Home KRYESORE *Fusha e aviacionit…

*Fusha e aviacionit…

Nga Agim Pipa

Rënia e një avioni në qiellin turk sot në mëngjes, më kujtoi fëmijërinë. Jo, jo rënien e ndonjë avioni. Përkundraz, ngritjen e dhjetra avionëve, në fushën e vjetër të aviacionit këtu, në Tiranë. Ishte diçka më shumë se mesi I shekullit të kaluar dhe në Shqipëri, në sheshin e madh të Tiranës dhe në sheshe qytetesh të tjerë, të vegjël, ngriheshin flamuj të vendeve të Lindjes.

Rusët ishin me shumicë; pastaj rumunët, bullgarët, polakët, çekët, gjermanolindorët, hungarezët. Qëlloi një ditë, ndërsa ne kalajmajtë e bllokut pranë klubit “Partizani” po luanim në një lëndinë të vockël ndanë fushës gjigande të aviacionit, që një aeroplan bullgar hodhi disa parashuta të vogla mbushur me kartolina dhe me qeska karamelesh. Ne vraponim me duart lart, në ajër, të kapnim kush e kush më shumë.

Ndërsa një ditë tjetër, një avion super imadh, na kaloi thuajse ngjitur me kokat tona, duke bërë një zhurmë të llahtarshme. Ne, u trembëm dhe u shtrimë barkas, pa e kuptuar çfarë po ndodhte me atë avion budalla, që na kaloi si një stuhi gri mbi kokat tona vocrrake. Kur avioni u largua dhe ne menduam, se ai kishte mbërritur në aeroportin e vogël, ngritëm kokat dhe pamë, që ai nxirte flakë dhe tym nga bishti. U trembëm, sepse na shkoi mendja aty për aty, se mund të ishim djegur nga avioni, në rast se ai mund të ishte rrëzuar mbi ne, mbi fushën tonë të vogël të futbollit.

Ndërsa njëherë tjetër, ndërsa ne po grindeshim gjatë lojës, ishte apo nuk ishte gol një gjuajtje e Xhelos, tre aviatorë, veshur me kominoshe të trasha lëkure ngjyrë kafe, erdhën papritur mes nesh dhe folën, diçka si gjuhë heronjsh, na u duk dhe, pasi na fërkuan kokat, nisën të na pyesin për emrat. “Kak? Axhim? Halo? Ulli? Kak?…”

Pastaj, ata u ulën, nxorrën nga disa çanta të vogla fletore me ngjyra, lapsa po me ngjyra dhe, një prej tyre, zbrazi një qeskë të madhe, prej të cilave kërcyen njeri pas tjetrit tre topa llastiku dy ngjyrësh: të kuq dhe blu. O Zot, sa na ndritën sytë. Ishin topa të vërtetë, jo si ata tanët, llastik I djegur I nish gomës së Durrësit. Me kohë ne u mësuam me uljen e avionëve të vendeve mike.

Derisa dalngadalë ata filluan të rrallohen. Derisa një ditë, ata nuk u panë më. Fushën e aviacionit, ndërtuar sipas kallzimeve të pleqve të mëhallës, nga italianët e Luftës së Dytë Botërore, e pushtuan ushtarë trupmëdhenj, që mbanin në kokë helmeta të gjelbërta, veshur kokë e këmbë me kapota të trasha gri, me këpucë të rënda me qafa dhe me kallashnikovë, që u vareshin mbi gjokset e mëdhenj.

”Hajt, ikni. Nuk është fushë loje këtu. Hajt, ikni…marsh, marsh po ju themi…”

Ne iknim, me bishtin ndër shalë, duke kujtuar se vetëm pak muaj më parë, disa aviatorë të tjerë, që flisnin gjuhë të huaja, na përkëdhelnin dhe na qerasnin me karamele dhe me topa të bukur. Ndërsa këta, ishin të egër, të ashpër, mospërfillës, urdhërgjëmues.

Një ditë, pasi im atë ishte ngjeshur fort pas radios dhe kishte vënë veshin e dëgjonte një spiker, që fliste si nga fundi I botës ( ishte spikeri I Radio Londrës së asaj kohe Tajar Zavalani ) unë e pyeta atin tim: “Ç’…?” ” “Shshshshtttt…” ma preu shkurt. “Shqipëria është prishur me sovjetikët.”

Heshta, se nuk dija çtë bëja dhe nuk kuptova asgjë nga ato, që tha ai. Por, mbaj mend, që zëri I Zavalanit, që vinte si nga fundi I botës, më pëlqeu dhe sikur më premtoi: “Mos u mërzit bir… Së shpejti do të vijnë avionë të tjerë mbi fushën tuaj dhe ju do të keni sërish topa të vërtetë dhe do t’ju qerasin me qeska karamelesh, më të mira se ato “ Karamele Zana, vijnë nga Tirana…”

Vonë, shumë vonë, pas më shumë se 30 vjetësh, ata erdhën vërtet… Po ky avion rus, që u dogj sot në qiellin turk, ç’dreqin kishte bërë? Ç’faj? Kishte vrarë fëmijë? Po fëmijët, që e kanë parë të digjet lart në qiell, çfarë do të kenë fantazuar?”

Pyetje të vështira I bëra vehtes. Ndërkaq, një artiste idiote, vetëm dy ditë më parë, ishte nisur me një suitë vajzash dhe djemsh budallenj në Unazën e madhe të Tiranës, mbi disa vetura-taxi, veshur me burka të zeza alaISIS, për të xhiruar një videoklip këngësh “eremite”.

Aha, kohë delirantësh, kohë të çmendurish, mendova. Dhe mendja më shkoi sërish tek fusha e vjetër e aviacionit, që prej vitesh nuk është më, sepse ajo u bë “tokë e xanun” prej mijra njerëzish, që erdhën nga veriu, për një jetë më të mirë.

Nuk ka më fushë futbolli; nuk ka më fusha futbolli për fëmijët. Vendin e tyre, e kanë zënë lëpirëset e qiellit dhe hijet e pushtetarëve, më të zinj, se avioni rus, rrëzuar mbi qiellin e Turqisë. Sot, në mëngjes…

Share: