Nga Spartak Ngjela
Cilët godet realisht procesi i pyetjeve të gazetares amerikane?
Po Kryeministri shqiptar?
Sfida e madhe e gazetares të Zerit të Amerikës duhet ta godasë sot shumë rëndë gazetarinë shqiptare. Si ka mundësi që ne ende nuk pyesim dot në nivelin që spikeria e Zërit të Amerikës pyeti eksponentin kryesotr të korrupsionit, abuzimit dhe krimit shqiptar?
Në fakt kjo është prapambetja jonë, në sensin e të kuptuarit të raportit midis gazetarit dhe historisë; pushtetarit dhe historisë; gjyqtarit dhe historisë; dhe intelektualit dhe historisë. Që të gjithë këta, kush më shumë dhe kush më pak, nuk e kuptojnë dot raportin e drejtë që kanë me historinë, sepse nuk e kanë koshiencën apo vetëdijen e historisë.
Pushtetari e di se historia i ka kërkuar vetëm një gjë: të pasurohet me paratë e shtetit, domethënë të shqiptarëve. Gazetari e di se historia është një përrallë që nuk e kap atë, sepse nuk e di farë se cila është përgjegjësia e tij kundrejt te vërtëtës dhe vetë shoqërisë se cilës i shkruan. Gjyqtari shqiptar as që mund t’i shkojë fare ndërmend kjo që shpreha më lart; kurse intelektuali shqiptar ende ka frikë. Të gjitha këto, vijnë dhe vihen në relacion më atë që tregoi gazetarja amerikano-shqiptare me pyetjet që i bëri korrupsionit dhe krimit shqiptar. Krimi u xhindos, dhe harroi se ato që kërkonte gazetarja, ishin kërkesa të superfuqisë, e cila është partneri dhe mbrojtësi kryesor i jetës së shqiptarëve si kolektiv, si komunitet dhe si popull i kërcënuar me shekuj për t’u asgjësuar nga kundërshtarët e vet.
E ku do t’ia dijë Meta për këtë fakt! Po gazetarët, kështu do vijojnë? Nuk e di…por pyetja kryesore duhet t’i drejtohet Kryeministrit shqiptar: zoti Kryeministër, edhe pas asaj që dëgjove te Zëri i Amerikës, do të vijosh të mbash të lidhur aleancën për pushtet me simbolin e korrupsionit dhe krimit aktual shqiptar: Ilir Metën? Në fakt ky është testi për ty dhe për partinë që përfaqëson, në lidhje me moralitetin dhe përgjegjshmërinë kundrejt shqiptarëve që të kanë dhënë votën.
Shqiptarët kurrë nuk mund të konfliktohen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si politikë dhe si qytetarim, si partnership dhe si konceptualizim i të ardhmes së tyre të sigurt, për një injorant të korruptuar si Ilir Meta, dhe për një kryeministër që kërkon t’i shmanget autoritetit amerikan, I cili është ndihmuesi kryesor në prosperitetin shqiptar. Zgjidh dhe merr, zoti Kryeministër, ose me shqiptarët ose kundër tyre. Segmentin kohor për të zgjedhur e ke shume të vogël. Dhe pyete veten: pse heshti Saliu për Zërin e Amerikës kundër Metës? Sepse nuk e dëshiron eliminimin e korrupsionit në Shqipëri, ngaqë është i përfshirë në korrupsion edhe vetë si grup, e jo vetëm si individ.