Home KRYESORE SA MË SHUMË IA SHTRËNGON LITARIN PAS QAFE POPULLIT, AQ MË PAK...

SA MË SHUMË IA SHTRËNGON LITARIN PAS QAFE POPULLIT, AQ MË PAK NXJERR ZË

Nga Zamira Cavo

Kjo është filozofia e diktatorëve. Të shtrëngosh rripin e popullit për të mos i lënë asnjë hapësirë që ai të merret me politikën e shtetit. Në këtë mënyrë, pushtetarët mund të bëjnë parajsën mbi kurrizin e kësaj turme që e quajnë popull vetëm në parada televizive. Kështu ka ndodhur dhe në këtë Shqipërinë tonë. Madje kështu vazhdon të ndodhë! Populli shihet si ajo lopa që, edhe pse nga dobësia mezi e mbajnë këmbët sërish, vazhdon të nduket nga pronari barbar. Dhe kur nuk ke bukë të hash, kur dikush të jep një lëmoshë për të mbajtur frymën, nuk të hyn në sy as politika e as politikanët. Ti rri aty me revoltën tënde dhe me frikën që, nëse revoltohesh, e humbet fare atë kafshatë që mezi e siguron. Një pjese tenton të iki nga sytë këmbët. Të tjerët presin… me shpresën që fiket dita-ditës. Dikush mund të thotë se kështu ndodh gjithnjë me popujt. JO! Nuk është e vërtetë. Kur popujt kanë respekt për veten e tyre, kur i kanë sytë hapur, nuk lejojnë t’u hidhet laku në qafë! Por nëse ndodh, gjithnjë janë gjetur në histori elita të shëndetshme që ia kanë rritur guximin për të prerë litarin.

Por le ta analizojmë situatën tonë.

Në këndvështrimin tim, situata ekonomike nuk po njeh dritë jeshile, madje për nivelet familjare drita e kuqe ka kohë që është ndezur. Vizioni qeverisës për ekonominë duket inekzistent. Për shkak të informalitetit të lartë të trashëguar vendi sot përballet me një sfidë që duket dykatëshe: nga njëra anë, nevojën për të bërë Shtetin të funksionojë dhe, nga ana tjetër, gjendja e mjeruar ekonomike e vendit, e cila nuk favorizon të parën. Aftësia e një qeverisje të mirë është pikërisht gjetja e rrugëve për të inkurajuar ekonominë për të hapur vende pune, me synim mbajtjen e një ekuilibri në jetesën e popullit. Sigurisht që të bësh shtetin të funksionojë në një vend të varfër, kur ekonomia në një pjesë të madhe të saj është gati-gati natyrore, kur individi prodhon për të konsumuar më shumë vetë se sa shet, kur shet për të ngrënë kafshatën e përditshme, mendoj se detyra e parë e shtetit është të bëjë të funksionojnë sektorët publikë. Të paktën arsimi, shëndetësia, ndihma ekonomike, hapja e vendeve të punës me synim lehtësimin e gjendjes së masës së madhe të popullsisë. Por ç’po ndodh realisht? As arsimi, as shëndetësia, e as një sektor tjetër nuk po i shërben synimit. Dhe sikur të mos mjaftojnë këto, na del “burgu” në plan të parë. Po a do mund të burgoset dot një popull? Kjo tregon se qeverisja nuk ka asnjë vizion real. Madje, hera-herës, shtyhem të mendoj se kjo qeverisje është ndoshta më e djathta që kemi pasur, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Thua se jemi një vend me zhvillim të lartë ekonomik ku evazioni fiskal ka mbetur të bëhet ose shumë i sofistikuar ose nga individi më i ulët i kësaj shoqërie. Politikat ekonomike të qeverisjes janë pothuaj të dështuara për sa kohë që nuk ka asnjë masë që të më dëshmojë mua si qytetare se në një rast krize, bankat shqiptare janë të mbrojtura nga ç’mund të ndodhë. Pasuritë kombëtare i kemi lënë tërësisht në duart e të huajve ashtu si dhe bankat. Pra ekonomia është në një kolaps dhe ndonjë strategji se si do dilet nga kjo gjendje nuk po duket. Të paktën publikisht. Por shteti nuk jeton dot pa taksa ndaj i është “vërsulur” biznesit të vogël e të mesëm, madje dhe shitësve ambulantë, të cilët shesin për kafshatën e ditës. Këtyre po ua shtrëngojnë litarin çdo ditë. Po deri kur? Legalizimi i ekonomisë është vetëm njëra anë e medaljes, tjetra është nxitja e zhvillimit ekonomik, e punësimit, e rritjes së mirëqenies. Por shteti “njeh” vetëm rrugën e parë: Shtrëngimin e litarit në qafën e popullit! Është një perceptim mbarëpopullor sot se në Shqipëri bëjnë “hajër” vetëm bizneset e politikës ose ato të lidhura me krimin. Biznesi i ndershëm falimenton. Unë e gjykoj si një perceptim shumë afër së vërtetës përderisa shohim çdo ditë sesi pasurohen disa dhe varfërohen shumica. Dhe kur them shumica e kam fjalën edhe për shtresën e mesme që mezi po ravijëzohej. Pra litari po shtrëngohet. E keqja është se këto biznese të dyshimta kanë sot influencën maksimale në politikën e ditës.

Në fushën politike, situata duket edhe më tragjikomike. Çdo ditë në ekrane luan teatër politika e ditës. Njerëzit e gjorë dëgjojnë, komentojnë, revoltohen sipas lajmit që dëgjojnë, por më tej brenda javës ndodhin “çudira” shqiptare: armiku bëhet mik, hajduti bëhet prokuror dhe djalli na shitet si engjëll. Dhe sërish populli hesht. Por nuk është budalla. Të pakën unë kështu shpresoj. Por realiteti më tregon të kundërtën; sapo mediatikisht hidhet një shashkë apo plaset një aferë korruptive, i lihet popullit si “kockë” që të “lëpihet” për një javë me të e të mos shohë hallet e ditës. Vëmendja mediatike shpërngulet sa në një cep të politikës në tjetrin. Dhe populli hesht. Sigurisht është vështirë të ulërasësh me litar pas qafe.

Opozita, nga ana tjetër, po dëshmon se nuk ka gjetur ende as moralin e as idenë rreth së cilës do duhej t’i mbante të bashkuar shqiptarët. Jemi lodhur në 25 vjet beteja vetëm politike. Sot është detyra jonë t’u flasim pa u lodhur njerëzve që të “luftojnë” për jetën e tyre.

Share: