Nga Mimoza Kociu
As këtë vit, askush nuk kishte pritshmëri se me raportin e dytë të progresit të Shqipërisë, qëkur vendi ka marrë statusin e vendit kandidat, Bashkimi Europian do na hapte negociatat e antarësimit. Këtë nuk e besonte as vetë opozita, që bëri detyrën duke e shpallur si dështimi i rradhës i kësaj qeverie. Nuk e kishin këtë pritshmëri as mediat, që e përcollën si zhvillim rutinë të ditës. Moderatorë e gazetarë, nuk u ngutën të gjenin të ftuar për studio a panele televizive për të diskutuar mbi gjetjet në 81 faqet e progres raportit të këtij viti, 14 faqe më shumë se vitin e kaluar. Me raportin e 2015, u mbush plot një dekadë që zyrtarët e Bashkimit Europian monitorojnë përparimin e Shqipërisë. As këtë herë, Shqipëria nuk është gati të hapë negociatat për antarësim në BE. Ky është një realitet i gjithëpranuar, e prandaj ky raport i dhjetë i Brukselit nuk pati as efekt publik. Edhe kryeministri do ta kishte shmangur nëse do mundej, por Bashkimi Europian ka krijuar një traditë tashmë me ambasadorët e vet. Ata ua dorëzojnë fizikisht kopjen e progres raportit udhëheqësve kryesorë në vend, duke imponuar edhe një vlerësim publik prej tyre.
E kryeministri bëri atë që di të bëjë shumëmirë: të shohë vec suksese edhe aty ku ato shkruhen e zezë mbi të bardhë si tejet modeste. E bëri këtë teksa në krah kishte ambasadoren e BE-së, që jeton e punon në Tiranë, fizikisht jo shumë larg zyrave të qeverisë. Por nëse raporti do kishte renditur suksese, përse vallë ato nuk u bënë objekt debati publik? Ta kemi të gjithë kaq zili apo zët kryeministrin sa të mos i njohim arritjet?
Në fakt gjetjet e progres raportit, për këdo që pati mundësi t’i lexonte me vëmendje, nuk sillnin dicka të panjohur a paevidentuar në realitetin shqiptar. Nëse kishte dicka të re a të papritur deri diku ishte gjuha shumë e kujdesshme e përdorur nga BE për t’i thënë cka kishte evidentuar, edhe pse është viti i dhjetë që e bën këtë monitorim të Shqipërisë.
Si zakonisht progres raporti bazohej në tre shtylla kryesore monitorimi: kriteri politik, kriteri ekonomik dhe aftësia për të përmbushur detyrimet e antarësimit në BE. Kjo e fundit është ndahet në 33 kapituj vlerësimi, që janë baza e ardhshme e negociatave, kur ato të hapen, për antarësimin. Dy kapitujt e fundit të paketës me 35 të tillë, përfshijnë “rregullat procedurale e institucionale të BE-së” dhe “cështje të tjera”, që negociohen në finalizim të procesit të antarësmit. Për pasojë nuk përfshihen në monitorim.
Kriteri politik dhe ai ekonomik janë baza e kritereve të Kopenhagenit, plotësimi i të cilave i hap të dritën jeshile cdo vendi aspirant për t’i hyrë procedurës për antarësim. Janë të rëndësishëm sepse lidhen me kapitujt 23 e 24, me të cilët nis hapja e negociatave të antarësimit të cdo vend kandidat. Janë respektivisht “Të drejtat themelore e gjyqësori” dhe “Drejtësia,liria e siguria”. Janë kapitujt që nxijnë më shumë, jo për herë të parë në një progres raport. Së pari konstatimi i përvitshëm për kulturën e ulët të dialogut politik në Shqipëri. Aq i zakonshëm është bërë ky konstatim, sa as skuq as zverdh njeri, e madje anashkalohet edhe si referencë. Por një befasi interesante ishte shmangia e termit “dekriminalizim” në progres raport, një proces për të cilin u impenjua vetë Parlamenti Europian vitin e kaluar. Që atëherë është folur shumë për nevojën e dekriminalizimit të politikës. Kryeministri e ka bërë publik mospëlqimin e vtij për këtë term. Cështje fati apo jo, ai term nuk ekzistonte në progres raport, por flitet për “keqbërës” në funksione publike, një rekord sidoqoftë për një vend kandidat i BE.
Shqipëria “ka një farë niveli përgatitor në..”, është refreni që alternohej me ” është modestisht e përgatitur për..” dhe ” është në një fazë të hershme të përgatitjes për…” për të vlerësuar fushat e monitoruara. Padyshim që me vlerësime të tilla, Shqipëria në fudn të 81 faqeve rezulton një nxënës i ngecur në klasën e parë, edhe pse ka 10 vjet që bën të njëjtat lëndë.
Nëse për situatënnë drejtësi, vlerësohet një reformë e nisur në parlament, nuk mungon konkludimi që përfshin politikën. “Funksionimi i sistemit gjyqësor vazhdon të ndikohet nga një shkallë e lartë politizimi dhe bashkëpunim i dobët ndërinstitucional”.
Sic pritej, korrupsioni mbetet thembra e Akilit e kësaj qeverie, që nuk mund të justifikohet vetëm me gjendjen e drejtësisë në Shqipëri.”Korrupsioni mbetet i përhapur gjerësisht në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një shkak shumë serioz për shqetësim” Njëlloj si vitin e kaluar në raport vërehet se nuk ka dënime të zyrtarëve të lartë, por vetëm atyre të mesëm e të ulët. Nga ana tjetër, edhe pse ka nënshkruar konventën e OKB-së kundër korrupsionit, Shqipëria ende nuk e quan vepër penale pasurimin e paligjshëm. E korrupsioni evientohet edhe tek policia që sipas raportit” mbetet e ndjeshme ndaj presionit politik dhe korrupsionit”, cka pengon hetimin efikas të rasteve të krimit të organizuar” Edhe arsimi mbetet një zonë me rrezik të lartë për korrupsion, thuhet në raport ndërsa ai ndikon edhe në klimëne biznesit.
Progres raporti i këtij viti, kishte një shuplakë të posacme për një nga premtimet më të bujshme të kësaj mazhorance në fushatën zgjedhore, punësimin. 56.6% e popullsisë në moshë pune ishin të papunë në vitin 2014, thuhet në raport, shifër pothuaj e pandryshuar nga viti 2013. Pra hapja e vendeve të puës vazhdon të mbetet një retorikë e bukur televizive, ndërsa ajo shifër shqetësuese i korrespondon trendit dominues që kanë shqiptarët për t’u larguar nga vendi. Përkundër justifikimit të kryeministrit se shqiptarët që largohen janë emigrantë në Greqi, Brukseli e ka marrë shumë më seriozisht këtë situatë. “Rritja alarmante e aplikimeve të pabaza për azil nga qytetarë shquptarë në vendet e BE, përbën një shqetësim serioz.” Ndërsa 200 mijë aplikuesit e llotarisë amerikane, që nuk pasqyrohen në progres raport, janë treguesi i brendshëm se si u duket qytetarëve e ardhmja në këtë vend.
Duhet pranuar se gjetjet e progres raportit nuk janë të panjohura, e mbase edhe gjuha tejet e kujdeshsme e përdorur nga Brukseli për të evidentuar problemet, nuk duhet të na cudisë. Teknikisht, Bashkimi Europian e kreu edhe për këtë vit “detyrimin” ndaj Shqipërisë, përgatitjen e progres raportit. Nëse gjuha e përdorur ishte tejet e kujdeshshme, konkluzioni ishte krejt i qartë. Edhe për disa kohë nuk do jemi gati për të hapur negociatat për antarësim, pasi nga klasa e parë, na duhet kohë për të marrë diplomën e maturës, sepse ngecemi tek lëndët kryesore, liritë dhe shteti së drejtës.
Shqetësuese është se ka një konformizëm të përgjithshëm me këtë vendnumëro të Shqipërisë. Vetë kryeministri na tha një ditë pas këtij raporti se “në dy vjet është bërë më shumë se c’është bërë në 20 e kususr vite”. Prej gati dy vjetësh e kemi statusin e vendit kandidat për shkak të arritjeve të 20 e kusur viteve, e jo të dy viteve të fundit. Atëherë pse nuk jemi më afër Bashkimit Europian? A na e ka fajin Brukseli për këtë vend numëro, apo për gjuhën tejet diplomatike që përdor duke mos i thënë gjërat troc?
Pavarësisht se si mund ta ndiejmë ne që jetojmë cdo ditë këtë realitet, që Brukseli na e përshkruan burokratikisht, duhet thënë se në aspektin teknik, BE-ja ka një teknikë të konsoliduar, që synon nxitjen e vendeve apsirante për t’iu bashkuar Unionit e jo dekurajimin e tyre. Për pasojë, lëvrimi i termave gjuhësorë për të motivuar një vend është një proces rutinor pune.
Ndërsa në aspektin praktik, nuk është detyra e Bashkimit Europian, t’u qajë hallin shqiptarëve se përse nuk bëjnë dot përpara. Ua kanë treguar rrugën, edhe modelet, madje duke kapërcyer kufijtë diplomatikë, për të hapur sytë shqiptarëve, se cilët po i përfaqësojë, por edhe dhënë kurajo mediave që të flasin hapur për cfarë ndodh në vend. A nuk e ka bërë këtë disa herë ambasadori amerikan, ambasadorja e BE-së, ambasadori gjerman e homologë të tjerë të tyre në Tiranë? A nuk po bëhen publike në media sistematikisht raste të abuzimeve me fonde publike e lidhje të zyrtarëve të lartë me krimin? A ka ndonjë reflektim për t’u shënuar për ndonjërin prej rasteve? E kundërta po ndodh me propozimin që kryeministri mësuam dje se paska cuar në Parlament për të kriminalizuar, atë që do konsiderohet shpifje ndaj zyrtarëve të lartë. Ky është jo vetëm një hap mprapa në liritë e individit në Shqipëri, por edhe tregues i vullnetit të errët, jo për të reflektuar pas abuzimeve të denoncuara, por për t’i mbyllur gojën me kërcënim me burg, kujdo që do guxojë të denoncojë raste që përfshijnë zyrtarë të lartë. E nëse kryeministri ka kurajon që t’i konsiderojë publikisht si “këneta mediatike” mediat e vendit të vet, e ardhmja duket akoma më e errët dhe rruga drejt Bashkimit Europian shumë më e gjatë.