Nga Mentor Kikia
“Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e qeverisjes dhe udhëheqjes së saj, për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Protagonistët dhe intelektualët e vendit duhet të dëgjojnë thirrjen time dhe ti bashkohen përpjekjeve tona për të nisur modelin post-politik të qeverisjes, si një alternativë e re. Të korruptuarit dhe mediokrit, ose të largohen ose të përqafojnë ndryshimet radikale….
Po ju flas ju shqiptarëve, ka ende kohë për të ridrejtuar rrugëtimin tonë drejt të ardhmes më të mirë të mundëshme. Sëbashku mund ta arrijmë këtë me ndihmën e “Endërrimtarëve Ekspertë”.
Kështu e mbyll komentin e tij për Shqipërinë Jaime Pozuelo Monfort i “Huffington Post”, të titulluar “Drama e Shqipërisë”. Pa asnjë dileme, autori thotë se në Shqipëri ka dështuar sistemi dhe se shqiptarët, ose më saktë “Protagonistët dhe intelektualët e vendit duhet të dëgjojnë thirrjen time dhe ti bashkohen përpjekjeve tona për të nisur modelin post-politik të qeverisjes, si një alternativë e re.
Sëbashku mund ta arrijmë këtë me ndihmën e “Endërrimtarëve Ekspertë”. Por përse gazetari i prestigjozes politike amerikane thotë “ne”? Kë përfaqëson ai? Kush janë këta Endërrimtarë Ekspertë? A është kjo një figurë letrare, apo gazeta ka parasysh ndonjë grup personash konkretë? A është ai pararoja e ndonjë dërgate nga mërgimtarët shqiptarë në SHBA, që u larguan nga vendi në fillim të viteve ’90, si të pakënaqurit e parë të Berishës në PD? A ka lidhje ky shkrim me disa konferenca do të mbahen në Tiranë këto ditë për të kujtuar, dhe jo vetëm kujtuar, 25 vjetorin e lëvizjes studentore dhe krijimit të PD-së? A është duke u përgatitur një “alternativë” e re politike me ata që deri tani kanë dhënë këshilla online nga SHBA?
Përmes këtyre pyetjeve po përpiqesha të gjeja një përgjigje jo thjeshtë mbi rolin e një media-jeje, me autoritet në analizën politike sic është “Huffington Post” ne zhvillimet politike ne vend, por edhe për hamendësimet, për marrjen e një roli nga “Dhjetoristët” e arratisur, të cilët deri tani kanë qenë thjeshtë kritikë të ashpër të gjithëckaje që ka ndodhur këtu.
Unë personalisht besoj që “ekspertët idealistë, të ndershëm dhe që e duan këtë vend” mund ta sjellin më shumë ndryshimin sesa “Ekspertë Endërrimtarë”. Por, ndoshta duhet të presim të mësojmë, nëse ajo që shkruhet ishte thjeshtë një koment apo një paralajmërim…