Nga Mentor Kikia
Kush tha se gjykatat shqiptare zvarrisin proceset? Ja, Ardian Fullanin e gjykuan dhe e shfajësuan fët e fët. Një seancë në shkallë të parë, një seancë në shkallë të dytë dhe për dy muaj i mbylli hesapet me drejtësinë ish guvernatori që drejtoi bankën në periudhën më të zezë, qëkurse është hapur banka e shtetit shqiptar.
Paratë e vjedhura BSH-se i konsideroi si humbje, që do të thotë se u mbyllen edhe detyrimet për rikuperimin dhe 7.5 milion Dollarëve, të cilët tashmë u bënë koncept, jo më materie.
Ndërsa sot në gjykata gjen njerëz që zvarriten për vite me radhë, edhe për të korrigjuar një germë të emrit shkruar gabim diku në një regjistër shteti. E njëjta situatë në çdo zyrë shteti, ku është mallkim të kesh një punë. Kudo të zvarrisin, shtatë vula brenda një zyre dhe kudo duhet të paguash, të paguash me faturë dhe nën dore.
Njëra zyrë e shtetit, tjetra e koncensionarit, që ka marrë shtetin me qera. Njëri të vjedh me faturë e tjetri të vjedh me rryshfet. Një torturë psikologjike që të bën të të duket lule kampi i refugjatëve në Gjermani.
Ndërsa të fuqishmit dhe hajdutët mbarojnë punë shpejt. Ata kanë drejtësinë dhe shtetin e tyre, pa vonesa, pa ndëshkime. Ndërsa ne kemi shtetin tonë, ai që të merr erzin për cdo gjë.