Home KRYESORE Filmi “Njeriu me Kamera”…

Filmi “Njeriu me Kamera”…

Nga Gresa Hasa

Njeriu me Kamera (1929), është një film pa histori mirëfilli ku mungojnë dialogjet sikurse aktorët. Pothuaj një gjysëm-dokumentari, publikut (një publiku të çfarëdoshëm anembanë botës), i komunikohet përmes imazheve jeta në Bashkimin Sovjetik e cila vjen e ndarë në dy sfera: atë personale (martesa, divorci, fëmijët) dhe atë publike (mënyra e të argëtuarit të gjindjes atëmot, forca punëtore, politika aktuale, etj.).

Një veçori që më bëri përshtypje gjatë filmit ishin montazhet simbolike dhe inteligjente të skenave që shërbenin si alegori mes përditshmërisë/botëkuptimit të individit dhe ritmit të jetës së qytetit.

Kontrastet luanin po ashtu rol të rëndësishëm: filmi nis me një endacak që zgjohet diku në një stol (prania e endacakut nën një sistem që supozohet t’i shërbejë të gjithëve në mënyrë të barabartë krijon parehati).

Njëkohësisht, diferencat mes klasës punëtore dhe [borgjezisë] së kohës janë mjaftueshëm të theksuara nëpërmjet portretizimit të stilit të jetesës së të dyja shtresave.

Filmi i kushton vëmendje (edhe pse minimale por të qenësishme) sensualitetit dhe erotikës (kurrizi i lakuriqtë i një vajze që mbërthen të brendshmet; gjoksi i bollshëm i një gruaje që ndjek ritmin e makinerisë me të cilën punon – fragmente fotografike të qafës së vajzave/grave; kaviljet e këtyre të fundit dhe të mbathurit e çorapeve si akti më dentifikues femëror brenda ekranit).

Procesin e lindjes së fëmijës personalisht e përktheva si shenjues të epokës së re që kish ngërthyer vendin – ku dhimbja e shpresa bëhen njësh. Në të njëjtën linjë, tentativa e vetëvrasjes së burrit në shinat e trenit reflektonte anën e kundërt të medaljes: mungesën e kësaj shprese, depresionin, izolimin.

Një tjetër element që ma tërhoqi vëmendjen ishte prania e kudondodhur e kameras, sidomos kur imazhi i aparatit shfaqej gjigand (më i madh se vetë njeriu pas tij – fundja, si aparati shtetëror i kohës përpara popullit) dhe vendosej me pamje nga salla, a thua se po monitoronte hapësirën e teatrit me njerëz brenda, çka e përktheva si reflektim ndaj mbikqyrjes alla “big brother” të shtetit të hekurt sovjetik. Edhe një lloj sarkazme/talljeje kjo e vetë autorit me shoqërinë e spektaklit vendas.

Në film shquhej edhe njëfarë fryme futuriste (loja/lëvizjet vetiu të kameras si një robot). Muzika pasandaj ishte shoqëruese e mirë e secilës skenë.

Shfrytëzimi i punëtorëve në miniera/fabrika (të krijohej përshtypja se njeriu ish kthyer në makineri apo se ai ishte tashmë një zgjatim i makinerive të kohës: skena e prodhimit të kutive të shisheve/produkteve të ndryshme) si dhe uniformiteti i tyre (njerëzit dukeshin krejt njëlloj, në veshje, në lumturinë e gënjeshtërt, në sjellje), vinin vizualisht me një saktësi gati gjuhësore: aq qartë qenë të shprehura.

Njeriu me Kamera është një film pa zë por që flet pastër mes imazheve. Në kuadër të kinemasë politike me Edon Qesarin tek Logu i Shkëndijës, ky punim mu duk tejet edukativ (jo vetëm për studentët). Pavarësisht që nuk e ndoqa diskutimin e mbajtur deri në fund dhe s’ia dola të merrja pjesë në të, disa përshtypje (pasi iu riktheva edhe njëherë filmit) vendosa t’i ndaja këtu pari. 🙂

Filmin mund ta shihni të plotë në YouTube: https://youtu.be/z97Pa0ICpn8

Share: