Home KRYESORE Shoqëria nën efektin e eutanazisë

Shoqëria nën efektin e eutanazisë

Njerëzit e duan jetën, përpiqen të marrin më të mirën prej saj, të jenë në përputhje dhe në harmoni me Zotin dhe natyrën, po shpesh të ndodhur në udhëkryqe, në situatat ekstreme pa rrugdalje lusin vdekjen, “dashurohen me vdekjen!”. Jo vetëm në rrethana të caktuara shëndetësore, por edhe ekonomike, familjare, sociale, etj. Kjo është kaq e trishtë por e vërtetë, një realitet i prekshëm, diçka që buron jo vetëm nga e tashmja por edhe nga e shkuara!… Vetvetiu në këtë arsyetim të vjen ndërmend termi aq shumë i diskutuar “Eutanazia!”…Eutanazia përcaktohet si vdekje me dëshirë, kërkesë që njeriu i pamundur që lëngon prej vitesh në shtrat pa shpresë shërimi, ua drejton në radhë të parë institucioneve shëndetësore por edhe të afërmve të tij…

Pra, ajo konsiderohet si një lloj çlirimi, një lloj paqeje e munguar, si një nevojë dhe e drejtë e individit për të bërë zgjedhjen që i duket më e natyrshme. Thënë shkurt, subjekti i ndodhur në kushte më ekstreme të ekzistencës e ka marrë prej kohësh vendimin e vështirë për t’u larguar nga kjo botë materiale dhe kërkon ndihmën dhe miratimin e shoqërisë. A duhet marrë në konsideratë kjo kërkesë, kjo thirrje për ndihmë?… A është e moralshme?.. A është humane?…Ka një diskutim të gjerë në lidhje më këtë fenomen, zëra pro dhe kundër, shtete që e aplikojnë por dhe që e kundërshtojnë, pika takimi, ndarjeje, këndvështrime nga më të ndryshmet.

Nga pikpamja fetare njeriu e ka të ndaluar të largohet vullnetarisht nga jeta, pasi ajo është dhuratë e zotit dhe vetëm ai ka të drejtën të na i marrë atë. Nga pikpamja natyrore spektri është më i gjerë, më i larmishëm dhe mundësitë janë pesëdhjetë me pesëdhjetë. Në speciet e ndryshme të kafshëve, shpendëve, etj, njihet procesi i seleksionimit të të dobtëve, të cilët mund t’i bëhen barrë tufës dhe të pamundësojnë ekzistencën e saj; pra në mënyrë instiktive sakrifikohet individi i sëmurë për grupin, pjesa në favor të së tërës. Kjo duket mjaft racionale dhe produktive, por kur vjen puna tek njerëzit, problemi paraqitet më i ndërlikuar, hyjnë në lojë qasje, mendime, mekanizma sociale që preferojnë ta shndërrojnë privatësinë në çështje të një gjykimi më të gjerë, dhe t’i japin gjithë vëmëndjen, peshën dhe ligjitimitetin vendimarrjes. Pra ti je vetvetja, uni yt, por nuk ke të drejtë dhe kontroll të plotë mbi të; jeta jote të përket ty po aq sa edhe të tjerëve; nuk ke pronësinë jo vetëm mbi kurmin por as mbi ndjenjat, emocionet, mendimet e tua. Je lidhur këmbë e duar me njëmijë shkaqe, arsye, gjasa; me një zinxhirë nyjesh, hallkash të pasosura që duke i tërhequr zvarrë të depërtojnë mishin edhe ashtin. Bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët, nëna, babai, motrat, vëllezërit, të afërmit, shteti, institucionet, shoqatat, janë barriera që të ngrihen ngado, dhe bëjnë të pavlefshëm vendimin tënd ekstrem.

Pikërisht këtu qëndron dhe pardoksi më i madh, midis nevojës për të qënë i pranishëm, blatimit apo manifestimit të një lloj dashurie kolektive në çaste të rënda fatkeqësish ( je i yni!), dhe një lloj shpërfilljeje, fryme dekurajimi, abandonimi në kushtet normale. Thonë se njeriu për njeriun është ujk, kështu ka qënë gjithmonë, por tani beteja e ujqërve “njerëz” është bërë më e kamufluar, më prapashpinëse, më e sofistikuar. Janë prishur jo vetëm balancat, relacionet shoqërore por edhe familjare dhe kohezioni, uniteti, mirëkuptimi janë bërë terma gjithmonë e më të debatueshëm. Shoqëria njerëzore aq sa duket sikur kërkon të njësohet, të ndreq mekanizmin e saj rregullator, “të globalizohet”, aq më shumë po bëhet apatike, e pasigurtë dhe po shkon drejt ndarjes.

ùKeqdashja, cinizmi, hipokrizia, intriga, shfrytëzimi dhe shtypja, blasfemizmi dhe përdhosja e tjetrit, e kanë kaluar njëqindfish përballjen me vështirësitë dhe me forcat madhore të natyrës. Jeta po bëhet gjithmonë e më tepër një pafundësi sfidash, kokëçarjesh, situatash ekstreme, paradoksale, ku ti duhet të shikosh para dhe prapa, majtas dhe djathtas, lart edhe posht, t’i ruhesh armikut por edhe atij që e ke në krahë dhe e konsideron mik, sepse gjithmonë ekziston mundësia e së papriturës. Lakmia për gjënë e tjerit, nevoja për influenca dhe dominim, përpunon dhe vë në zbatim strategji të errëta. Pasi të kanë nxjerrë nokaut duke përdorur çdo dinakëri, çdo mjet, të kanë dhënë atë goditjen fatale, ku ti përngjan me një kufomë të pakallur, të gjithë ata që kanë qënë pjesë e sulmit, në kor guxojnë të këndojnë uvertura për simfoninë e luleve dhe thellësive blu të detit. Ata të deklarojnë së fundmi se për ta je i shtrenjtë dhe i pazëvendësueshëm! Kjo nuk është dhimbsuri, nuk është humanizëm, jo! Ata lypin një vdekje tënden të ngadaltë, të përditshme, sepse u pëlqen shuarja e paqtë e flakës së qiririt, luhatja e hijes së tij të stërgjatur mureve të ftohta, me lagështirë të dhomës ku je ngujuar; ata duan ta shijojnë spektaklin deri në fund! Këtë e konsiderojnë progres, lumturi!…

Në skenarin e tyre ata të kanë caktuar një rol dhe ti nuk duhet t’i zhgënjesh!…Ky është një lloj teatri absurd, ku ti je sa aktor dhe spektator, një lloj teatri shëtitës, karroca e të cilit tërhiqet zvarrë nga kuaj të lodhur, të djersitur, kockë dhe lëkurë, që teksa kërkon të shes artin e vet me pjesë të zgjedhura klasike, më tepër se simpatinë, falenderimin për mesazhin që përcjell, kënaqësinë estetike, të ngjall një lloj kureshtjeje, keqardhjeje, mëshire, një ndjesi të thellë, përvuajtëse mbijetese. Nëse në aktin e fundit dikujt i shkrep ashtu vetvetiu t’ia heq vetes me një plumb, me shiring cianuri, apo me varje në litar, kush e ka të drejtën ta ndaloj(!!)… Ju asnjëherë nuk u përpoqët për jetën e tij, por vetëm për vdekjen, e bëtë të mallkonte ditën,vendin ku kishte lindur!…Atëherë përse thoni se u vjen keq?! …

Eutanazia mund të jetë një goxha zgjidhje!… Njeriu nga natyra është burracak, ka frikë nga e panjohura dhe frika shpesh e bën të padrejtë, mizor. Vdekja për të është një akt i dhimbshëm ndarjeje, shkatërrimi, harrimi dhe përpiqet ta shtyjë sa më larg në parafytyrim, ta bëj sa të mund të pandjeshme, të paqenësishme. Është si një lojë pasqyrash, vezullim reflekesh, dritë hijesh mëngjezore, ku objekti i vërtetë manipulohet dhe imazhi zëvendëson realitetin. Pak janë ata që kanë guximin dhe kurajon ta shohin realitetin në sy. Sepse edhe për të vdekur duhet kurajo, vetdije, jo gjithkush mundet ta bëj! Vdekjes i kanë kënduar poetët e mëdhenj, sepse ajo nuk i përket kësaj bote dhe s’mund të jetë atribut i njerëzve të zakonshëm… Por ju thoni se ende nuk ka ardhur koha për një gjest të tillë dhe juve e quani veten zota (!.!)… Ju me sa duket akoma nuk e keni kuptuar se shpresa e shuar dhe besimi i vrarë janë eutanazia që është derdhur në damarët tanë pandërprerë dhe efektin e saj ne si shoqëri po e ndjejmë dhe përjetojmë dita ditës

 Nga Luan Kurti

Share: