Nga Vasil Tabaku
Sa larg
sa thellë
sa e dhimbshme
paska qenë LIRIA…
Fjalën
dhe frymën
dritën
dhe zërin
këngën
dhe ajrin
dashurinë
dhe shpresën
gjakun
dhe jetën
jetën
dhe përtej jetën
të gjitha
gjithçka
u bënë gurë dhe drurë
pemë dhe lum
u bënë male
të ngrënë nga dhimbja…
Trupi ynë i brishtë
supzhveshur
lagur prej shirave
kafshuar ujqërisht
lëkundur
mes jetës dhe vdekjes…
Shtati ynë
i ndarë përgjysmë
copëtuar
mbi rrënojat
e kontinentit të vjetër
ashtu si sythat
në trungun e pemës
kërkon të rilind…
Mbi copëza
tragjedish të ngurtësuara
mbi troje tradhtishë rrëshqitëse
mbi buzëqeshe vrasëse
mbi fjalë të gjymtuara…
Mbi dhimbjen
mbi hirin e zjarreve të egër
mbi heshtjen vrasëse
do të ribëhet gjithçka
gjithçka do të rilind…
Do të ribehet
Shqipëria ime
Shqipëria jonë…