Home KRYESORE Futini në burg horrat! Ja ç’i kanë bërë Tiranës!

Futini në burg horrat! Ja ç’i kanë bërë Tiranës!

Nga Mentor Kikia

Shikojini këto foto. Eshtë një bllok pallatesh në Tiranë, pranë ish Kopshtit Botanik, që e hëngrën, e bënë beton. Një babëzi e pafre. Dhe babëzia ja çfarë prodhon.

Disa pallate po shemben, banorët që i kanë blerë me cmime si të ishin në Milano e Athinë, janë evakuar. Të shpëtojnë kokën të paktën. Pallatet janë ndërtuar më dendur se pemët e një pylli. Njeri prej atyre syresh ndërtues kishte hapur gropën, e prej tre vjetësh e kishte lënë ashtu. Shiu bëri të tijën dhe dherat rrëshqitën duke nxjerrë themelet e pallateve të tjera në dritë. Nuk është dashur shumë “mund”. Pallatet janë mbështetur sup më sup, aq denduar janë ndërtuar sa sot nuk futen dot as kamionët të sjellin material për të penguar erozionin.

Policia ka shpallur në kërkim ndërtuesin. Pijini lëngun edhe po e kapët! Por kush i ka dhënë lejen e ndërtimit për këtë katrahurë? Për ato pallate që po shemben, të tjerët pranë tyre dhe gropën që po u bën gropën qindra njerëzve tani. Kjo është tani zona “elitare” e Tiranës, që deri dje administrohej nga komuna Farkë. Nën drejtimin e një kryetari, 15 vjet në pushtet, kurora që rrethon Tiranën është sot një maskaradë, jo vetëm urbanistike, por edhe e rrezikshme tashmë. Nuk ka pse pritet reforma në drejtësi. Nëse ka një fije shtet në këtë palo vend, dërgojini në burg ata që kanë dhënë lejet për këtë geto të tmerrshme, mu bash në ballë të kryeqytetit. Të paktën të mos kapardisen, në kohën kur njerëzit që kanë blerë shtëpitë me kursimet e jetës bredhin nëpër hoteleve, e nesër nëpër çadra ndoshta.

Ps: foto eshte realizuar nga Arsen Rusta!

Share: