Nga Emin Azemi
Përgjigjen e kësaj pyetjej po mundohem ta kuptoj në një panel televiziv (tv 21, klik plus), dhe më i thirur ta spjegoj këtë çështje qenka një ”taksiratli” i LSDM-së që edhepse po flet shqip, në fakt s’po thotë asgjë. Interesante janë këto shkollat politike në Ballkan, ku njerëzit stërviten më tepër të flasin për të mos thënë asgjë, në mënyrë që njerëzit të jetojnë me dilema dhe në fund të mos mund të bëjnë kurrfarë zgjedhjeje. Mos qofsh në lëkurën e këtij shqiptarit të LSDM-së, sepse atij i duhet të amortizoj opinionet negative të shqiptarëve për politikat e LSDM-së në të kaluarën, por edhe të dëshmoj se partia e tij aktualisht, megjithatë, është ndryshe nga VMRO sa i përket shqiptarëve.
Ndonëse konfuz dhe disi i shpërqendruar, ai arriti të na thotë me pak fjalë se LSDM ende nuk ka ndonjë strategji konkrete se si do ti zgjidh raportet me shqiptarët dhe kjo ma përkujtoi atmosferën në prag të mitingut të madh të LSDM në Shkup vitin e kaluar, kur jo pak përfaqësues të shoqërisë shqiptare sikur pritnin ndonjë mrekulli nga kjo parti opozitare maqedonase sa i përket zgjidhjes së disa nyjeve që mbanin mbërthyer raportet me shqiptarët.
E kuptoj politikën e LSDM-së kundruall shqiptarëve, mirëpo nuk e kuptoj një shqipfolës pse është i detyruar të bëjë avokatinë e kësaj politike, kur që në fillim po shihet se ai aty më tepër është një kukull, se sa ndonjë përfaqësues i denjë i interesave shqiptare… Nuk do ta thosha këtë mendim tash, sikur të mos më kujtohej egzaltimi i disa të ashtuquajturve analistë shqipfolës të cilët një kohë për pak sa nuk na bindën se LSDM është alternativa e vetme ku mund të adresohen problemet e pazgjidhura shhqiptare, kurse këtë far kukullën që flet shqip të LSDM-së disa media në Tiranë e Prishtinë për pak nuk e patën shpall një mesi që ua sjell shqiptarëve si me shkop magjik barazinë kombëtare.
Është e mjerueshme se deri ku ka shku budallallëku i kësaj mendësie inferiore që më tepër shpenzon energji se si t’i bëhet ndonjë argat pa pare LSDM-së, se sa të hedhin një gurë të vogël në ngrehinën e pangritur të opzitarizmit shqiptar.
Përderisa është kështu, nuk duhet patur kurrfarë dileme se dallimi i VMRO-së dhe LSDMës në raport me shqiptarët qëndron vetëm në ideologjitë e tyre dhe secila në mënyrën e vet arrin të prolongojë pikërisht ato çështje që avancojnë statsusin e shqiptarëve. Prandaj është koha që shqiptarët t’iu kthehen partive të tyre dhe të kërkojnë me ngul nga ato të jenë reprezentuese të denja të interesave të shqiptarëve. Çdo iluzion tjetër që krijon përshtypje të rrejshme për gjoja dashamirësinë e partive maqedone kundrejt shqiptarëve, duhet të na shërbej si shkollë politike që na mëson të dallojmë demagogjinë prej vizionit, multietnicizmin e rrejshëm prej bashkëjetesës së sinqert, shqipfolësit e partive maqedone prej politikanëve të ndershëm shqiptar etj. etj