Nga Gresa Hasa
Në librin “Vdes siç Vdes një Vend” (1978) Dimitris Dimitriadis flet për Greqinë, duke mos folur për Greqinë. Pjesa është shkruar në atë mënyrë ku analiza që i bëhet një kombi/shteti e nxjerr këtë komb/shtet jashtë kornizave kohore dhe gjeografike duke e bërë veprën universale.
Autori paraqet në mënyrë letrare problematikat e një shteti dhe shoqërie (të shtetit e shoqërisë ku ai bëri pjesë – Greqisë së diktaturës dhe periudhës që e pasoi atë), në të cilën ilustron një vdekje radikale: atë të të gjitha vlerave humane – vdekjes së njeriut, për njeriun si një qenie të prirur drejt virtytit, arsyes dhe të mirës. Në termat e Dimitriadi-s, ajo se çfarë i është bërë kësaj shoqërie nuk është as më shumë e as më pak se sa “të shkërdhyerit” e çdo subjekti që përbën bazën e demokracisë dhe zhvillimit. Ai flet për qeveri mafioze ku partitë janë zëvendësuar nga banda kriminale pa kurrfarë njehtësimi ideologjik, të cilat zhvendosen sa në njërin kah, në tjetrin, me/për interesta që bien ndesh me ato mbi mirëqënien e popullit. Ai godet nacionalizmin në një botë gjithnjë e më të hapur e të prirur drejt zhdukjes së kufijve (vdekja [edhe] e kombit); përçmon një sistem arsimor që fabrikon individë të paaftë për të menduar në mënyrë kritike/logjike. Ai përshfaq, thuaj si në një tablo artistike, një rini të vyshkur e cila s’është e aftë të pjellë asgjë veç shterpësisë së vetes. Ajo çka gjindja e ka pagëzuar si tranzicion, për Dimitriadi-s është justifikimi mbi mungesën reale të këtij tranzicioni. Autori flet për një shtet e popull të zënë “prej bolesh” (siç dhe shprehet) prej një pakice dashakeqe që udhëhiqet nga grykësia e interesat personale, e cila përdor nacionalizmin, fenë, ryshfetin dhe retorikat boshe si metoda nënshtrimi e trushpëlarjeje të qindra e mijëra njerëzve pa kokë.
Gjuha që Dimitriadi-s përdor është afërmendsh e rëndë, fundja ashtu si dhe realiteti me të cilin e përball lexuesin. Ajo çfarë më ngacmoi tjetër, përpos narrativës së autorit si dhe ngjashmërive fatale me kontekstin shqiptar (periudha e post-komunizmit këtu pari, deri më sot), është forma antropoforme mes së cilës vendi identifikohet. “Ajo” (atdheu/vendlindja në greqisht i përket gjinisë femërore: πατÏίδα (patrÃda) – /paˈtriða/) është një grua shterpë, e përdhunuar rishtazi e rishtazi, e plakur, e hidhët, e paaftë…një kërrmë, një ndyrësirë, një gjakpirëse. Autori megjithatë, duket sikur pluskon në kontradiktë: ai njëherë merr pamjen e kësaj gruaje duke u bërë njësh me hartën e shpalosur mbi çdo gjymtyr e tipar tijin dhe njëherë i referohet [asaj] si një [personi] të huaj me të cilin nuk ka asnjë lidhje (ai është i lidhur po aq sa nuk është i lidhur me të). Në fund të fundit, një vend është njerëzit e tij – e mira dhe e keqja e një vendi janë po këta njerëz, pritshmëritë si dhe dështimet e një shoqërie s’mund të lidhen me asgjë përveç se me njerëzit e saj e zgjedhjet e tyre në/për të.
Personalisht e kisha kaq të kollajtë ta gjeja veten tek mllefi dhe botëkuptimi i autorit për vetë faktin se përshkrimet e tij i shkojnë kaq për shtat realitetit shqiptar në gjithë mizerjen dhe ngordhtësinë ku ndodhet tash sa kohë.