Nga Ilir Kalemaj
1. Të ndjekim më tepër art dhe kulturë, të lëçisim më shumë libra studimorë dhe artistikë, të shohim me tepër teatër dhe opera, të ketë më shumë diskutime intelektuale dhe klube letrare dhe më pak thashetheme mjerane dhe ndjekje të batutave të politikanëve pa tru dhe të shpëlarë.
2. Te kemi më shumë kohë për aktivitet fizik se sa të rrimë duhan-dredhur, pimë kafe dhe bëjmë llafe nga mëngjezi në darkë. Madje dhe punët e shtetit më shpesh kryhen në kafene se sa zyrë.
3. Të ketë më pak sekserë se sa punë-mbaruar.
4. Mos të ketë persona që paguajnë 3000 deri në 6000 euro për një vend pune që sjell të ardhura mujore 20-30 mijë lekë.
5. Te ketë më shumë njerëz që kanë dëshirë të bëhen specialistë njëherë para se të hipin në kolltukun e drejtorllëkut.
6. Kur të ashtuquajturit biznesmenë mos të lënë me vrap biznesin për politikën, si në Afrikë por t`u ngjajnë pak më tepër sivëllezërve të tyre perëndimorë.
7. Kur pronarët e dyqaneve, hoteleve, bareve dhe restoranteve mos ta shohin klientin që u vjen për herë të parë si dele që duhet rrjepur por t`i shërbejnë me korrektesë, pa hile dhe pa dyfishuar çmimin që t`u shkojë prapë.
8. Kur mjekët të kujtohen që ka betim Hipokrati përpara se premtim hipokriti dhe makutëri për para. Kjo vlen dhe për infermieret dhe sanitaret!
9. Kur gjyqtarët mos ta masin drejtësinë me peshën e portofolit të individit përballë por të kujtohen për kultin e perëndeshës romake Justicia dhe rëndësinë që ka pasur drejtësia nga qytetërimet më të hershme deri te ai perëndimor sot. Ku gjyqtari i paanshëm është garantuesi kryesor i demokracisë liberale.
10. Kur punonjësit e shtetit mos të sillen me fodullëkun dallkauk që i karakterizon rëndom por të reflektojnë që janë aty pikësëpari për të shërbyer kokëulur dhe se paguhen me taksat tona.
Kaq më erdhën ndër mend por ftoj miqtë të bëjnë plotësimet sipas rastit…