Nga Perparim Kabo
Ishte 27 nëntori i vitit 1965, dhe në “Teatrin Popullor” ngjitej në skenë si premier një nga kryeveprat e Shekspirit, “Mbreti Lir”, interpretuar nga artisti i shquar Pjetër Gjoka.
Sot mbushen 50 vite, porse heshtja është mënyra e sjelljes institucionale tek ne. Në Teatrin tashmë Kombëtar, luhet “Spiuni Ballkanit” një komedi e një autori të shquar serb.
Nuk e di sa kemi ndryshuar në këta 50 vite, porse gjatë festave të nëntorit do kishte qënë më e udhës që një pjesë nga repertori ynë kombëtar të vihej në skenë, si “Epoka para Gjyqit” ose “Ëndrra e Ismail Qemalit” apo një pjesë tjetër.
Repertori tek teatri aktualisht ka një tjetër hartë rruge, nuk ka lidhje me jetën, historinë apo memorien. Viktor Hygoi shkruante për teatrin se ai është “arti i popullit” duke mbajtur në qendërshikim se në sallë njerëzit përjetonin së gjalli historinë që kishte të bënte me jetën dhe fatin e tyre.
Sot në këtë gjysmëshekulli “Mbreti Lir” dua të kujtoj edhe një zonjë të skenës, astisten “institucion” Drita Pelinku (Kripa)- që interpretoi Gonerila-n…Më mungon mike, na mungon të gjithëve, i mungon spektatorit, i mungon popullit.
Në veprën e Shekspirit, populli shprehej me mënçurinë dhe shpotinë e Lolos ndaj dua t’u kujtoj një fragment se çfarë i thotë Lolo Mbretit Lir, e citoj:
”Ç’farë lidhje gjaku do të kesh me bijat e tua vallë? Ato duan të më rrahin, se flas të vërtetën, ti më rreh po të gënjej: dhe herë-herë më rrahin, sepse hesht. Më mirë të isha çdo gjë tjetër vetëm Lolo jo, po gjende s’dua të jem në vendin tuaj.” …
PK 27 nëntor 2015