Nga Fatos Cacoli
De Gasperi: ”Politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit për brezat e ardhshëm”
Mark Twain: “Politikanët që s’i kemi burra shteti janë si pelenat: duhet të ndërrohen vazhdimisht, dhe gjithnjë për të njëjtën arësye”
Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i Parlamentit janë sot si vëllezërit siamezë. Të dënuar të qëndrojnë së bashku, edhe pse mund të kenë njëqind arësye për t’u ndarë. Ka shumë segmente të qeverisjes, ku mendohet vetëm për të abuzuar dhe vjedhur. Një numër tejet shqetësues drejtuesish institucionesh sot e kanë mendjen tek përqindjet që kompanitë fituese të tenderave u japin për rikonstruksionet e institucioneve publike në varësi të tyre. Janë me dhjetëra miliona euro të taksapaguesve që sot po shkojnë në rikonstruksione, në lyerje, rregullime, modernizime ndërtesash shtetërore.
Veprimi mjaft pozitiv i betejës kundër informalitetit, lë në hije luftën kryesore, atë kundër korrupsionit, sidomos atij të ngritur në sistem. Të dy vëllezërit siamezë kanë mendimin e tyre për këtë dukuri që sot nuk po flitet e përflitet fare, por lihet vetëm në dorën e opozitës që të tregojë në denoncimet e saj-hartime shabllon, me dalje në konferenca shtypi apo fjalime në foltoren e Kuvendit. Qeverisja e sotme dyvjeçare është shumë e varfër në kapje kokash të mëdha korrupsioni. Është mjaftuar me disa konferenca, seminare e tryeza të rrumbullakta.
Me fjalë të tjera, me shumë butafori, fjalnajë dhe pak veprim konkret. Ka ngjyer në të zezë qindra letra strategjish e planesh veprimi. Si dhe ka dhënë goxha intervista nëpër media. Edhe duke shqiptuar fjalë apo shprehje “të forta”. Mirëpo nuk mund të quhen suksese të mirëfillta “kapja me presh ne duar”(duke marrë rryshfet) e ndonjë mjeku, arsimtari, sanitari apo punonjësi arkivash. Denoncimet më të mëdha (sekserë gjyqtarësh, drejtorë drejtorish apo nëpunës të lartë bashkish që marrin para) i ka bërë një emision hetues i një televizioni të njohur. Vetëm ky fakt është akuzë e fortë për qeverinë e sotme dhe vë në pikëpyetje seriozitetin dhe përkushtimin e saj në luftën ndaj korrupsionit në rradhët e të vetëve.
Shumë mund të kishte dashur një vëlla siamez të denonconte e çonte në prokurori paudhësitë e njerëzve në qeveri të vëllait tjetër, por nuk e bën dot se dëmton lëkurën e përbashkët të kurrizit, një aleancë që e mban në pushtet. Do jenë në gjendje këta vëllezër siamezë të tresin çdo ditënatë lëvizjet e padëshiruara prej tyre të njerëzve të vëllait tjetër? Deri tani, kur ka kaluar gjysma e udhës dhe e bashkëjetesës në pushtet, kanë mbledhur aq pezëm brenda vetes e kanë shtypur aq konflikte e përplasje, sa nervat mund t’u jenë vënë seriozisht në prove për të mos shpërthyer kundër njeri-tjetrit.
Ky tension sot lexohet qartë në fytyrat e beniaminëve, si të njërit vella, ashtu dhe të tjetrit. Por pikërisht tani që kanë kaluar gjysmën e rrugës së mandatit të parë së bashku, këta dy protagonistë të jetës politike në vend duhet të gjejnë forcat të ngrihen mbi mendësinë e politikanit të ditës. Mbi qelfmbetjet dhe kotësinë e dehjes nga pushteti. Do të arrijnë ta bëjnë këtë dhe të kryejnë reformat për të cilat njerëzit i kanë votuar? Do të arrijnë të bëhen burra shteti?
Njëri ka qenë kryeministri i rrugëve në vitin 2002. Tjetri në mandatin e parë si kryetar i bashkisë së kryeqytetit e shndërroi Tiranën në metropol. Të dy kanë treguar se i kanë aftësitë të dalin mbi emocionet e të pangopurve për pushtet. Duhet të sfidojnë shpurën e puthadorasve që ju është shtuar shumë këto dy vjet, si njerit dhe tjetrit. Duhet të heqin me gati dhimbje sigurinë vrastare se vetëm ata dhe soziat e tyre(burra dhe gra) që i rrethojnë kanë të drejtë. Duhet të takojnë përherë e më shumë(nëse do të duan) njerëz të thjeshtë që mund t’ua thonë të vërtetën lakuriqe në sy.
Sapo të heqin monopolin magjik të së vërtetës, që ta dhuron çdo ditë një pushtet gati i pakufizuar, do të kuptojnë se sa të testuar janë në çdo minutë të sjelljeve të tyre. Dhe mund të kthehen në ata që i duam të gjithë të jenë, në reformatorë. Duke ju shmangur koshit të pelenave që një ditë shumë kollaj mund të përfundojnë, nëse nuk ngrihen mbi pasionet dritëshkurtra të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit.