Nga Andrea Stefani
Vërehet një prirje e ethshme donkishoteske, jo vetëm brenda vendit, për ta risjellë në axhendën e politikës nevojën e ripërmbysjes së një thuajse diktature komuniste në Shqipëri. Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” nga Lory Amy, profesoreshë e Universiteti të Xhorxhias, gjen disa përfundime që përkojnë me këtë linjë donkishoteske “antikomuniste”. A mund të jetë një bunker objekt i krenarisë për shqiptarët? – pyet profesoreshën gazetari. Dhe profesoresha argumenton se bunkeri nuk mund të konvertohet në identitet kombëtar, as në vlerë dhe as në vepër arti.
Ironia qëndron në faktin se bunkeri nuk është ndërtuar për të qenë shprehje e identitetit kombëtar, as për të qenë vlerë apo vepër arti por për të mbetur fakt historik i kërcënimit të identitetit kombëtar, provë e antivlerës së një sistemi. Dhe ai nuk tenton të lëndojë ndjenjat e atyre që vuajtën nën shtypjen komuniste por që gjeneratat e reja, që nuk kanë vuajtur nën diktaturë, të edukohen me neverinë për të. E për këtë një nga rrugët është edhe ekspozimi i shëmtive të diktaturës si ai bunker. Prandaj ai nuk është as një vepër arti por një blanë historike kundër harresës që mund të na qorrollisë përsëri në greminën e diktaturave. Nëse nuk është kështu atëherë përse edhe gjermanët mbajnë në këmbë shëmti të tilla si kampet e naziste të përqendrimit?
Eshtë e neveritshme kur shikon të bien në grackën e “antikomunizmit” berishist edhe “zogj” nga SHBA si profesoresha Amy. Dhe nuk mund të mos habitesh se përse ata që flasin apo protestojnë sot kundër bunkerit të ngritur nga socialistët, nuk kanë folur kundër një tjetër bunkeri të ngritur vite më parë nga demokratët po në qendër të Tiranës!!!