Nga Artan Fuga
Ditën e Pavarësisë, në Kosovë, arrestohet deputeti Albin Kurti. E mo mirë, edhe ajo një ditë si të gjitha të tjerat është, drejtësia e kulluar, si ajo e Kosovës, psh., që nuk lejon një miush sado i vogël t’i kalojë nën hundë, punon çdo ditë e orë të vitit.
Boll e kishin duruar “kriminelin” Albin Kurti! E dënuan sikur të kishte bërë krim penal, ndërsa ai në fakt ka bërë një “krim” politik. Së paku në dy plane, e para, kundërshton një vendim të Kuvendit të Kosovës dhe pengon marrjen e tij, e dyta përdor dhunë fizike në Kuvendin e Kosovës. Dënojeni mirë pra për krim politik!
Ai është një “kriminel politik” i zgjedhur me votën e lirë të popullit të Kosovës.
Por, harrohet një gjë fare e vogël. Ai dhe miqtë e tij janë votuar nga elektorati dhe për atë “krim” politik duhet me fut gjithë elektoratin në hapsanën e lënë trashëgim nga Titua. Fundja Kosova, do a nuk do, me infrastrukturën e “Dërzhavës” vazhdon të funksionojë.
Por, Albin Kurti është deputet. Ai mund të ndëshkohet si deputet duke ju hequr e drejta për të qenë në seancë,  ai mund të gjobitet, atij mund ti pezullohet përkohësisht mandati, atij edhe mund t’i hiqet mandati krejtësisht, sigurisht, por të merret për zverku një deputet dhe të hidhet si leckë në qeli, kjo është një plagë e tmerr për Kosovën.
Kështu vazhdon drama shqiptare, pasi na burgosin të huajt, kur lajmë hesapet me ta, nisim e burgosim njeri tjetrin.
Kuvendi i Kosovës nuk funksionon dot pa fut te “7 penxeret” Albin Kurtin. Â Aferim ! Â Por, a ka të drejtë ai të ligjërojë Shoqatën e Komunave Serbe brenda territorit të Kosovës pa ndryshuar Kushtetutën e Kosovës?
Sigurisht që nuk ka. Ai po ndryshon formatin shtetror të Kosovës. Por, për të ndryshuar kushtetutën duhet të drejtohet me referendum te populli kosovar se kjo nuk është shakà . Aq më shumë që vendimmarrjen për këtë problem nuk e realizon veçse duke ushtruar dhunë ndaj deputetëve që ushtrojnë dhunë ndaj Kuvendit.
Si të bëhet atëhere?
Referendum. Zgjedhje të reja.
Këto janë zgjidhjet e urta, që klasa politike duhet të pranojë dhe jo për të ruajtur kolltukun të bëj faj ndaj historisë të ardhshme.
Carjen e shtetit të Kosovës në dysh, një shqiptarofon dhe një serbofon, pra Kosovën si dyshtet, duhet ta aprovojë sovrani, jo të deleguarit e sovranit që nuk janë zgjedhur me këtë platformë, që nuk kanë mandat për ta bërë këtë.
Po kaloni caqet e legjitimitetit.
Me thënë të drejtën unë nuk kam simpati politike për Albin Kurtin. Sidomos kur vetëvendosja e tij më kujton vetëadministrimin jugosllav, farsë, hipokrizi dhe dështim. Por, unë kam admirim për Albin Kurtin kur ai kundërshton establishmentin politik të vendit të tij, sepse e di që kjo nuk është e lehtë. Në sa e sa konstatime ka të drejtë ai…
Kur vetëvendosjes i duket se implikimi i partnerëve të jashtëm të shqiptarëve në kosovë është i dëmshëm dhe duhet hequr, kjo më duket një aventurë.
Unë nuk e di nëse shqiptarët e Preshevës kanë aq të drejta sa duan t’u japin serbëve në Kosovë. Nuk e kam studjuar këtë çështje. Por, di që konteksti serb është tjetër dhe ai kosovar krejt tjetër. Nuk ka vend për krahasime. Maqedonia dhe Bosnja janë gjithashtu shtete të tjera dhe nuk ka përse merret shembull mbi ta.
Gjithësesi nuk e di.
Por, cfarë di unë me siguri? Ku ka të drejtë katërqind e pesëdhjet e tre përqind Albin Kurti?
Ndarja e shtetit të Kosovës në dy administrata, një tërësore dhe një për serbët, që sigurisht duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat si qytetarë, është një model krejt i dështuar.
Nuk lejon integritetin shtetëror të Kosovës. Nuk motivon popujt serb dhe kosovar të jetojnë në paqe dhe të shoqërizohen brenda një shteti. Nuk e paqton dhe e qetëson popullin e Kosovës.
Por, krijon dy geto të ndara ku seicila pjesë e popullsisë ruhet nga tjetra, dy kultura të ndara, dy fate të ndarë, dy administrata të ndara, dy shkollime të ndara, dhe mendoni se në këtë dysi sociale do të ndërtohet një shtet i fortë i përbashkët?
Asnjë shembull nuk e provon.
“Krimineli” i rrezikshëm Albin Kurti mund të ketë shumë gabime, por ai ka të drejtë që me organizmin e ri te brendshëm, Kosova e humb përfundimisht shansin të jetë një shtet me integritet të brendshëm.
Kaq mjafton që klasa politike kosovare të mendojë një çast që nuk mund të marri vendime politike me ndihmën e forcës policore. Dhe çfarë vendimesh se…
Kurse klasa politike në Shqipëri me siguri nuk flet për këtë çështje sepse e konsideron pastaj si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti fqinj…
Serbia e thotë fjalën e saj për Kosovën, kurse Shqipëria bën të ndershmen dhe princeshën e virgjër që nuk mund t’i heqi dorashkat e bardha prej nailoni…