Nga Lavderim Lita
Në një nga levat ndikuese të Bashkimit Europian mbi vendet kandidate është vetë procesi i aderimit që fillon me çeljen e negociatave dhe mbylljen e tyre. Pas hyrjes në BE, fuqia e saj për të ndikuar në dinamikat e brendshme të një vendi antar reduktohet shumë dhe kjo justifikon në një farë mase aktivimin e delegacioneve të BE-së në këtë fazë para aderimi. Këtë fakt e tregoi mirë rasti i Rumanisë, ku ministrja Monika Makovei, e angazhuar për të reformuar sistemin e drejtësisë u shkarkua pas aderimit, apo rasti i Kroacisë ku fill pas aderimit në BE, qeveria kroate kërkoi të kufizonte mandatin e arrestit europian për të shpëtuar nga burgu Josip Perkovic, ish-drejtorin e shërbimit sekret kroat gjatë Jugosllavisë.
Eksperienca e BE-së me vende si Rumania, Bullgaria apo së fundi edhe Kroacia, ka bërë që BE-ja të ndryshojë në strategjinë e zgjerimit renditjen e kapitujve negociues, pra, të fillojë me kapituj 23 dhe 24 që janë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në qoftë se vendet anëtare nuk tregojnë progres në lidhje me këta kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht. Një ndryshim tjetër është se nga vendi kandidat pritet që para se të anëtarësohet në BE të përmirësoj qeverisjen ekonomike dhe fuqinë konkurruese. Dhe qasja e tretë është përforcimi i institucioneve demokratike të vendit kandidat për në BE.
Mirëpo nëse shikon sesi janë sistemet e drejtësisë të vendeve të rajonit e kupton fare lehtë se do të jetë e vështirë të hedhin hapa të reja në drejtim të integrimit në BE. Në Shqipëri, edhe pse nuk flitet për çelje negociatash as për negocim kapitujsh 23 dhe 24, reforma në drejtësi dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë bërë çështje publike të një rëndësie parësore, kjo falë edhe 5 kërkesave të BE për hapjen e negociatave. Në fakt, reforma e sapo nisur e drejtësisë kanë hyrë në një rrugë të pashkelur më parë dhe befasia do të jetë nëse do të mbërrijë apo jo në destinacion. Me gjithë angazhimin e delegacionit të BE-së në Tiranë, partitë politike akuzojnë njëra ”“tjetrën për kapje të sistemit të drejtësisë dhe dëshmojnë një mungesë serioziteti në trajtimin e çështjeve juridike pa praninë e presidentit të Republikës.
Fqinji i Shqipërisë, Mali i Zi vazhdon të kritikohet nga ana e Brukselit zyrtar në lidhje me kapitujt e 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Mungesa e drejtësisë në vend ka nxjerrë në shesh mijëra qytetarë që protestojnë kundër një sistemi të dështuar gjyqësor, që më shumë jep padrejtësi sesa drejtësi.
Në Maqedoni, kriza e sistemit të drejtësisë ka bërë që vendi të hyjë në një konflikt politik që jep efekt negative edhe sot e kësaj dite. Këto ditë në Shkup po diskutohet për një prokuror special që do të hetojë qeverinë për 20 mijë përgjime të paligjshme, ku brenda saj mund të ketë edhe diplomatë të huaj! Për negocim të kapitujve 23 dhe 24 as që bëhet fjalë. Pritet të shihet sesa e zezë janë faqet e progres-raportit për sistemin e drejtësisë.
Në Serbi, negociatat e anëtarësimit nuk janë të njëtjta si në në vendet e tjera. Kapitulli 35 për Çështje të tjera (ku bëjnë pjesë marrëdhëniet e pazgjidhura me Kosovën dhe Kroacinë), do të jetë veçanërisht i rëndësishëm në negociata, si kapitujt 23 dhe 24, në lidhje me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, e cila do të duhet të hapet në fillim të negociatave, dhe të mbetet e hapur deri në fund.
Në garën për anëtarësim në BE në rajon ndodhet Bosnja dhe Kosova. Në Bosnje-Hercegovinë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike dhe dështimit të zbatimit të disa reformave ka bërë që procesi i anëtarësimit të këtij vendi të jetë në vend numëro. Në Kosovë negociatat për liberalizimin vizave që vazhdojnë prej dy vitesh me BE dhe marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2016 do të jetë hapat e para zyrtare në drejtim të anëtarësimit. Vonesat në ngritjen e Gjykatës Speciale dhe jo normaliteti politik rrezikon të minojë të ardhmen evropiane të Kosovës.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: procesi i integrimit europian është një fuqi transformuese që do të nxjerrë nga bataku sistemet e drejtësisë të korruptuara dhe të padrejta të rajonit.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.