Home KRYESORE Bosnja drejt nje konflikti te ri…?

Bosnja drejt nje konflikti te ri…?

Bosnja dhe Hercegovina është futur në një krizë të thellë dhe të rrezikshme e cila mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe mund ta çojë vendin drejt konflikteve të reja, vlerësojnë shumica e mediumeve boshnjake, pas vendimit të autoriteteve në Republika Srpska për ndërprerje të bashkëpunimit me Gjykatën dhe Prokurorinë qendrore dhe Agjencinë Shtetërore për hetime dhe mbrojtje (SIPA).

Kriza gjendet në ballinat e të gjitha gazetave ditore në Bosnjë, pa marrë parasysh se cilit entitet i takojnë. Gazeta “Avaz” shkruan se, bëhet fjalë për eskalim të përplasjeve në realzcionin Sarajevë-Banja Llukë (kryeqytet i Republika Srpskas), që zgjat tani disa muaj. Gazeta “Oslloboxhenje”, citon deklaratën e presidentit të RS, Millorad Dodik, sipas të cilit të enjten për pak nuk ka ndodhur konflikt i armatosur mes pjesëtarëve të SIPA-s dhe policëve lokalë serbë, në qytezën Bosanski Novi, gjatë aksionit për arrestim të pesë serbëve të Bosnjës që dyshohen për krime lufte.

Sipas gazetës “Avaz”, këto deklarata të Dodikit, rikujtojnë ndarjet brenda MPB-së boshnjake në vitin 1992, që i paraprinë luftës së përgjakshme në Bosnjë, por janë të ngjashme edhe me “balvan-revolucionin” përmes të cilit paramilitari Milan Martiç, filloi kryengritjen serbe në Kroaci.

Qëndrim të ngjashëm kanë edhe disa politikanë, në mesin e të cilëve është edhe anëtari i Kryesisë së Bosnjës, Bakir Izetbegoviç. Ai gjatë vizitës zyrtare në Ankara të enjten, shprehi shqetësim se, ky zhvillim i ngjarjeve në Bosnje mund të rrezikojë paqen.

Në analizat e para lidhur me vendimin e Milorad Dodikit për të ashpërsuar deri në fund raportet dhe lidhur me kërcënimet e tij me konflikte të armatosura, thuhet se, në prapavijë të kësaj mund të jetë tentimi i kryetarit të RS-së për të mbrojtur pushtetin e vetë për shkak të përndjekjeve të mundshme për krim.

Këtë qëndrim posaçërisht e shprehin partitë opozitare serbe. Ato nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të RS-së, ku janë miratuar konklulzat për ndërprerje të bashkëpunimit me policinë dhe prokurorinë shtetërore.

“Jam i bindur se këto konklaza janë të motivuara ekskluzivisht me faktin se shumë afera të mëdha korruptive janë në prag të ndriçimit”,- ka deklaruar ministri për Çështje Sigurie në qeverinë qendrore, Dragan Mektiç, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Serbe, e cila në nivel të Republika Srpskës gjendet në opozitë. Lajme.press

Share: