Home KRYESORE Gjyqtar/e! Jam Unë përsëri!

Gjyqtar/e! Jam Unë përsëri!

Nga Ahmet Dursun

Nuk e di sa do të rrish, por këtë javë kam ndërmend të të shtrij paksa në “divanin” e Frojdit!…

“Kur jam i dashuruar, veç dashurisë, çdo gjë tjetër e përzej nga vetja”- tha Frojdi. Pikërisht për këtë thënie jam marr më gjatë me Frojdin, se sa me gjyshin tim.
E kam njehsuar këtë thënie me çdo dallgë të mendjes sime, veç për ty gjyqtar/e, e veç në brigjet e tua plot bereqet, më përplasi në çdo frymmarrje. Dua të më japësh kohë deri në pranverë, që të ma përkthesh përkushtimin, ndjeshmërinë, vigjilencën rrënqethëse, drithëruese e tranuese, si një dashuri ëndrrash ndaj teje…

Nuk e di, nëse Ti e di? Në të vërtet Je me shumë fat…90% e shqiptarëve, janë të dashuruar marrëzisht me Ty. Gati gati dhe për pak sa, do t’ja mbërrish dashurisë për Enver Hoxhën, në kohën kur Ai ishte në Zenit.

Gjyqtar/e!

Pas katër shkrimesh enkas për ty: ISIS-i dhe Shëmbëlltyra e Tyre në Shqipëri; Fundi i ISIS-it dhe Shëmbëlltyrës së Tij në Shqipëri; Presidenti dhe Hajdutët e Karameleve; Kollotumba e Parë e Rilindjes së Drejtësisë, ndjej se marrdhënia jonë po hyn në një fazë të një përafrimi mbreslënës…

Pas çdo shkrimi vijues, nën trysnin e një mjedisi të mjegullt socio-psikologjik, me shpërthime radikale, në mënyrë integrale, në subkoshiencën tënde, do të garojnë agresiviteti, bashkë me akte seksuale zanore ndaj meje.

Mos ma lë sevdan pa karshillëk, Gjyqtar/e!…
Eh! Tani që u shtrive mbyll sytë dhe lexo! Pa ankth, lexo dhe merr vesh, se sa pak di!
1992: Kursi i Plepave.

Nuk qe ide e keqe si nisje! Plepi s’do shumë hyzmet, rritet shpejt, s’është i dashur, sepse ndryshe nga bimësit e tjera qëndron gjithnjë drejt. E keqja ishte se shtatzanija e ”˜’plepave” që të polli Ty, zgjati veçse 6 muaj. Pra gjyqtar/e, ti linde gjashtanik/e…

1993-94: Pra 0-1 vjeç. Faza jote orale.

Çdo gjë që të arrinte dora, e fusje në gojë. Mësove shijet; të idhtën; të ëmblën; të thartën; lakmija dhe zilija kishte madhësinë e gojës. Dhëmbët i kishe të vogla atëherë dhe i kruaje me sende të vogla e gjysëm të forta.

1994-97: Pra 1-4 vjeç. Faza anale.

Nise të kërkosh lavdinë në jashtqitjen tënde. Pas çdo ngrënie mezi prisje të vinte çasti i shkarkimit, e sa më të ndryshme erërat, ngjyrat apo format, aq më shumë njihje një pjesë të privuar të vetes nga sistemi i kaluar. Hakmerreshe me të dyja anët ndaj komunizmit. Sa më shumë shaje Enverin, po me aq zell ulurinte zorra.

Gjatë krijimit, zhvillimit dhe rënies së piramidave, e vetmja jashtqitje që mbeti e pa ndryshuar, ishte ajo e jotja.

1997-99: Pra 4-6 vjeç. Faza fallike.

E kuptove se ke diçka që zanatçinjtë e tjerë nuk e kanë. Ke diçka që kur e prek të pëlqen. Kështu nise t’ja tregosh edhe të tjerëve, dhe sidomos kuptove se, sa më shumë të ta preknin aq më shumë të kapte gazi.

1999-2005: Pra 6-12 vjeç. Faza paragjenitale (Laten).

Periudha e shfaqjes së të gjitha zakoneve të përfituara: zhvillimi i egos; periudha e pozicionimit.

Pas luftës së Kosovës dhe trazirave në Maqedoni, ndërsa nisën themelet e ekonomisë së tregut, një prej katër shtyllave u bëre ti. Atë që të jepte “pamjen ballore”, e lejoje të ndërtonte, ndërsa shumë të tjerë që nuk donin partner pa kontribut, i shtrive në “divanin” e Frojdit me shumë zgjuarsi, (kështu si unë ty tani).

2005 deri në fundin e 2015-tës: Faza gjenitale.

Për ty tashmë çdo gjë meriton përdhunim me dhunë. Tek për tek si fillim, e nese nuk ke takat të unionizuar, çdo çështje e virgjër e humb dlirësin e saj…

Në atë përhumbje, tek sa gjumi sa të shkon përsysh, sheh njerëz lakuriq të shtrirë si vedena, që presin t’u marrësh erë, për të kuptuar a janë bërë për t’u ”˜’këputur”…Në ëndrra takon Vatsjajanën dhe e tall për librin e tij, Kamasutrën. Në njërën dorë kushtetutën dhe me tjetrën dorë tek plepi, i tregon atij se sa pozicione ke shpikur, në fazën tënde gjenitale teksa i ke “gjykuar” shqiptarët…

Gjyqtar/e…

Zgjohu tani! Kaq ishte për këtë javë…
E di që për Ty, jam veçse një krimb!
Në të vërtet ashtu jam, një krimb i vogël, i butë, i shpifur!

Në rrënz me tokën kam nisur të të gryej, dalëngadalë, butë – butë, e ëmbël – ëmbël. Në rrënz! Aty ku qukapiku nuk qëndron dot! Në pranverën e 2015-tës, pak erë dhe pak shi do të duhet, që të rrëzohet plepi, që Ty të polli.

Në thelb , dashuritë e mëdha të gërryejnë gjyqtar/e…Ti po e gërryen Shqipërinë, e unë do të gërryej ty me shumë dashuri!

Share: