Nga Rregjina Gokaj
Që të provohet se Martin Camaj është ende një thesar i pazbuluar tërësisht mjafton ta matim me një titull se sa njihet ai nga një masë e gjerë e brezave të rinj që merren apo studiojnë letërsinë shqipe. Arsyet e njohjes së pjesshme të autorit dhe perlës krijuese që na la, janë të shumta.
Na duhet të pranojmë me zë të lartë e turp të madh se një pjesë e maturanteve të këtyre brezave njohin emra autorësh por jo veprën e tyre, shumë shumë arrijnë deri tek titujt, por kontakti me leximin dhe kontakti me veprën po bie nën nivelin zero. Për të mos thënë pastaj që leximi i “letërsisë” bëhet përmes rrjeteve sociale, ku gjejmë ndonjë pseudo poet a prozator që shkëput për hatër të ndjekësve diçka nga krijimtaria e vet. Më pas lexuesi ”˜online’ vërshon me një lumë lëvdatash dhe përjetimesh personale emocionale në komentet e faqes së autorit; një larmi epitetesh pozitive ledhaton ndjenjën e tij krijuese dhe i forcon besimin të vazhdojë i patundur në rrugën e nisur me ide të reja dhe me receta si të gatuajë krijimin e radhës sipas shijes së lexuesit, e të tjera si këto. Kështu po kultivohet shija artistike e rinisë sonë, asaj pjese të vogël që mund t’i shijojë akoma leximi, qoftë edhe ai elektronik.
Që të mos endemi shumë jashtë objektit të këtij shkrimi, po i rikthehem Martin Camajt. Për fatin jo të mirë tonin dhe tijin, ai nuk jeton më. Kështu që lexuesi ”˜online’ nuk di si ta gjejë e ta lexojë. Por jo për këtë arsye, shkrimtarit po i japin shumë hapësirë këtë vit i cili përkon me 90 vjetorin e lindjes së tij. Kush më mirë se qyteti i Shkodrës mund t’ia bëjë këtë nder veprës së tij? Në nderim të figurës së tij, Shkodra si djep i kulturës që përkundet herë embël e herë idhët nga përcaktimet që i rezervon fati, përuroi shtatoren e tij nën kujdesin e Shoqatës Dukagjini, si dhe në Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” mbajti një konferencë shkencore monotematike: “Martin Camaj – letërsia tjetër”. Studiues të ndryshëm u paraqitën në këtë aktivitet shkencor dhe ngjallën interes edhe për lexuesin, aty ku rreh shqetësimi im. Nëse më lart folëm për poezi e prozë në rrjete sociale, drama e ka terrenin më të vështirë për një kategori të tillë, por ama më të sigurt për ata që nuk lexojnë veprën.
Teatri Migjeni, në fakt, ka menduar edhe për “dembelët” e leximit duke ia sjellë atyre veprën të gatshme me fjalët e autorit në gojën e aktorit. Për fatin tonë të mirë kemi akoma një elitë regjizorësh që nuk harrojnë të rivitalizojnë vlerat e munguara për shumë dekada të Camajt edhe në dramë, ku autori është më pak i njohur. Kjo ishte fjalia e deri para pak ditëve, kur shkrimi im nuk kishte marrë akoma trajtën përfundimtare të tij. Për fatin tonë jo të mirë, regjizori që solli Kandilin në teatër na la nën dritën e tij. Fatbardh Smaja nuk arriti të shohë premierën absolute të dramës socio-politike të Camajt, Kandili i Argjandit, as të marrë kënaqësinë e duartrokitjeve të ngrohta të publikut së bashku me trupën dhe konsulentin artistik, Stefan Çapaliku. Përlotja e Nanës, Rita Gjeka, ishte një parandjenjë e trishtë për çdo ditë të paskëtajme. Pavarësisht kësaj, drita verbuese e Kandilit të Argjandit, besoj se sot më fort se kurrë shndrit mes shkrimtarit dhe regjizorit: Camaj ”“ Smaja, në dykohësinë e vet të njëtrajtshme në kuptim.
“Kandili i argjandit” është një dramë social ”“ politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit, por nuk mund të justifikohet tërësisht arsyeja e mungesës së saj në skenë për dy dekada. Ama vlen për t’u theksuar se regjizori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e Kandilit të Argjandit në kohën më të volitshme të tij. Kandili, dritëpërÒ«uesi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, përmes lojës mjeshtërore të Rita Gjekës, Merita Smajës, Enver Hysenit dhe Agron Dizdarit, por jo vetëm, na jep tabllonë e frustrimit psikologjik që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist. Drama u shkruajt rreth viteve `50 por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash. Arsyet sociale dhe politike duket sikur po përsëriten. Mendoj dhe besoj se regjizori Smaja e ndjente veten të plotësuar me vënien e kësaj drame në skenë dhe puna e tij me aktorët e rinj që akoma kanë shumë rrugë për të fituar spektatorin elitar, është një nga meritat më të arrira të tij. Fatbardh Smaja i solli publikut dramën e Camajt. Ai e plotësoi misionin e tij. Publiku, apo lexuesi “dembel” i letërsisë, ka misionin e tij akoma të papërmbushur. Do të arrijë drita e Kandilit të ndriçojë mbi veprën e Camajt në tavolinat e studimit të brezave të rinj? Do të arrijë kujtimi i fundit i regjizorit Smaja të na ngjallë kureshtjen për t’u afruar me veprën?
Fjala është për ne, lexuesit “dembelë” dhe aktivë. Camaj dhe Smaja e thanë të vetën me dritën që sollën përmes Kandilit të Argjandit.