Nga Sulejman Abazi (Neshaj)
Le të themi edhe disa fjalë e mendime, që na shërbejnë si refleksion të këtij atdhetarizmi të njerëzve tanë të mirë. Vepra dhe amaneti i tyre, i sjellë me mençuri midis nesh në kohën që jetojmë, është një qetësim i ndërgjegjes tonë të trazuar, përballë detyrimeve atdhetare që kemi, për ta çuar atë në vend. Kjo vepër nuk pajtohet me harresën ndaj nacionalizmit agresiv të Serbisë kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, as me tërheqjen përballë sfidave politike të kohës, por as me radikalizmin e pushtetit të rrugës, që nuk të çon asgjëkundi.
Jemi në një kohë tjetër, ku fjalën nuk e ka më pushka, por politika në demokraci. Demokracia e vërtetë kërkon reflektimin e mendimit dhe të veprimit popullor në superstrukturën politike, veçanërisht në institucionet vendimarrëse. Duhet apo jo “zajednica”, kjo nuk mund të bëhet pa ju nënshtruar gjykimit popullor. Nga ana tjetër, opozita duhet t’i drejtohet popullit në sheshe, në rrugë ligjore, për të shprehur opinionin e tij në ardhmërinë e fatit të Kosovës. Askush nuk lakmon një situatë të ndezur politike jashtë interesave kombëtare. Ne e duam Kosovën dhe për të do të bëjmë gjithçka që është në të mirën e saj dhe të popullit të saj.
Situata sot nuk mund të shpjegohet, por as nuk mund të ç’vlerësohet pa analizën e ngjarjeve madhore që kemi përjetuar. Lidhjet shkak – pasojë na detyrojnë që shpesh të hedhim vështrimin në thellësitë e historisë tonë. Sundimi shekullor i Serbisë nuk mund të kalojë aq lehtë dhe të na lërë në qetësinë tonë kombëtare. Ne këtë e dimë dhe nuk presim të na e shpjegojë askush. Sot shikojmë jo me habi, që ende shumë fije të titizmit nuk janë ndërprerë në Trojet shqiptare. Akoma tek elementë të veçantë ka diskutime mbi figurën e Titos dhe qëndrimin e tij kundër shqiptarëve, i cili në thelb ka qenë një diktator që asnjëherë nuk i deshi shqiptarët.
Atëherë, nga se vuan sot elita politike në Kosovë?
Ende nuk është bërë akoma divorci i plotë me synimet e “bashkim – vllazërimit”. Prej saj ende po vuajmë pasoja të rënda. Divorci përfundimtar i shtetit të Kosovës nga lidhjet, strukturat dhe mentastazat e shërbimit inteligjent të ish Jugosllavisë, do të jetë një shpëtim.
Burokracia politike e Kosovës, e dalë nga lufta jo pa merita, gradualisht, nën presionin e privilegjeve që sjell pushteti, hap pas hapi, është larguar nga idealizmi dhe fryma atdhetare që përcollën njerëzit e mirë të Kosovës dhe që çoi në luftën e UÇK-së, të mbështetur në heroizmin masiv popullor. Sot në sallonet politike të Prishtinës mendojnë, se institucionet ndërkombëtare duhet të bëjnë diellin, hënën, borën dhe shiun për shqiptarët, se populli është një turmë që mund t’i tregohet edhe kërbaçi, gazi lotsjellës, se në veri të Mitrovicës serbët mund të bëjnë çfarë të duan dhe në Prishtinë qeveria “bën sikur bën”, ndërsa për të rinjtë që duan vetvendosje, këta nuk kursejnë të bëjnë dhe gjëmën, vetëm që të duken djem të mbarë të politikës në sytë e faktorit ndërkombëtar.
Lidhur me debatet dhe diskutimet brenda nesh, për shkak të farës së dyshimit që na kanë mbjellë në shekullin e fundit, po na çon pa dashur në një pozicion të vështirë, duke u kthyer në armiq të vetvetes. Egoizmi tradicional dhe lakmia karrieriste, nuk na kanë lënë të lirë të shikojmë përpara. Nga historia jonë komplekse, e kemi detyrim të veçojmë dhe të përvehtësojmë vlerat universale gjithpërfshirëse të heronjve tanë, të cilët sakrifikuan jetën duke u hapur rrugën brezave të rinj. Nuk mund të ushqehet atdhedashuria dhe patriotizmi pa respektuar traditën. Vetëm atje ku tradita ruhet e fortë, midis popullit dhe rinisë tonë do të ekzistojë dhe do të shfaqet në kohën e duhur edhe ndjenja e fortë e heroizmit.
Nga amaneti dhe testamenti kombëtar i heronjve dhe martirëve të kombit tonë duhet të reflektojmë thellë në veprimtarinë tonë, në mbrojtje të interesave kombëtare. Heronjtë dhe martirët e Kosovës, me siguri nuk do të lejonin asnjë marrëdhënie me Serbinë, pa kërkuar më parë falje, të cilën ajo s’po e bën dhe me sa duket, s’ka ndëmend ta bëjë. Ata nuk do të bënin asnjë lëshim për asnjë pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës, në veri ose në jug, dhe nëse do të ringjalleshin, ata përsëri do të ndiznin kryengritjen e armatosur për t’i dalë zot Mitrovicës Veriore, Luginës së Preshëvës dhe tërë trojeve shqiptare nën sundimin sllav.
Ata nuk do të pranonin kurrë oportunitetin e marrëveshjeve politike me Serbinë, kur politikanët e sotëm heshtin. Këtu ka më shumë se sa gabime dhe faje, këtu ka tradhëti mbi gjakun e derdhur për liri. Ata nuk do të pranonin kurrë, që në shtëpinë tonë, në atdheun tonë, në Kosovën për të cilën ata dhanë gjithçka të shtrënjtë, të bëheshin të huajt zot shtëpie, qofshin këta dhe miqtë. Ata nuk do të pranonin kurrë që të shmangeshin dhe të mos vlerësoheshin simbolet kombëtare, flamuri dhe datat historike të Kombit Shqiptar. Lë të mbeten këto si amanet i patretur i heronjve të Kosovës për brezat që do të vijnë.
Heronjtë dhe martirët e Kosovës janë një amanet, që na ndjek nga pas, na ruajnë të mos gabojmë, të mos biem në faje dhe nëse sejmenët e politikës nuk kanë mundësi të ndalohen, atëherë vetë në duhet t’i dalim për zot fatit tonë. Testamenti i Dëshmorëve të Kombit është një thirrje për të mos harruar atë që ka ndodhur. Kombi është në ditë të vështira dhe kërkon angazhimin maksimal të energjive pozitive të bijve të tij.
Ky testament nuk është vetëm një thirrje e ndërgjegjes tonë kombëtare, por dhe një respektim i traditës për t’i kthyer këto vlera të padiskutueshme në thirrje për ribashkim, në traditë etno – kulturore për të edukuar brezat e rinj, të cilët e duan shumë Shqipërinë. Testamenti i tyre është një kujtesë historike, kundër qëndrimeve servile të klasës politike, e cila deri më sot për interesat e karriges së saj, ka shitur dhe po shet Atdheun tonë të shënjtë. Testamenti i Dëshmorëve dhe martirëve të Kombit, është gjaku ynë i përbashkët, që na kujton në çdo kohë Amanetin e njerëzve të mrekullueshëm të Kombit Shqiptar, që nuk kursyen jetën e tyre për Lirinë.
Mbështetja e fuqishme në shpërndarjen e mesazheve me vlera kombëtare, është dëshmia më e saktë dhe e mbarë se, të gjithë ne jemi NJË, jemi shqiptar të një gjuhe, të një gjaku, nën një Flamur Kuq e Zi, me një traditë të mrekullueshme historike, luftarake e qytetërimore, të betuar në rrugën tonë pa kthim, për t’i shërbyer kauzës sonë të përbashkët, Ribashkimit Kombëtar.