtën e “authoritarian democracy”-demokraci autoritariste. Filozofia drejtuese në të gjitha nivelet është ajo e pragshembjes së Perandorisë Osmane, ku hajnat dhe cubat thoshin merr çfarë të marrësh. Parimi drejtimit ishte përcakto territorin dhe zotëroje, “se je vetë Ali vet Kadi”. E njëjta gjë sot në shkallë hierarkike. Zotëruesi i terrenit qoftë kjo gjykatë, prokurori, ministri, etj. është vetë Aliu, vetë Kadiu, vetë imami, myezini, hatibi e spahiu. Nuk është e thjeshtë ajo që kryeministri zoti Edi Rama u shkruante anëtarëve të qeverisë në e-mailin e tij: “Vriteni turkun që keni brenda, po ju rritet dita-ditës”.
Nuk ka ndodhur që politika të pastrojë sistemin e drejtësisë, ka ndodhur e kundërta, ndaj ai është pushtet i pavarur. Deklarohet ku me fjalë e ku me mburrje, ku me ndershmëri e ku me dyshim, se me anë të kësaj reforme kërkohet që të ndërtohet një sistem ndërinstitucional, që bazohet tek parimi i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve, por edhe të verifikimit të gjithsecilit, bazuar tek të drejtat që njeh Kushtetuta dhe ligji ”“ “Check and balance” si thuhet në shkollën anglosaksone ose “Vérifiez et l’équilibre” ”“ si thuhet në shkollën franceze. Pas 25 viteve nuk është siguruar zbatimi këtij parimi. Dialogu ndërpushtetor mungon dhe madje uzurpimi i tyre partiak është shprehje e antagonizmit ndërinstitucional pushtetor. Në vend të pluralizmit, bashkëjetesës e dialogut politik, është instaluar “monokracia e dyfisht딝. Kjo gjendje ndryshe mund të shpjegohet se është shprehje e mungesës së demokracisë funksionale në shoqërinë e hapur. Askush, individ apo institucion qoftë, asnjë lloj pushteti apo pushtetari, nuk mund të pretendojë se unë jam i pavarur dhe ndaj mos më ndërhyni, se po më kontrolloni. Të gjithë jemi të varur nga ligji. Institucionet ndërtohen me ligj, funksionojnë me ligj, kontrollohen me ligj dhe ndëshkohen në emër të ligjit, nëse e kanë shkelur atë.
Do të sigurohet paanshmëria dhe pavarësia e gjyqësorit është një tjetër qëllim i reformës. Po ky është parim universal, si mund të konsiderohet ende i pagarantuar pas 25 viteve. Sistemi drejtësisë të jetë transparent. Kur gjyqtari hapur e shkel ligjin, gjithçka merret vesh çfarë mungon që duhet ta realizojë reforma? Mungon drejtësia. Vonohet dhënia e drejtësisë, sepse gjyqet zgjasin me vite dhe dekada. Profesionalizmi në një shkallë të lartë do na sigurokërka reforma. Po propozoj unë t’u bëjmë testin kulturor. T’u vëmë 100 libra që do duhej t’i kenë lexuar dhe t’i pyesim e të shohim ku janë, ku e kanë lidhur Rosinantin e kulturës. Flitet për qëllime të reformës në drejtësi si, ndershmëria në sistem, i cili do të vetëpastrohet falë reformimit. Respektimi kritereve të njohura të karrierës, etj. Kur i dëgjon të gjithë këta objektiva të reformës në sistemin e drejtësisë, gjen arsye, motive dhe ndjeshmëri të besosh. Porse kur analizon se me cilat instrumente dhe me cilët persona dhe më tej akoma kur mendon se shumë ndryshime kërkojnë ndërhyrje deri në Kushtetutë, të cilët do të duhet të kryhen nga Parlamenti aktual i Republikës së Shqipërisë, atëherë të kap dyshim dhe thua nën zë: A është e mundur? E nëse mundet që të ndodhë, a janë kaq të përgjegjshëm dhe të tillë kurajozë këta politikanë, që së pari të thonë: Ne po e kryejmë këtë operacion, porse ne të parët do të ikim nga skena politike, sepse drejtësia e ditëve tona degjeneroi dhe u korruptua nën sytë dhe me bekimin tonë. Ja një shembull. Le të marrim prokurorin e përgjithshëm. Kur zoti Maksim Haxhia në hyrje të viteve 1990-të, akademik dhe jurist i shquar, në postin e Prokurorit të Përgjithshëm pikasi se “Shqiponja Demokratike” shpinte naftë në Serbi dhe donte të vepronte sipas ligjit, parlamenti po me këta deputetë që janë sot (shumica dërmuese) e shkarkuan dhe i bënin presion se do ta dënonin me burg. Erdhi pas tij prokurori Alush Dragoshi. Ai u vu nën trysni dhe arrestoi kreun e opozitës së asaj kohe, Fatos Nanon. Pastaj humbi pa nam dhe nishan. Sot as nuk e dimë se ku ndodhet. Vjen zoti Arben Rakipi që kapi fijet e trafiqeve të ministrave socialistë. Ndodhi ajo që nuk mund të imagjinohej. Socialistë dhe demokratë bashkë në parlament bashkuan votat dhe e shkarkuan. Ai fitoi gjyqin në Gjykatën Kushtetuese, por nuk e kthyen në punë. Pas tij erdhi zoti Theodhori Sollaku, fillimisht në zenit e më tej akuzat “ai fle mbi dosjet e korrupsionit”, ishin fjalët e së njëjtës gojë dhe parlamenti e largoi. Pastaj u gjend Silvia Konti-Ina Rama, porse pasi ndodhi Gërdeci dhe 21 Janari, ajo fyhet publikisht nga kryeministri vendit, zoti Sali Berisha, si “lavire bulevardi” dhe ajo ikën nga skena. Vjen zoti Adriatik Llalla, porse ai ka mandat të pakufizuar, ka shumë pushtet ndaj duhet të kryhen ndryshime që ai të largohet dhe historia vazhdon. Le ta thjeshtojmë problematikën.
Gjyqtarët, a janë gati të dënojnë kolegët e tyre të sistemit të drejtësisë si të korruptuar, me qëllim që të shpëtojnë sistemin dhe shoqërinë në tërësi?! A ka prokurorë shqiptarë që do të arrestojnë kryeministrat e korruptuar të Shqipërisë? Këtu fillon ndryshimi, i cili para se të jetë reformim, duhet të jetë spastrim!

Botuar dje ne Gazeta Shqiptare, PK 31 Tetor 2015

Share: