Home KRYESORE Korrupsioni si “luftë klasash”…

Korrupsioni si “luftë klasash”…

Nga Artan Fuga

Flitet shumë për korrupsionin. Aq shumë sa edhe reformën në drejtësi e lidhin me luftën kundër korrupsionit. A thua nuk ka kuadri juridik dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë një gamë më të gjerë, shumë më të gjerë shqetësimesh sesa cështja e korrupsionit? Reforma në drejtësi duhet të ketë sipas meje në qendër të drejta të tjera, shumë më të zhvilluara sesa tani për qytetarin.

Por kjo duket një çështje tjetër.

Nga vjen korrupsioni. Ka përqasje të shumta që nuk dua t’i analizoj. Dikush, moralist, shprehet se ngaqë kemi humbur vlerat morale, njohim korrupsion. Dikush, psikolog, e mbështet arsyetimin te psikologjia prej zhvatësi e këtij apo atij. Një lloj kleptomanie e gjeneralizuar. Të tjerë, tradicionalistë, e shohin korrupsionin e sotëm te e kaluara prej bakshishi otoman, ose te korrupsioni për një kg mish në mapon komuniste të lagjes. Ca te varfëria që pjell drogën. Te gjitha mund të jenë. Nuk kam kundërshtim. Ajo që u mungon këtyre përqasjeve është se nuk lidhen në një të vetme, u mungon vështrimi epokal, lidhja me aksin drejtues të kohës që kalojmë. Janë vështrime të përthyera. Sigurisht mikroanaliza duhet. Korrupsioni i gjyqtarit, mësuesit, mjekut, politikanit, gjyqtarit, policit, nëpunësit, biznesmenit, apo pronarit a rektorit të një universiteti, janë dukuri gjithësesi të ndryshme, por amà kanë edhe të përbashkëta. Duhen analizuar një e nga një sipas sektorëve, por kjo kërkon një studim të gjerë dhe të thellë që nuk besoj se politika ka interes ta promovojë dhe ta mbështesë.

Këtu dëshiroj ta trajtoj korrupsioni si makrodukuri sociologjike epokale.

+++

Dihet se çdo etapë e shoqërisë karakterizohet dhe e merr tonin nga tensionet mes shtresave shoqërore kryesore. Seicila kërkon të dominojë të tjerat ose procesin historik. Por, ne, të verbuar nga përbuzja që kemi për teorinë e luftës të klasave, kemi humbur aftësinë për t’i gjykuar sociologjikisht dukuritë sociale, meqë nuk e pranojmë më konceptin klasë, por vetëm atë që quhet individ. A nuk flasim për të drejta individuale, kurse sindikatat nuk i duam sepse ato nxjerrin nga arkivat klasat dhe shtresat shoqërore, që sipas nesh nuk ekzistojnë më. Kush flet për shtresat shoqërore nga ekonomistët dhe sociologët shqiptarë???

Pa u hallakatur në histori, sepse atje shembujt janë të panumurt dhe verifikues të plotë të kësaj që po shpreh, më ka bërë përshtypje lufta dhe tensioni mes fisnikëve dhe funksionarëve të mbretit në kohën e ngjizjes të monarkive të centralizuara në duart e monarkëve kombëtarë në Europën e disa shekujve më parë.

Nëpunësi i mbretit dhe fisniku lokal ishin në konkurrencë të ashpër për pushtet, pasuri, kontroll juridik mbi shoqërinë, taksa, etj. Kush e ka parë filmin “Tre Moskjeterët” i kujtohen ndeshja mes heronjve shpatarë të Mbretit dhe intrigantëve lokalë. Betejat mbaruan me fitoren e nëpunësve të mbretit. Monarkitë u imponuan feudalëve lokalë, derisa erdhi një shtresë tjetër e byrgerëve që ndryshoi përsëri skenën e përplasjes të klasave e grupeve shoqërore të kohës.

+++

Korrupsioni për mua sot në Shqipëri nuk është thjesht një dukuri psikologjike, morale dhe një raport kriminal i individit kleptoman dhe deviant me ligjin. Korrupsioni i një politikani, nëpunësi, të zgjedhuri, njeriu me pushtet, pra i një personi me pushtet, në Shqipëri, nuk është si dukuri shoqërore i barabartë dhe i njejtë në thelbin e vet, si korrupsioni i një homologu të tyre në Europë a në Amerikën e Veriut.

Po nuk u kuptua kjo, jo vetëm nuk kuptohet dot realiteti shqiptar, por edhe masat antikorrupsion në vend të jenë të adaptuara për Shqipërinë e Tiranën, do të ishin gjenerike sikur të bëhej fjalë për Toronton a Amsterdamin.

Po, sipas meje ka një luftë, midis shtresës që përfaqëson shtetin dhe pushtetin, nëpunës të lartë e të mesëm, të zgjedhur të niveleve të ndryshme, politikanë, përfaqësues të sistemit të drejtësisë, etj., dhe sipërmarrësve, pra biznesmenëve, ose me një fjalë atyre që merren me sipërmarrjen fitimprurëse ekonomike dhe financiare.

I dalë nga një vend pa pronë private, veprimtaria private te ne do të lidhej shumë me tenderimet, me privatizimeve e tregjeve dikur publike, koncensione, si edhe me ligje që struktrojnë ekonominë e tregut.

Me një fjalë nëpunësi i shtetit, i zgjedhuri, politikani si shtresë shoqërore, duhet të çeli rrugën për kuadrin e përgjithshëm ku do të vepronin sipërmarrjet fitimpruese.

Por, a do të pranojë D’Artanjani, Aramizi, Atosi shqiptar, pra Rishëljetë shqiptare që t’i përgatisin terrenin institucional, juridik, si edhe të privatizojnë për hesap të sipërmarrësve privatë, kur këta të fundit do të pasurohen, përfitojnë e grumbullojnë pasuri?

Kjo do të sillte që Rishëljetë e varfër të punonin për të pasuruar Gobsekët, të cilët nga ana e tyre pasi të mblidhnin pasuri, do të financonin edhe shtresën e tyre përfaqësueve të politikanëve në vartësi të tyre!

Nëpunësi i shtetit nuk mund ta pranonte këtë sepse do të bëhej vartës i pasunorit që ai vetë i kishte përgatitur rrugën e pasurimit dhe të pushtetit. Do të ishte një vetëvrasje.

Në këto kushte nëpunësi nga pikëpamja epokale ka prirjen të mos kënaqet me rrogën por të kërkojë fitimin e vet nga pronari i ri që përfiton e kërkon të përfitojë nga reformat dhe privatizimet në mënyrë të privilegjuar. Pushtetari dhe Sipërmarrësi hyjnë në një rivalitet për pasuri, pushtet dhe kontroll të shoqërisë, duke qenë të tendosur me njeri tjetrin dhe në një lojë që duke qenë jolegale dhe e ndëshkueshme moralisht, përsëri është një luftë për pushtet.

Nëpunësi kërkon pjesën e vet nga mbifitimi i Sipërmarrësit dhe Sipërmarresi kërkon privilegje dhe akses jolegal në procedurat e tenderimit dhe privatizimit që ka në dorë nëpunësi në nivele të ndryshme.

Në këtë betejë mes dy shtresash shoqërore, nëpunësit, që rrezikon të iki nga pushteti cdo katër vjet, dhe Sipërmarrësit që kërkon mbifitim dhe privilegje, e që rrezikon të falimentojë në çdo katër sekonda, krijohen marrëdhëniet e korrupsionit. Korrupsioni na shfaqet kështu si luftë shtresash shoqërore në ngjizje e sipër, pa taban, që kërkojnë të kontrollojnë njera tjetrën, në mosbesim total mes tyre, por edhe si një amalgamë e nëpunësit dhe sipërmarrësit, si një shkrirje mes tyre, ku nëpunësi vendos dorën në xhepin e sipërmarrësit për të marrë fitimin e vet, dhe sipërmarrësit vendos dorën në stilografin e nëpunësit për t’i ndikuar vendimet në favor të vetes. E mbi këtë bazë lind edhe ngjizja ku sipërmarrësi ka prirje të kthehet në politikan për ta kontrolluar nëpunësin në folenë e vet, dhe politikani bëhet me anë të gruas të tij sipërrmarrës, për ta thithur pasurinë si ariu mjaltin bash në kosheren e mjaltit.

+++

Masat për t’u marrë kundër korrupsionit duhet të jenë të vërteta. Por, në fillim të kuptohet ajo që duhet, misteri i korrupsionit si luftë dhe marrëveshje klasash shoqërore për tê sunduar qytetarin.

Kjo është demokracia pa qytetarë.

Drama dhe komedia jonë sotme.

Share: