Home KRYESORE Ekuilibri i ri i qeverisë për politika të djathta.

Ekuilibri i ri i qeverisë për politika të djathta.

Nga Besart Kadia

Në kulmin e krizës në Europë gjatë vitit 2009, kryeministrja e Gjermanisë, Angela Merkel nuk kapi në kohë ndjenjën negative që kishte krijuar kriza ekonomike në popull. Me të njëjtën veshje si vetëm të para disa muajve, ajo u shfaq në publik shkujdesur, me një fustan e një varëse të shtrenjtë, jo shumë të shtrenjtë, por aq sa të dukej qartësisht si një luks i panevojshëm në kohë krize.

Kriza ekonomike kudo nxit një sjellje deprimuese në shoqëri duke ndikuar në çdo gjë, në art, sport e politikë. Ndrydh konsumin e frikëson investimin. Ajo i bën qytetarët shumë të ndjeshëm ndaj çdo politike që mundet të ndikojë sadopak në adresim të shqetësimeve të tyre. Kriza ekonomike shndërrohet lehtësisht në një frenim shoqëror irracional. Dhe nxit diskutim për zgjidhje.

Ndaj në këtë këndvështrim, diskutimi për financat publike dhe administrimi më i mirë i burimeve të pakta publike rikthehet dhe njëherë fuqishëm në Shqipëri në kohë krize. Ky debat vjen në një kohë kur në parlament kalon buxheti i dytë, i plotë socialist pas rritjes së taksave të bëra në dhjetor 2013. Shpresa ishte se me anë të këtyre taksave, të majtët do të mund të rregullonin problemin e pabarazisë në vend, ku të pasurit do të kishin më pak të ardhura e të varfërit më shumë të ardhura me anë të taksës progresive.

Përveç dështimit të bërë në mbledhjen e të ardhurave të parashikuara, këtë vit diskutimi ka dhe dimensionin e tij të shpenzimeve. Po të kthejmë kokën pas në kohë, mundet të analizojmë shumë prej projekteve të bëra në këto dy vite me paratë publike përsa i përket palmave, shesheve të qyteteve apo dhe shtimit të numrit të panevojshëm të ministrive në vend.

Në këtë këndvështrim, diskutimi se taksat e larta janë të nevojshme për të adresuar varfërinë në vend, duket se do të dështojë në periudhën afatgjatë. Çdo e ardhur shtesë në buxhetin e shtetit bën këdo kryeministër të mendojë sikur ato janë paratë e tij dhe çdo investim që ai bën është i mirë. Në fakt, shpenzimet me buxhet të kufizuar kanë një kosto oportune të lartë.

Sa herë që në një vend të varfër si Shqipëria ne vendosim të investojmë në palma apo në rrugë, jemi së pari duke mos investuar në spitale apo shërbime të tjera publike, dhe nga ana tjetër jemi duke privuar bizneset private nga të ardhura shtesë që ato mund të kenë për të investuar në bizneset e tyre në teknologji, në staf të ri e në zgjerim apo dhe në konsum. Kjo kosto e fshehur e çdo investimi publik e siguruar nga taksat gjithnjë harrohet nga publiku. Ç’bën shteti me paratë e tyre, krenohet politika. Ç’mund të bëhej me paratë e tyre nga vetë ata, e harrojmë!

Konkurrenca e taksave të ulëta ndodh zakonisht mes shteteve e rajone të ndryshme në mbarë botën për të tërhequr investime të huaja direkte. Konkurrenca e taksave të ulëta po shndërrohet në debat më së fundmi mes partive politike dhe në Shqipëri. Testi i fundit i taksave të larta për drejtësi sociale dështoi. Pabarazia ekonomike arrihet vetëm nëse kemi rritje ekonomike të lartë.

Çdo masë direkte e shtetit për të ndikuar në ulje të varfërisë ul konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë. Opozita ka bërë ofertën e saj tërheqëse për taksë të sheshtë 9% dhe për ulje të TVSH-së në minimumin e rajonit. Qeveria është shndërruar në ndjekëse të këtyre politikave duke hequr taksën për biznesin e vogël në vend. Kjo konkurrencë për taksa të ulëta po çon diskursin publik më në fund në një mesatare të domosdoshme nga të gjitha palët për rëndësinë e taksave të ulëta e shtetit të vogël. Por nga ana tjetër, ky liberalizëm fiskal po krijohet në kushtet kur presioni mbi financat publike është i lartë dhe kërcënimi i borxhit publik është gjithnjë e më prezent.

Por në mes të këtij mandati të kësaj qeverisjeje socialiste mund të flasim për reformat në të ardhmen nga ana e shpenzimeve, ku fillohet me uljen e numrit të ministrive, thjeshtimin e taksave dhe numrit të tyre, dixhitalizimin e çdo aspekti të shërbimeve publike dhe privatizimin e më shumë shërbimeve të prapambetura si shëndetësia apo arsimi.

Diskursi për ulje të taksave është vetëm fillimi. Shteti i vogël ndjek logjikshëm këtë debat për të shndërruar Shqipërinë në shtet konkurrues e me mirëqenie të lartë falë politikave liberale.

Share: