Nga Agim Pipa
A thua erdhi dimri
zemra ime?
A thua frymën tënde
e mbuloi dëbora?
Jam pranë dritares, duke parë qiellin;
ose më saktë, duke parë vetminë e madhe
të shiut
të braktisur nga të gjithë.
Ai hesht, duke rënë mbi pëllëmbët e rrugës, ku
duken gjurmët e rrotave të një autobusi, që
sapo ka mbërritur nga veriu; atje
bën ftohtë zemra ime;
atje
në kullat e gurta pjekin gështenja dhe
dashurinë e ngrohin në oxhaqe të lartë, ku
tymi rrëfen shkrepjen
e xixave të zjarrit.
Bën ftohtë në veri, zemra ime; bën ftohtë
edhe prej mallit për ty; atje
një shtëpizë ka mbetur gjithashtu
e vetmuar, si mbrëmja e ndarjes;
dhe
putrat e arinjve vizatojnë mbi dritare
pëlhurën e fustanit tënd
ngjyrë shege.
A thua erdhi dimri,
zemra ime?
Unë, më kot vështroj autobusin;
shpresë e vdekur
të shoh fytyrën tënde, skuqur
nga dëbora;
atje në veri, të gjitha rrugët
i kanë fshirë përfundimisht
gjurmët e tua.
E vetmja shpresë, për të të takuar
hapja e qiellit
dhe takimi me hënën.
Larg, shtrihen netët e bardha polare…