Nga Margarita Kadriu
Ndërrimi i moteve, para një viti, nuk dallonte thuajse asgjë me këtë të sivjetmin. Atëherë shpresonim se do ta linim pas një bllokadë gjashtëmujore institucionale, për të hyrë në një fazë optimiste për vendin, por sërish politika e bëri rrëmujë jetën e kosovarëve. Bllokada lëmë sërish pas, sepse ky brez partiakësh të papërmirësueshëm nuk mund të prodhojnë asgjë tjetër, përveç krizave të njëpasnjëshme. Me gjasë, as kjo nuk është e rastësishme, por lidhet me korruptimin e tyre masiv, në parti, në institucione, kudo ku ushtrojnë pozita publike. Bllokadat, krizat, incidentet, pushtetarëve u duhen për të sajuar alibi, që e zhvendosin vëmendjen publike nga problemet reale të qytetarëve te konfliktet artificiale e të panevojshme.
Qeveria e dinte që në fillim të vërtetën për marrëveshjen për Asociacionin serb të komunave dhe marrëveshjen tjetër për Demarkacionin me Malin e Zi, por qëllimshëm u konfrontua me opozitën që kërkonte anulimin e tyre me ngulm. Pushteti i oligarkëve kosovarë, në fakt, ia arriti që ta linte në hije korrupsionin që e bëjnë, krimin e organizuar,mafinë politike, duke i shpallur luftë opozitës. Fakti që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konfirmon shkeljen e Kushtetutës nga qeveritarët nënshkrues të marrëveshjes për Asociacionin, koalicioni as që e ka ndërmend të tërhiqet, është tregues i qartë se pushtetit i duhet patjetër një konflikt në zhvillim e sipër, për të kryer punët e tyre të mbrapshta. Në seanca të improvizuara trafikohen vendime të paligjshme, miratohet buxheti i vendit pa kurrfarë debati, nxirren ligje sipas interesave të grupeve mafioze, emërohen anëtarë puro partiakë në borde organesh të pavarura, të cilat në vend që t’i shërbejnë publikut, ndjekin agjenda të ngushta partiake, korruptive, oligarkike dhe tepër kriminale.
Koalicioni PDK-LDK nuk brengoset pse po e rrënon shtetin, sepse janë mësuar prej gati 16 vjetësh të funksionojnë në këtë mënyrë të tyren. Nuk ka sferë të jetës, që nuk është e infektuar nga kjo politikë destruktive. Shpresa e qytetarëve është venitur fare, nga ky lidership i paaftë për ta zhvilluar Republikën. Gjithçka është politizuar skajshëm. Fëmijëve tanë, nëse ky kurs degradues nuk ndalet, po ua lëmë një shtet demon. Nuk mund të paramendosh asgjë, asnjë ecje përpara, sukses në karrierë, investim në biznes, përparim në shkencë, arsim, shëndetësi, sport, art, nëse nuk je vasal i ndonjë lideri apo partie në pushtet. Të pavarurit mbijetojnë disi, por jeta e tyre është e mundimshme, e rrezikuar në çdo moment nga ujqit e pushtetit, nëntoka.
Para një viti, dhjetëra mijëra kosovarë, shumë prej tyre edhe të punësuar, mbushën autobusët dhe përmes Suboticës ia mësynë Evropës, në kërkim të një jete më të mirë, më të dinjitetshme. Qeveria nuk e vuri ujin në zjarr, por e vazhdoi agjendën e saj antikombëtare, qoftë në rrafshin e jashtëm apo atë të brendshëm. Premtimet i mori era, ndërsa asnjëri prej liderëve që udhëheqin qeverisjen, nuk skuqet sot, kur u bëhen pyetjet për qindra mijëra vende të reja pune, miliarda euro fonde punësimi e zhvillimi, liberalizim vizash, depolitizim institucionesh të pavarura.
Një vit më pas, dëshira për të ikur nga Kosova e sunduar prej një grushti politikanësh të tejinkriminuar është më e madhe se asnjëherë tjetër. Në tri mandate rresht në krye të shtetit, Partia Demokratike është përgjegjësja kryesore për katandisjen e vendit, por gjithnjë i bën bisht kësaj përgjegjësie. Kapjes së shtetit nga PDK-ja iu bashkëngjitën aleatë më të vegjël e më të mëdhenj, të cilët sa ishin në opozitë akuzonin, por kur iu bashkuan tortës së pushtetit, e mbyllën gojën plot. Njëjtë i ndodhi edhe kryeministrit të sotëm.
Është me rëndësi që të identifikohen shkaktarët e këtij degradimi, nëse duam të nxisim ndonjë përmirësim, të ngjallim shpresën për ndryshime pozitive. Kosova mund të jetë shtet i së drejtës, por sigurisht jo me këtë lloj qeverisjeje, jo me këtë nivel gjyqësori, jo me këtë performacë të Prokurorisë, jo me këtë Polici të politizuar, që reagon shpejt për të burgosur deputetë të opozitës, por nuk prangos dot kriminelët që u kalojnë nën hundë dhe u sillen aty rrotull.
Republika jonë nuk mund të ecë përpara, pa u liruar së pari nga pesha e së kaluarës, krimi dhe korrupsioni, pasuria e paligjshme. Oligarkët, pra, duhet të ballafaqohen me drejtësinë për vendimet e tyre të dëmshme, për milionat e fituara mbi kurrizin e taksapaguesve të ndershëm. Disa thonë se Gjykata Speciale mund të kryejë punë, por nuk është kjo zgjidhja. Ta zëmë, se disa protagonistë të mafisë politike përfundojnë në Gjykatë. Çdo të bëjmë me rrjetin e tyre kriminal, të shpërndarë ngado në Qeveri, në komuna, në kompani publike, në medie oligarkësh, në agjenci të pavarura?
Kosovës i duhet urgjentisht një ligj dekriminalizimi, që ua ndalon një herë e përgjithmonë të gjithë atyre që janë të dyshuar, të përzier, apo kanë përgjegjësi për afera të ndryshme kriminale, të jenë pjesë e institucioneve. Fuqia e ligjit do t’i detyrojë partitë ta shohin pushtetin si përgjegjësi para qytetarëve e jo si mundësi luksi, privilegjesh, abuzimi, përfitimi të paligjshëm, shpërdorimi pozite. Shoqëria duhet të jetë e aftë për ta shtuar presionin ndaj pushtetarëve dhe, në qoftë nevoja, të shkojmë në zgjedhje sa herë që politikanët mashtrojnë votuesit. Edhe kriza që po na ndjek nga pas, zgjidhje tjetër nuk ka, pos zgjedhjeve parlamentare. Sovrani duhet të flasë nëse i mbështet apo jo politikanët që nënshkruajnë marrëveshje antikombëtare e antishtetërore dhe mashtrojnë qytetarët për të fituar vota.
Ndërkohë, dalja e alternativave të reja, edhe pse në një ambient shumëpartiak, është e mirëseardhur, për të kufizuar pushtetin autoritar të partive të mëdha, të cilat kanë uzurpuar të ardhmen e këtij vendi. Sot është koha për të vepruar konkretisht. Republikës i duhet një qytetari aktive, e jo vetëm të qahemi se pse po na sundojnë “monarkët” oligarkë të kohës moderne. Intelektualët e mirëfilltë duhet të zgjohen nga gjumi e të mos shiten për një rrogë të mirë universiteti. Ky është një moment kritik për vendin, prandaj secili mund ta japë kontributin e vet, duke shprehur mendimin e lirë, duke protestuar ndaj dukurive negative, duke dhënë ide për daljen nga kriza. Le të shkojmë, pra, me energji pozitive dhe shpresë për ndryshime rrënjësore drejt asaj që mund të jetë Pranvera Kosovare. Na duhet një e tillë, për t’u liruar nga sundimi shumëvjeçar i një politike tashmë të dështuar.
(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)