Home KRYESORE Muzika klasike dhe problemet e saj ne Shqiperi. Roli i menaxherit.

Muzika klasike dhe problemet e saj ne Shqiperi. Roli i menaxherit.

Nga Ina Kosturi

Dilema midis rolit të muzikantit, kompozitorit, instrumentistit dhe menaxherit të aktivitetit, profesion ky gati i panjohur në Shqipëri po shfaqet gjithnjë e më shumë sot.

Realizmi i aktiviteteve kërkon artist, muzikant menaxher të suksesshëm, në të kundërt muzika, tingujt mund të heshtin larg skenave tona të pakta. Nëse dje në diktaturë artisti detyrohej të rrotullohej rreth partisë, sot është i varur nga bota e biznesit, interesi i së cilës është i ulët përsa i përket muzikës klasike.

Ministria e Kulturës dhe ministrat përkatës u munduan ti japin ndër vite rëndësi trashëgimisë muzikore, promovimit të artistëve, megjithatë, me disa festivale dhe aktivitete, krahasuar me artet e tjera duket se muzika apo komuniteti i muzikantëve ka mbetur pas.

Historia e projekteve artistike ndjek nga halli dhe botën muzikore dhe mungesa e një rregullatori ndër vite, politikat e ministrive e qeverive që u ndërruan mundësuan zhvillim momental, rastësor të krijmtarisë muzikore, e cila u përkrah dhe po përkrahet akoma më pak sot, duke e krahasuar me artet e tjera.

Këtë fat pati kryesisht dhe muzika simfonike, operat, baletet, koncertet e mëdha me orkestër, të cilat më shumë se krizë krijmtarie po provojnë krizën e pamundësisë për tu ngjitur në skenë, si rezultat i shpenzimeve të mëdha dhe pamundësisë apo shurdhërisë së shtetit. U përkrahën individë, vepra të veçanta, ndërsa disa festivale që lindën natyrshëm rreth viteve 1996 humbën, duke na lënë disa edicione me krijmtari shqiptare, kryesisht të muzikës së dhomës, në formazione duo, trio, quartete, me një sërë krijimesh e veçantish përsa i përket mënyrës së kompozimit, harmonisë.

Dy institucionet e mëdha, Teatri i Operës dhe Baletit, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar mbajnë peshën kryesore të jetës artistike muzikore në vend, duke filluar nga vënia në skenë e operave, baleteve, muzikës simfonike e instrumentale botërore dhe shqiptare. Pas vitit 1992 dhe hapjes së Shqipërisë me botën, u vunë në skenë dhe disa vepra të përmasave të mëdha, të literaturës botërore, si dhe fare pak opera, balete shqiptare, kryesisht rivënie e veprave të dikurshme të realizmit socialist.

teatriioperasNë qendër të vëmendjes u vu krijimtaria botërore, drejtuesit e institucioneve të mëdha rendën drejt premierave në skenën shqiptare, të kombinuara shpesh dhe me ardhjen e artistëve të huaj, duke sjellë bashkëpunime afatshkurtra, mbi baza kryesisht miqësish drejtuesish, duke funksionuar me hope në momente suksesi, apo fryme të re, bazuar në pasionin e artistëve, duke sfiduar vështirësitë e mëdha ekonomike dhe gjendjen reale të institucioneve tashmë të vjetëruara nga koha. U kaluan eksperienca të suksesshme në vënie të veprave të reja nga “Karmina Burana” e Karl Orff, vepra me pjesëmarrejn e korit, orkestrës e solistëve, tek rekuiemet, operat e rëndësishme të literaturës botërore e deri tek muzika kontemporane , në larmi interpretimi, duke arritur deri në realizime festivalesh operistikë. Në disa periudha u duk se humbi krijmtaria shqiptare, u harrua nga dëshira, pasioni për veprat e njohura dhe me peshë të literaturës botërore, gjetje dhe prurje të reja.

U diskutua pas një mungëse të gjatë problemi i krijmtarisë dhe interpretimit të muzikës shqiptare. E megjithatë, shpesh nuk u kuptua nëse flitej për krijmtari të re, apo rivënie të krijmtarisë së realizmit socialist, si nostalgji e komunitetit të muzikantëve, të veprave për rëndësinë e tyre, profesionalizmin, apo thjesht për të bërë ritualin e rradhës. Krijmtaria u shfaq në formacione të vogla të muzikës së dhomës me pak instrumentistë.

Frymëzimi i kompozitorëve shqiptarë në një kohë që solli dimensionim të ri të mendësisë, lirisë, gjuhës muzikore, u kushtëzua të kufizohej në gjini të vogla. Duhej të ndodhte e kundërta, që arti shqiptar dhe muzika shqiptare ngjashmërisht si letërsia, piktura, të shfaqnin gjithë potencialin dhe fuqinë e një bote të lirë, në gjithë pikëpamjet, ndërsa realiteti solli stopim të krijmtarisë, inkuadrimin nga pamundësia në gjini të vogla, në duo, trio, kuartete, romanza dhe aktivitete deri diku të kufizuara.

U realizuan festivale brenda Tiranës, të krijmtarisë dhe interpretimit, ndërsa ndaj Ministrisë u kërkua gjithnjë përkushtimi për mundësimin e vënies në skenë të veprave të mëdha apo dhe realizimi i konkurseve të krijmtarisë për profesionistët dhe brezin e ri të studentëve. Në këto ngjarje të sotme duket se po harrohet Shqipëria përtej Tiranës, jetë e cila është varfëruar duke realizuar çdo aktivitet vetëm në kryeqytet, duke lënë kështu në heshtje skenat dhe publikun e rretheve.

Ndërrimi i regjimit tek ne, krahas hapësirës për krijmtari solli dhe rrënimin e asaj kujdesjeje shtetërore përsa i përket aktivitetit artistik në qytetet më në zë, ku degradoi gjithë sistemi i vendosur ndër vite, dikur i komanduar, që fillimisht thuajse nuk funksionoi. Në disa rrethe u mbajtën gjallë aktivitetet, po ndërkohë largimi i artistëve, një sistem i ri i instaluar në rremujë ndikoi në këtë përqëndrim të aktiviteteve artistike në Tiranë dhe me vështirësi në ndonjë qytet tjetër.

Kjo temë është diskutuar shpesh, ndonëse dhe sot nuk ka zgjidhje për shtrirjen e aktiviteteve që lidhen dhe me sistemin e edukimit, me spektatorin dhe muzikën klasike si një muzikë elitare. Duket se gjithçka ndodh në Tiranën kryeqytet duke patur aktivitete të rralla në rrethe, ndërsa kjo mbyllje sjell dhe mungesën e promovimit të artit muzikor në botë, nga artistë shqiptarë që jetojnë brenda Shqipërisë.

Sistemi i ri i vendosur në mënyrë graduale, i vlefshëm në realizimin e aktiviteteve muzikore iu referua projekteve artistike. U promovua veprimtaria e individëve nga fusha e kulturës që u shndërruan në menaxherë apo prodecentë të aktiviteteve artistike duke realizuar evente të përvitshme. Profesioni i menaxherit në këtë fushë nuk ekziston në Shqipëri, ndërsa një pjesë e artistëve u shndëruan në të tillë, në rastin e parë për aktivitete të përmasave të mëdha e të vazhdueshme ndër vite, në të dytin nga halli për tu ngjitur në skenë e vazhduar ushtrimin e profesionit.

Kjo metodë moderne shërben në realizmin e një pjese të madhe të aktiviteteve edhe në fushën e muzikës. Nga viti në vit u miratuan ligje për artin që disa herë nuk funksionuan, ndërsa një pjesë e artistëve u shndërruan dhe në organizatorë projektesh, duke trokitur fillimisht në institucionin e Ministrisë së Kulturës, që pavarësisht nga ndërrimi i ministrave dhe qeverive duhet të jetë institcioni më i afërt dhe më i hapur për realizminin e aktiviteteve kulturore.

Kjo është një praktike e re, që megjithë kërkesat për përmirësim mbeti gjithsesi një metodë gati e padrejtë e shpërndarjes së fondeve, e sidomos për një organizim të vërtetë të aktiviteteve dhe krijmtarisë muzikore shqiptare. Kjo mbështetje u kondicionua në varësi të “dashurisë “së Ministrisë së Kulturës për muzikën serioze, nëse do shpreheshim kështu.

FB_IMG_1451286061464Në Shqipërinë e dekorimeve me mik, përkujtimit me mik të figurave të mëdha të kombit, të përkrahjes së individëve, shoqatave, artistëve , krijuesve, këtë fat kanë dhe gjinitë e artit. Gjatë qeverisjeve, nga njëri ministrër tek tjetri, nëse do shikonim mbështetjen në një grafik përqindjesh do verejmë se së fundi muzika provoi kujdesin më të pakët krahasuar me artet e tjera.

Modeli i kioskave artistike që simbolizojnë projektet nuk u përmirësua, përveç faktit të caktimit të një orari, afati të hapjes dhe mbylljes së sportelit të dorëzimit të projekteve. Ajo që mungon është politika kulturore, shqyrtimi i gjendjes së sotme në të cilën gjendet muzika dhe krijmtaria muzikore në Shqipëri . Në bazë të kësaj njohjeje ndërtohen politika ndikuese në përmirësimin dhe balancimin e zërave apo arritjeve. Metoda kuturu në art favorizon x apo y, e më larg e ndan muzikën, e veçon, duke lënë hapësirë për të njëjtët njerëz, të njëjtat formate, përtej asaj që kërkohet dhe larg edukimit muzikor që mbetet një pikë kyçe në edukimin e spektatorit.

Përtej Ministisë së Kulturës, vetë komuniteti i muzikantëve, apatik, i heshtur, nuk ka mundur të realizojë konferenca, takime, debate mbi problemet reale, atë që profesionistët ndjejnë dhe njohin në këtë realitet të vështirë, ku kompozitorët nuk arrinë shpesh të vënë në skenë veprën, ku dhe instrumentistët solistë nuk kanë mundësi të interpretojnë, pa përmendur formacionet e përhershmë të muzikës së dhomës që duhet të performojnë në skenë.

Nisur nga politikat e Ministrisë së Kulturës, e cila duhej të monitoronte gjatë, të caktonte prioritetet, ndjehet se muzika serioze po trajtohet në mënyrë më pak të favorshme krahasuar me artet e tjera. Dhe ajo që bën më shumë përshtypje është mungesa e përkrahjes së krijmtarisë së re, veprave premierë të kompozitorëve shqiptarë, të cilët ashtu si shkrimtarët, kineastët, meritojnë përkrahjen nëpërmjet ketij institucioni madhor, duke promovuar dhe krijuar klimën e favorshme për krijime të rëndësishme të gjinive të mëdha si dhe opera, balete, muzikë instrumentale e simfonike. Institucionet kulturore vuajnë mungesën e ligjit, të rregulloreve dhe zbatimin e tyre në botën muzikore.

Kështu, stina koncertore e orkestrës së RTSH duhet të funksionojë në bazë të rregulloreve, në rastin më të rëndomtë me standartet e festivalit të këngës, ku këngëtarët i nënshtrohen afateve në pjesëmarrje dhe audicione. Stina koncertore e orkestrës mbetet peng e dëshirave të udhëheqësve artistikë, drejtorëve e më tutje, ndërsa artisti, interpretuesi gjendet përballë një bllokade. Kështu interpretohen shumë koncerte për një instrument dhe lihen tej harqet, mungon violina soliste, violonçelli, që në rastin më të mirë zëvendësohen me të huaj dhe jo gjithmonë interpretojnë bukur.

Interpretohen të njejtat vepra, nuk ka programe të studiuara përfshi dhe veprat shqiptare, ku vetëm faktori mik duket se frymëzon dhe realizon koncertet. Akoma më e shëmtuar është bllokada që u bëhet instrumentistëve të harqeve brenda Shqipërisë.

Mjafton të shfletosh programet e disa stinëve koncertore ndër vite, interpretimet e muzikantëve me dy orkestrat tona, të Operës dhe Radios, për të kuptuar se gjithë koncertet për violinë e orkestër interpretohen nga violinistë të huaj ose shqiptarë që vijnë nga jashtë. Përtej interpretimeve brilante, rëndom shfrytëzohen si mundësi për të shtuar një koncert me orkestër në cv e tyre. Nëse këto institucione do funksiononin normalisht me dëshirën dhe pasionin për stinë koncerore të pasura përsa i përket repertorit, mbështetje për artistët taksapagues shqiptarë, vuajtës së stinëve të rënduara të situatave politike në vend, tabloja do ishte krejt ndryshe.

FB_IMG_1451286334034Mungesa e kritikës së specializuar duket se favorizon amullinë, ndërsa paraqitja si lavdi e çdo koncerti dhe kur orkestra dhe solistët i ngjasojnë “Karrocës së Dylit”, favorizojnë të njëjtën padrejtësi. Është absurde që një orkestër të madhe simfonike, që për fat ekziston fal urtësisë dhe profesionalizmit të muzikantëve, të përgjysmohet në koncert, të shndërrohet në orkestër harqesh vetëm se solistët nga jashtë për rehat imponojnë të tillë program. Mungesa e kritikës mbetet pjesa më e vështirë, ajo që profesionistët i shmangen, nga turpi që vazhdon të ekzistojë, nga prekja e interesave e atyre që shkruajnë dhe më rëndë nga inati apo pasojat nëse këtë e bën dikush që interpreton në skenë. Për aq kohë sa do vazhdojmë të heshtim kur muzika jehon për të shtuar një koncert në cv e interpretuesit, kudo qoftë, nuk mund të kemi përmirësim të situatës, dhe as vlerësim të arritjeve. Cdo sukses real meriton të evidentohet, të dallohet, të krahasohet.

Nëse muzika arrin kulmin e saj në formacionet e mëdha të korit dhe orkestërs, për aq kohë sa kemi vetëm zëra solistësh, shqiptarë vendi që ankohen, nuk duhet pritur reagim apo kujdes. Problemet muzikore që meritojnë vëmendje e përkushtim kërkojnë së pari korin e muzikantëve, kompozitorëve, një klimë dashamirëse midis tyre, konsensusin dhe simpatinë e Ministrisë së Kulturës.

Share: