Home KRYESORE Marko Levinja

Marko Levinja

Tregim nga Skender Braka

Marko Levinja thithte cigaren dhe nuk i shqiste sytë nga kreu i rrugës. Kishte mbi tri orë e ca që priste aty, i ulur mbi një trungë të prerë, pranë arkave me domate. Asaj dite ishte ngritur me gjithë plakën që pa dal agu i parë i mëngjesit. Kishin vjel domatet e kopështit dhe, si i kishte sistemuar nëpër arkat e zeza prej plastike, i kishte nxjerrë në krye të oborrit, fare pranë lesës së gardhit. Donte t’i kishte sa më pranë për t’i ngarkuar. Kur kishin mbaruar, drurët e pemëve rreth e rrotull arave dukeshin ende të nxira dhe gjethet e tyre të ngarkuara me copa hijesh prej natës, po fillonin pak e nga pak të mernin sërish ngjyrimet e tyre. Më pas, ashtu të lodhur dhe të rraskapitur, kur i kënga ngulmonjëse e këndesave nisi të dëgjohej sa nga një kopësht në tjetrin, të dy pleqtë ishin ulur dhe kishin pirë kafen e mëngjesit.
Atij viti vera kishte mbajtur e thatë dhe atij i ishte dashur që t’u bënte bimës së domateve mbi tri vaditje derisa ato ishin bërë për t’u vjel. Në fillim bima kishte marrë përpjetë, që të kënaqte syrin dhe të mbushte me shpresë se do të merrte ndonjë fitim të mirë nga prodhimi i tyre, dhe nuk ishte gabuar, por kur erdhi koha për t’a nxjerr në treg, tregëtarët e shumicës po i largoheshin gjithnjë e më shumë. Atëherë Marko Levinja kishte nisur të shqetësohej. Nga gjithë prodhimi që pretendonte të nxirrte për në treg, vetëm dy kuintal kishte mundur të shiste. Shtullungat e tymit të duhanit i qëndronin pezull përpara fytyrës së tij të hequr e të rrudhur ca më shumë prej punëve të rënda në fermë se sa prej viteve.
– Shumë po vonohen, – tha plaka Ariti, ndërsa vazhdonte të lante rrobet e të shoqit. Cepin e futës së bardhë e kishte ngjeshur prej mesi dhe ashtu e përkulur mbi rrasën e bardhë të gurit, ai arrinte të shihte kërcinjtë e saj në të cilët kishin filluar të kërcenin damarët e gjakut. Si mbaroi së shtrydhuri, plaka e lodhur, vuri duart në mes, e ndërsa u mbush mirë me frymë përsëriti edhe një herë atë ç’ka kishte thënë pak më parë, si të donte t’i kujtonte Marko Levinjës se po priste kot i ulur aty. Ofshamën e plakës ai e mori si një yshtje për të luajtur nga vëndi.
– Ku dreqin të shkoj!- shferu me inat dhe i nervozuar Marko Levinja dhe brofi përnjëherësh në këmbë si ta kishte pickuar ndonjë grenxë. – Asnjë makinë nuk duket të zbres nga Lumasi.
– Çap një herë e fol me djemtë e Sulos! Kanë edhe ata për të shpënë në treg sallatorët e tyre.
Marko Levinja bëri tutje nga arra e madhe.
Plaka po e ndiqte me sy. Po ndjente një lloj gërçi brenda shpirtit. Megjithëse ai nuk ia kishte bërë fjalën dy, asaj i dukej sikur ia kishte imponuar për të dal tek rruga.
– Korba, korba, na mori lumi, na mori po nuk u shitën edhe sot domatet…- dhe shtrydhi këmishën e bardhë. – Mos e dhëntë zoti, mos e dhëntë!
Era e lehtë që vinte nga gryka e malit, përplaste frymën e saj të thatë mbi fushat që shtriheshin përgjat rrjedhjes së lumit e,deri tutje, mbi vargun e lartë të ullishteve të pëcëlluara dhe mbi lothatat e ndryshkura.
Andej nga rruga kryesore, ngrihej një re pluhuri. Plaka Ariti përulur mbi pirgun e rrobeve që porsa kishte mbaruar së shplari dhe i kishte vendosur në kosh, me sy të mbërthyer nga rruga, me mëndje të prishur, tundëte kokën ngadalë. Nga shamia e zezë e kokës, që i kishte shkarë paksa mënjanë, i dukeshin ca cullufe të thinjura, që ia bënin fytyrën të dukej më e djegur prej vapës dhe më e kripur prej djersës. Vështronte rrugën dhe pastaj si ia hidhte shikimin të shoqit që kishte zënë vend pranë arkave të mbushura me domate, që po piqeshin në diell, murmuriste me vete: – të zeztë ne të zeztë ç’na gjeti kështu, – dhe i lutej zotit për të vënë dorën në zemër dhe për ta mëshiruar.
– Eh, – thoshte pastaj si të donte të ngushëllonte veten, – se mos jemi vetëm ne të varfër. Kështu është pjesa më e madhe e këtij fshati të humbur e të harruar. Sa e sa krijesa të tjera i luten me gjithë zemër zotit mëshirmëmadh kështu si unë.
Plaku Marko Levenja arriti deri në krye të rrugës dhe si u përshëndet me të tjerët që prisnin nën hijen e arrës së madhe, bëri ca më tutje dhe ndezi një cigare tjetër. E mori me mend se, të gjithë sa ishin aty, kishin po të njëjtin hall si të tijin. E vuanin prej vitesh fashatrët e atyre anëve shitjen e prodhimeve. Nuk kish njeri atyre anëve të mos e njihte Marko Levinjën si një njeri që gjithë jetën kishte parë punën e tij. Markua nuk dinte të fliste një herë kurrë keq dhe as që të merrte në goje njeri, duke çuar fjalën sa andej këndej
– Nuk ka shkuar as edhe një makinë xha Marko. Edhe unë ata po pres të zbresin nga Lumasi, por në janë mbushur plot, vështirë se mund të ndalojnë këtu, – i tha djali që kishte pranë.
– Kam gjithë ditën që i pres. Po më prishet e gjithë domatja, – u shpreh plaku dhe mbërtheu të dy gjunjët me duar.
– Ç’dreq fati paskemi patur. Edhe mua po më prishet i gjithë sallatori. Me aq sa kam shitur deri tani, as shpenzimet nuk kam nxjerr. Fat dreqi vërtetë.
– Njeriu s’i shpëton dot fati të tij more bir. Duhet durim. – tha plaku dhe hodhi sytë përtej nga priste të dukej ndonjë makinë nga ato që vinin për të ngarkuar mallin.
– Ne keq më atë kohë e, keq me këtë kohë xha Marko. Një udhë nuk n’a i shtruan e një pikë ujë nuk n’a i suallën. Kur vjen puna për të na marrë votat, urë na bëhen. Pikën e hairit mos e bfshin.
Plaku vuri paksa buzën në gas. Iu duk vërtetë e çuditshme një një i ri si puna e atij të kishte mësuar kaq mirë kodin e mallkimit. Tymi i duhanit të dredhur , zuri të valëvitej në erë.
– Po, mirë e thua, – tha plaku me një zë të lodhur, – fshatari ka qënë dhe do të mbetet një krijesë e varfër. Nuk i qesh buza kollaj. Ka lindur për të vuajtur dhe po ashtu do të zbres në varrin e tij.
Nga kodrina e xhveshur përballë, me një krrokatje të ngjirrur që të gërvishtëte veshët, u ngrit një tufë korbash, që silleshin vërdallë nëpër kupën e qiellit. Ai ndoqi me sy vazhdën e tyre të zezë gjer sa u zhdukën në çukën tjetër, e aty, pas nja tri a katër minutash, u dukën përsëri dhe u lëshuan njëherësh tutje arave me jonxhë, si të ishin copëza thëngjinjësh të djegur.
– Ja, po vjen një furgon, o xha Marko. Më duket se është Berti ,- tha djaloshi treguar pastaj me dorë maqinën që u shfaq tutje brrylit të kodrinës.
Plaku u ngrit në këmb me mundim. Mezi e drejtoi trupin e tij të gjatë e të thatë. Në fytyrën e tij të hequr dukeshin sikur ishin mbledhur gjithë të zezat e jetës. Në sejcilën prej rrudhave të saj mund të lexoje si në një libër të hapur gjithë përvuajtjet dhe mjerimet që Levinjët kishin hequr brez pas brezi, duke punuar nëpër arat dhe kodrinat e Lapardhasë dhe të Sheqzës për të mbajtur frymën gjallë. Por sytë e tij në ngjyrën e kallait seç kishin në thellësi të tyre një dritë të kthjellët si ujët e kulluar të burimit dhe prandaj djaloshi porsa ndeshi me to, e largoi menjëherë vështrimin prej tij. Ia dinte të gjitha hallet dhe dertet dhe ia njeh mirë atë shpirtrin prej rrebeli, kur nxehej dhe i hipte në kokë, kur e fshikëllonin padrejtësitë. Por edhe plaku nga ana e tij e njihte mirë të birin e Llukanit, djalit të ndjerit që nuk kishte mbushur ende vitin që kishte ndrruar jetë nga një sëmundje e keqe. Gjithë barra e shtëpisë tanim I kishte rënë atij. Vetëm një mur guri I ndante oborret e shtëpive të tyre. Bëri ca hapa përpara si të donte t’a ndalonte me frymën e tij furgonin, por makina pasi mori kthesën dhe la pas gorricën e djegur, kaloi përpara tyre pa e ulur aspak shpejtësinë. Vetëm një re e hollë pluhuri dhe shija e athët e shëllirës e ndoqi furgonin pas derisa edhe ato u davaritën dhe aty nën hijen e arrës së madhe pllakosi përsëri heshtja. Ishte një heshtje e rëndë ku askush nuk guxonte të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme. Fytyra e djaloshit edhe dhe u bë gati si një fytyrë prej dylli.
– Ishte baxhoxhiu nga Bardhaj, Isufi……Shkon në Berat, – shqiptoi ai me një gjysmë zëri sikur të donte të mos i besonte as vet asaj që kishte pohuar.
– E njoh,- tha plaku Marko, duke picërruar ata sytë e tij ngjyrë kallai andej nga po humbiste fundi i maqinës. – Po të kishte vend bosh nuk do të na linte këtu. Mos u mërzit. Ku i dihet seç ka bërë emër zoti edhe për ne. – Vajti dhe u mbështet tek arra. Një mend bëri të ulej, por aty për aty ndrroi mendim. Një ankth i çuditshëm po e mbërthente në grykë. Nuk po rrihej më aty. Seç kishte një parandjenjë të keqe.
– Na, dëgjo!, – iu drejtua djaloshit.- Po kthehem një copë herë në shtëpi, të shoh ….po qe se vjen ndokush, më bë një zë, mirë ?- kaloi dorën mbi flokët e thinjur që i ishin shtruar, sikur të kishte mbajtur mbi to gjithë jetën kapele.
– Shko xha Marko! Pa merak. Unë do të pres edhe ca. Seç kam një parandjenjë se mundet të vijnë ata djemtë nga Sheqëza që shkojnë mbasditeve në tregun e Lushnjes. Po erdhën do të thërras.
– Falem nderit more bir! Rrofsh!, – tha plaku dhe u largua me hapin e tij të ngadaltë. Kokën e ndjente plumb, sikur t’a kishte ngarkuar me një mal mendimesh. Gjithë mërzija dhe mllefi që kishte të mbledhur brënda shpirtit të tij, atij çasti befas iu bë sikur dikush ia kishte hequr me dorë. “ Të lumtë more djal, të lumt! Ta ka ënda kur ke të bësh me djem të tillë. Sot rinia nuk e ka mëndjen fort për punë dhe pak kush prej tyre e njohin respektin. Eh, i shkreti njeri sa shumë nevojë ka për një fjalë mirësie, për një fjalë të ngrohtë që të ndihet i nderuar dhe i respektuar. Asgjë nuk e lumturon më shumë të varfërin se mirësia. Sa shumë vlerë ka tek njeriu mirësjellja, sepse fundja kjo e ka mbajtur gjallë më shumë se buka. Nuk ka gjë më të çuar kur dikush të bënë një shërbim, apo të jep një ndihmë me gjithë zemër dhe s’të kërkon asgjë veçse një falenderim. Me këtë frymë jemi rritur një herë e një kohë dreqi ta haj; sot unë të ndihmoj ty, nesër do të kesh ti nevojë për ndihmën time dhe unë nuk do të kursehem. Fundja, po, këtu ka qëndruar miqësia e të varfërve, e njerëzve të punës, tek dhënia e dorës në nevojë.”
Me këto mendime në kokë arriti deri tek gardhi i oborrit të tij dhe aty thërriti:
– Ariti! Arikla moj!
Plaka nuk po i përgjigjej.
– Ariti ! Ku dreqin je futur! – bërtiti ai.
Plaka u dha menjëherë përpara hajatit të ngusht të shtëpisë dhe mbështeti duart në kolonën prej guri. Ishte ndër rastet e rralla që Markua i bërtiste në atë mënyrë. – Nuk duhet t’a kisha shtyrë, – tha me vete. – Atje më tepër është mërzitur se s aka mësuar ndonjë gjë. Mbase vijnë para se të perëndoj dielli, që të paktën ta nxjerrin domaten nbë treg nesër në mëngjes.
– Ke shumë që po thërret, Marko? Isha duke hequr fasulet nga zjarri dhe nuk të kam ndjer, tha si për u shfaqësuar.
Marko Levinja drejtoi trupin e tij të gjatë, që i ishte bërë si një pikëpyetje.
– Jo, tani erdha. Më sill një peshqir, t’i hedh nja dy grushte ujë fytyrës se vdiqa! Të ha shpejtë e shpejtë nja dy kafshita bukë se, më duhet të kthehem përsëri.
– Nuk t’i muarrën domatet Myrto?
– Jo. Nuk është se nuk m’i muarën, por nuk erdhi askush të na i kërkonte.
– O zot, o zot. Do të vdesim për bukën e gojës, do të vdesim. Si vajti kjo punë kështu!?
– Mos u trëmb e uruar se nuk të lë unë të vdesësh për bukë, – tha dhe ngriti kokën drejt qiellit. – Nuk më janë tharë ende këto duar, – shtoi së fundi plaku ndërsa po fshinte fytyrën si një njeri që ka dështuar në gjithçka dhe se tani, më pare se të tjerët, kërkon të ngushëlloj veten, ndërsa plaka mendonte se Markua i kishte thënë një të vërtetë të pakundërshtueshme. Ashtu kishte qënë ai gjithë jetën, nga guri e nxirrte bukën.
Plaka i hodhi një vështrim plot mirësi :
– S’ta kam patur ndonjëherë merakun, por ja që nuk jemi më as ti e as unë si një herë e një kohë. Nuk po na lë zoti në hallet tona që na kanë zënë. Edhe pse nuk m’a thua, të kuptoj në sy që edhe ty të dhëmb tërë trupi. Tani e tregon më kollaj cfilitjen, siç e tregoj unë mjerimin që n’a ka mbërthyer.
Plaku i hodhi një shikim gjithë inat.
– Do të nisësh e të qurrepsesh tani? Lëri e mos i zërë më në gojë! E di unë, po fillove, gjithë nëmën e qiellit dhe të ferrit do të n’a i hedhësh këtu.
Plakës i ishin lëngëzuar sytë dhe një grimë e lotë do t’i shpërthenin. U bënë ca vite që ajo kishte nisur ta ndjente atë dobësi shpirtërore. Nuk ishte më Ariklia e ca viteve më parë, e fortë, kurajoze, që i mbushte të tjerët me forcë dhe besim. Kishte humbur shumë nga vetja.
– Përmbahu de!
Plaka nuk e bëri më fjalën dy, u tërhoq mënjanë për t’i liruar rrugë Markos dhe porsa ai u hodh përtej pragut për të shkuar në dhomën e ngrënies, ajo me një pikëllim të thellë në sytë e mbushur gjithë bulëza loti, murmuriti aq ngadalë saqë askush veç saj dhe mureve të rrënuara të shtëpisë, nuk e dëgjoi:
– Eh, Markua im …Mbase donte të më thoshte diçka, por ajo komba e grykës duhet t’ia ketë mbajtur. Cfilitja e ka ngrënë dhe po e ha përbrënda si veremi. Një zot e di se kur do t’i sosen vuajtjet këtij burri. U fut me të shpejtë në dhomë dhe shtroi bukën.
Plaku Marko mezi e drejtonte trupin. Lau duartë dhe gojën, ashtu sipas atij zakoni të kahershëm si gjithnjë pas buke, dhe mbathi përsëri këpucët e vjetra që përdorte për punë.
Tutje, tek arra e madhe mezi dallohej vetëm hija e djaloshit që do të çonte sallatorët e kopështit të tij për të shitur. Ndërsa përtej ullishteve ngrihej një gulfim avulli, ku nëpër të humbisnin si në një vizatim të turbullt, konturet e kodrinave të largëta. Përtej tyre, si një kurrizë gjysmë të thyer dhe të errët, dallohej një tjetër kodrinë e grryer dhe e zhveshur krejt që në sfonin e qiellit dukej si një trup i ngrënë gjer në kockë. Vetëm një përrua e që vezullonte si shirit i argjënd e përshkonte atë nga kreu deri në fund.
Kur ishin ndar tokat sipas ligjit 7501, në fillim atje ia kishin caktuar pjesën e tij Marko Levënjës, por ai me ta marrë vesh, ishte ngritur si një ari i tërbuar dhe u kishte bërë namin komisionierve. Mirë që nuk i kishin njohur as edhe një pëllëmbë nga toka e të parëve, por që ta degëdisnin deri atje, në ato shkarrëzima të gjata e të ashpëra shkëmbenjësh, këtë as që e kishte shkuar ndër mend. Ndryshe kjo që i kishin dhënë më pas. Një pjesë e saj, ajo që shkonte përtej lumit, ishte me pemë të dëndura, ashtu sikurse i kishte lënë që me gjallje të tij i ndjeri Shpëtim Levënja, gjyshi i tij. Vetëm ca më poshtë, aty nga viti ’67 pylli përkëndej ishte djegur e më pas gjithë toka ishte kthyer në tokë buke. Mbilleshin atje patate, bostan, sallatë jeshile. Fshatarët raskapiteshin gjithë ditën arave,si bujq të mirë se nuk kishin gjë tjetër me se të siguronin bukën e gojës, nëse nuk do t’i merrnin asaj toke atë që donin me punën e tyre të mundimshme.
Nuk mbeteshin më shumë se nja një ose dy orë që dielli të perëndonte dhe kur plaku ia mbrriti aty gjeti vetëm djalin.
– Na iku dëm edhe kjo ditë xha Marko. Presim dhe nja një gjysmë ore. Po qe se nuk vijnë, nesër në mëngjes do marrë një karrocë sa për të nxjerr mallin tek rruga e fermës dhe atje do të marrë një furgon për në Lushnje. E ke peshuar domaten?
– Jo. Po qe se m’a bënë këtë nder, nuk ka rëndësi për mua pesha.
– Me sa kërkon t’a heqësh?
– Shiko tregun. Vetëm bë kujdes të mos t’a hedhin. Ti e di se si lëvizin çmimet. Në dyqanet e pakicës shitet me shtatëdhjetë lekë.
– Mos e ki atë merak.
Ganiu me dy djemtë e tij që po ktheheshin nga Sheqëza, me veglat e punës hedhur krahve, i përshëndetën.
– Kanë ndaluar tek Qejvanët. I prisni, se thua tani janë duke u nisur.
– Ju falemi nderit!.- falenderuan një zëri si plaku Marko Levinja po ashtu edhe djali. Dy furgonët nuk vonuan shumë vërtetë. Në re e madhe tymi dhe pluhuri u ngrit ca më tej se nja një kilometër përpara tyre dhe pas pak të dy furgonat qëndruan njëri pas tjetrit pothuajse ngjitur me arrën e madhe.

Share: