Nga Av. Idajet Beqiri
Grinden edhe për gjatësinë e “kastravecit“, por e gjejnë shumë mirë fjalën për sistemin zgjedhor…
Reforma zgjedhore duhet të ishte reforma e parë që duhej bërë në këtë vend. Shqipëria është mbajtur dhe ende do të mbetej peng i krimit, i korrupsionit, i destabilitetit dhe i lloj-lloj fenomeni tjetër regresiv vetëm nga mungesa e plotë e standardeve në zgjedhje.
Kodi Zgjedhor aktual ka në thelb “parimin” e ruajtjes së pozitave kryesore të politikës, PS dhe PD, të cilat grinden për gjithçka, madje edhe për gjatësinë e “kastravecit” që i ofrojnë njëra-tjetrës, por e gjejnë për bukuri fjalën për të bërë një sistem zgjedhor të atillë që, pushteti të qarkullojë vetëm në dy duart e tyre, përmes një rotacioni vetëm dy ngjyrash që u imponohet shqiptarëve”, u shpreh Beqiri.
Ai tha se PS-PD e kanë shkatërruar sistemin zgjedhor. “Këto dy forca politike e degjeneruan thelbin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe korruptuan deri në absurd përfaqësimin e drejtpërdrejt të popullit si ligjbërës dhe fuqiplotë në qeverisjen e vendit, sepse vullneti dhe vota e lirë e popullit është zëvendësuar me fuqiplotësinë e vetëm një njeriu, kryetarit të partisë”, tha Beqiri.
Gjithashtu, ai tha se dy partitë politike nuk kanë të drejtë të vendosin lidhur me sistemin zgjedhor dhe infrastrukturën e saj.