Home KRYESORE HISTORIA E ZYMTË E NJË MEDALJEJE DHE NJË NDJESË E IMPONUAR!

HISTORIA E ZYMTË E NJË MEDALJEJE DHE NJË NDJESË E IMPONUAR!

Nga Edi Rama

E kam përjetuar me trishtim befasinë e lajmit se në 70-vjetorin e çlirimit të vendit tonë, Ministria e Mbrojtjes paska dekoruar, ndër të tjerë, torturuesin e dy shpirtrave të bukur të rezistencës antikomuniste shqiptare; Patër Zef Pllumin, kalorësin e besimit që i mbijetoi të gjithë rrathëve të ferrit ateist të Enver Hoxhës, e që do të mbetet përgjithnjë edhe një pasuri e çmuar e jetës sime personale, sepse më dha privilegjin e madh të miqësisë së tij, qysh në ditët e para të tranzicionit të gjatë; Sami Repishtin, profesorin kryelartë të mërgatës shqiptare në Amerikë, që s’kam pasur fatin ta njoh dhe ta falenderoj personalisht, për shembullin e tij frymëzues, për mua e shumë të tjerë, të përfshirë në lëvizjen universitare kundër regjimit komunist, po kam sot detyrimin t’i kërkoj të falur për tronditjen e kuptueshme që i ka sjellë medalja e marrë prej torturuesit të tij.

Në këtë kërkesë faljeje për të nderuarin Sami Repishti, është brenda ndjesa edhe për këdo tjetër që ka kaluar në duart e torturuesit famëkeq, përfshirë dhe të gjithë familjarët e të afërmit e tyre të lënduar me plot të drejtë nga ky lajm, shumë i befasishëm edhe për mua.

E kërkoj ndjesën e këtyre njerëzve, po edhe të gjithë të tjerëve që janë ndjerë keq nga një lajm i tillë, jo pse kam gabuar apo kemi gabuar me dashje. Jo, kjo nuk ka ndodhur! Madje e vërteta është se në kuptimin formal të përgjegjësisë, ne nuk kemi gabuar as pa dashje (dhe do ta shpjegoj pse). Por ndjesa është e detyrueshme, sepse edhe pse krejt pa dashje, edhe ne jemi bërë pjesë e një historie shumë të zymtë, ku ndër vite janë përfshirë lloj-lloj kokëtrashësh, hipokritësh e hileqarësh.
Kjo histori kaq e zymtë nuk ka nisur vjet, në 70-vjetorin e çlirimit, po shumë vite më parë. Torturuesi famëkeq i Patër Zefit dhe i Profesor Repishtit, nuk e ka marrë për herë të parë vjet, përmes medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes, shprehjen e mirënjohjes së Qeverisë shqiptare si veteran i luftës. Ai dhe të tjerë sivëllezër e simotra të sojit të tij të torturuesve, pushkatuesve, internuesve, përvëluesve të zemrave e të familjeve të panumërta shqiptare, përfshirë edhe vetë Nexhmije Hoxhën, janë nderuar prej kohësh dhe që shumë kohë më parë, si veteranë të luftës.

E vërteta e hidhur është se Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë vendimin për dhënien e medaljeve, duke iu referuar të ashtuquajturës kategorisë I, jo duke qëmtuar emra të përveçëm. Kjo do të thotë se kategoria I, është përcaktuar me ligj e vendime të veçanta kohë më parë dhe askush, asnjëherë, për arsye të panjohura për mua, nuk ka marrë mundimin të qëmtojë emrat e përveçëm të përfshirë në këtë kategori. Ose më keq akoma, ka bërë të dy sytë qorr dhe në mënyrë hileqare, u ka hapur rrugë të tërë minjve të parakalojnë për plot 20 vjet nën mustaqen e shtetit.

Në vitin 1994, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori i 25 vjetëve të fundit, po me siguri edhe njëri ndër akuzatorët dhe falsifikatorët më të mëdhenj në historinë politike të Shqipërisë, ishte President i Republikës kur dekretoi Ligjin Nr. 7874, (pak ditë para festës së çlirimit, bash me rastin e 50-vjetorit të çlirimit), për Statusin e Veteranit të LANÇ-it. Ai është ligji që sot e gjithë ditën përcakton bazën ligjore të statusit të veteranit të LANÇ-it. Disa muaj më vonë, në vitin 1995, qeveria e këtij përçudnuesi të paskrupullt të çdo norme e vlere të politikës e të kulturës demokratike, miratoi vendimin me nr.190, dt.3.5.1994, që rregullon administrativisht statusin e veteranit. E pra, zanafilla e faktit të trishtueshëm të medaljes për torturuesin famëkeq të Patër Zefit e të Profesor Repishtit, i përket bash asaj periudhe dhe qëndron pikërisht mbi atë bazë ligjore, të ndërtuar asokohe nga ky shpërdorues ekstremist, i çdo fakti e prove që nuk i vjen për shtat politikës së tij të shpifur, dhe shpifës i paepur, i çdo monstruoziteti e paturpësie, që prej 25 vjetësh ua mvesh kundërshtarëve të tij, duke e kthyer mjedisin e debatit pluralist në një gropë septike ku kush më shumë e kush më pak, jemi ndotur që të gjithë.

Ky skandaloz, që është fatkeqësia që na shoqëron si një mallkim i Partisë së Punës dhe po ashtu, turpi ynë shoqëror që e kemi pasur majë më majë e shteg më shteg prej 25 vjetësh, nuk ka lënë të vdekur pa trazuar e të gjallë pa përbaltur 25 vjet me radhë, po jo vetëm; as dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit nuk i hapi (përkundrazi, asgjësoi e dëmtoi sa mundi me mashat e tij në SHIK-un famëkeq), e as të përndjekurve politikë nuk ua bëri kurrë respektin e pendesës shtetërore, po veç i lau e leu me lotët e krokodilit të dalë nga pishina e vilës së Enver Hoxhës, por u ka siguruar statusin më të lartë të veteranit dhe u ka paguar që prej 20 vjetësh pension ekstra çdo muaj, jo vetëm torturuesit të Patër Zefit, për të cilin na akuzon ne me ulërima, po edhe Nexhmije Hoxhës, Aranit Çelës e disa të tjerëve të këtij soji, të cilët i ka fshehur skuthërisht mes rreshtave të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare.

Saktësisht në vitin 1996, (me vendimin nr. 34, datë 6.5.1996), i ka dhënë statusin e veteranit të LANÇ-it pikërisht atij që sot e hedh në oborrin tonë si “ish-xhelat të Patër Zef Pllumit”, njësoj siç bënin tinëzarët e sojit të tij që fusnin armët nëpër kisha, për t’i përdorur si prova të inkriminimit të klerit katolik.

Medalja që ky zanatçi i sherrit e i rrëmujës përdor për sot si provë, për të na kriminalizuar ne dhe joshur të verbërit që i shkojnë pas me gurë e me hekurishte nëpër duar, është dhënë në zbatim të ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994, dekretuar nga po ky vetë si President i Republikës së Shqipërisë. Është kapur pas medaljes si i marri pas hijes së vet dhe ulërin e bërtet për medaljen e një torturuesi, të cilit prej njëzet vjetësh, taksapaguesit shqiptarë i paguajnë pension ekstra si rezultat i firmës së Sali Berishës dhe në zbatim të akteve ligjore e nënligjore, të miratuara nga ai vetë e nga qeveria tij.

Për çfarë meritash ia dha atëherë statusin e lartë të veteranit të Atdheut, torturuesit të Patër Zefit e të Profesor Repishtit apo edhe të tjerëve si ai, dhe pse u desh të plakej ky marifetçi pa din e iman, që të na i zbulonte pas 20 vjetësh krimet e pasluftës së këtij veterani?

Si ka mundësi që kaq e kaq vite në pushtet e në mes të mexhelisit politik e mediatik, ku s’ka lënë mbrapshti pa bërë kundër historisë së Shqipërisë e të vetë LANÇ-it e s’ka lënë pështymë pa lëshuar kundër veteranëve të asaj lufte heroike, e ka lënë torturuesin të ushqehet me pension ekstra pa nxjerrë një llaf goje as për të, as për të tjerë që janë në listën e të dekoruarve të Ministrisë së Mbrojtjes, me bekimin e tij dhe nën kujdesin e tij të veçantë për njëzet vjet rresht?
Këto janë pyetje krejt retorike natyrisht, njësoj siç është retorike edhe pyetja: “Pse xhanëm ky antikomunist i zjarrtë nuk i hapi kurrë dosjet e spiunëve të Sigurimit, duke e katandisur Shqipërinë të vetmin vend në krah të Rusisë, që mbajti kyçur 25 vjet haurin e persekutimeve e të torturave komuniste?”

Thelbi logjik dhe aspekti ligjor flasin qartë, se medaljet e dhëna për 70-vjetorin nga Ministria Mbrojtjes, s’kanë asnjë lloj motivimi politik në emër “të etërve” dhe nuk janë asgjëkundi ndonjë formë rehabilitimi, për torturuesin në fjalë apo këdo tjetër që njësoj si ai, nuk e ka merituar kurrsesi të jetë asnjë ditë, e jo më për njëzet vjet me radhë, në listën e nderimit të shtetit shqiptar për veteranët e LANÇ-it. Ministria e Mbrojtjes s’ka pasur asnjëherë dhe as këtë herë, as përgjegjësinë për përmbajtjen e asaj liste dhe as detyrimin ligjor për të gërmuar në të kaluarën e personave të përfshirë në kategorinë I të veteranëve të LANÇ-it. Ne kemi nisur me urgjencë punën për të propozuar ndryshimet përkatëse të ligjit që ka hartuar dhe firmosur kryeakuzatori kryefalsifikator i Shqipërisë, në mënyrë që qorrsokaku njëzetvjeçar, ku na futi edhe ne së fundmi ligji ekzistues të shembet njëherë e mirë.

Kjo është një histori tipike e kriminalizimit të kundërshtarit me mjetet e botës së errët të gënjeshtrave, shpifjeve, fabrikimeve, që kryefajtori për shumë e shumë gjëma e bëma në 25 vitet e fundit të këtij vendi, i eksportoi nga organizata bazë e PPSH-së, në Partinë Demokratike, në Kuvendin e Shqipërisë, në Presidencën e Republikës, në Këshillin e Ministrave e kudo ku shkeli dhe i dha gojës në sytë e shqiptarëve.

Share: