Nga Ahmet Dursun
“Mund t’ju siguroj, se ne si SHBA i mbështesim plotësisht propozimet aktuale” (bëhet fjalë për reformat në drejtësi)”. Pikërisht kjo fjali e Juaja, më shtyu t’Ju drejtohem me këtë letër të hapur…
I nderuar ambasador i SHBA, Z. Lu,
Po Ju shkruaj bazuar në një përvojë tashmë 6 vjeçare, në gjykatën e Rrethit, Gjykatën Penale si dhe në atë të Apelit këtu në Tiranë, me plot 115 seanca gjyqësore. Në 13 Janar, fal kësaj ”˜’drejtësie” do mbush 116 “vjeç” dhe në krahasim me bashkëvuajtës të tjerë, konsiderohem sikur sapo kam hyrë në adoleshencë…
Gjatë gjithë kësaj kohe kam lexuar për ligjet, jo më pak sesa një pedagog i Fakultetit të Drejtësisë. I kam mësuar symbyllur edhe pllakat që lëvizin në korridoret e policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Jam këshilluar në kufijtë e miqësive të sinqerta e profesionale me shumë juristë të huaj si dhe shqiptarë. Pa bërë zhurmë, në çdo seancë kam parë rënien e ligjeve përtokë, ashtu si pluhuri që bie e s’bën zhurmë. Jam përpjekur të kuptoj se çfarë ndodh në të vërtetë në gjykata. Lidhjet e mundshme, nepotizmi, premtimet e politikanëve, ndërhyrjet e ndryshme. Korrupsioni i drejtpërdrejtë, të mira të tjera materiale, shpirtërore e pse jo deri edhe ato fizike…
Më janë publikuar disa shkrime rreth gjyqtarëve, i kam krahasuar ata me terroristët e ISIS-it, me të vetmin qëllim për të gjetur një hapësirë e për ta parë thelbin e deformimit të këtij pushteti.
& & &
I nderuar Z. Ambassador,
Prej 15 vitesh, vazhdoj ti studioj kulturat, traditat si dhe recetat e kulinarive të hershme. Nga koha e faraonëve e deri në fundin e shekullit XIX them se e di cila ka qenë filozofia e të ushqyerit në perandoritë që zotëruan Mesdheun. Gjithashtu me një origjinalitet të përafërt, di të gatuaj shumicën e tyre…
Mirëpo, ashtu si këshillimet, shkrimet, leximet, apo qindra receta e mijëra kombinime erëzash, sërisht nuk qenë të mjaftueshme të dal në një përfundim rreth sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Mos gjetja e një përgjigje me kalimin e viteve më krijoi disa dyshime shqetësuese për veten time dhe më e rënda prej tyre ishte: “mos vallë edhe pas 25 vitesh ende nuk di të flas gjuhën shqipe?!”.
I nderuar Z. Ambasador,
Pas 5 vitesh hulumtimesh, po sjell për herë të parë në formën një dokumentari kulinarinë ilire të qytetit të Antipatrias (Beratit të sotëm) e cila si në dukje edhe në përmbajtje ka plot risi. Krahas përkatësisë së origjinës sime, gjëja tjetër që më shtyu ta dokumentoj një pjesë të vogël të kësaj pasurie mbresëlënëse, ishte të bëja perpjekjen time për ta çrrënjosur sado pak inferioritetin kulturor të shqiptarëve në lidhje me kulinarinë…
I nderuar Z.Ambasador,
Pikërisht në përfundim të hulumtimeve rreth kulinarisë Ilire ndodhi mrekullia, ajo që më mundonte prej vitesh. Zbulova gjenezën e labirintit djallëzor të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Zbulova se pas rënies së një prej qytetërimeve më të jashtëzakonshme të historisë së njerëzimit pra atë të Ilirëve, pushtuesit e këtyre trojeve i kanë dhënë pushtet atyre ”˜’shqiptarëve” të cilët do të vazhdonin po me të njëjtën babëzi gjak-thithjen e këtij populli…
Si në perandorinë romake, bizantine, përgjatë dyndjeve slave, ashtu edhe në periudhën osmane, përveç rastit të heroit tonë kombëtar Skënderbeu si dhe Ismail Qemalit, kjo armiqësi prej vetë ”˜’bashkëkombësve” vazhdoi madje gjithnjë e më tepër në rritje. Po në këtë frymë, vepruan edhe Ahmet Zogu si dhe Enver Hoxha.
Keq përdorimi i qëllimshëm e në këto përmasa i lirisë, demokracisë si dhe ekonomisë të tregut në këto 25 vite, është treguesi më i qartë i një qelbëzimi mijëra vjeçar i cili po shpërthen në çdo pore të pushtetarëve të këqinj! Në këto 25 vite, pushtetarët në Shqipëri shfaqin gjithë sjelljet, poshtërimet e grabitjet që bënë pushtuesit në historinë e këtij vendi. Te gjithsecila figurë, shihet qartësisht diktatura romake, dinakëria bizantine, dhuna sllave, përgjumja e përhumbja otomane dhe medoemos pak Zog, pak Duçe, pak Hitler, pak Enver…
I nderuar Z. Ambasador,
Në gjithë historinë e Shqipërisë, pushtuesit e jashtëm apo të brendshëm, vetëm kur i kanë bërë si vetja gjyqtarët, ia kanë dalë të caktojnë menunë e popullit shqiptar. Për çdo pushtetar shqiptar, nuk ka ekzistuar e nuk ekziston as sot polici, ushtri, apo prokurori, por veçse gjyqtarë. E dinë mjaft, mirë që veçse njehsimi me gjyqtarët, quhet pushtet i vërtetë.
Në këto rrethana, megjithë vendosmërinë e vendit tuaj, mik të shqiptarëve të vërtetë si dhe me gjithë dashamirësinë e vullnetin Tuaj, e shoh krejtësisht të pamundur të fitohet lufta e hapur në të njëtën kohë, ndaj të këqinjve në tre pushtetet në Shqipëri. Kultivimi historik i kësaj të keqe ka arritur tashmë në një përsosmëri të tillë, që as një forcë mendore, materiale apo ushtarake nuk mund ta fitojë luftën me të gjithë pushtetet njëherazi në Shqipëri. Aq më pak me mënyrat Tuaja demokratike.
Pushtetarët e këqinj shqiptar, pa dallim prej cilit krah janë, ngjajnë me terminatorin. Edhe kur mendohet se u asgjësua, nga bashkimi i pikave të metalit të shkrirë sërish krijon përbindëshin!
I nderuar Z.Ambasador,
Ajo që më mësoi kulinaria ilire, është se barishtet duhen mbajtur larg njëra tjetrës dhe duhen gatuar të gjitha veç e veç dhe reformimi i drejtësisë mjerane shqiptare, kërkon më së pari që të gjithë ne të veshim dorezat dhe të shkulim me rrënjë hithrat e këtij sistemi, pra së pari gjyqtarët.
”˜’Kuzhinierët shqiptarë” të cilët do të merren me këtë proçes, i cili është ndërprerë prej gati 2000 vitesh me dashakeqësi të qëllimshëm e veçse për të na ngatërruar të gjithëve ne, duan ti fusin në të njëjtin kazan edhe hithrat (gykatësit), edhe labotet (prokurorët), edhe lepjetat (policinë), edhe preshin (deputetet) si dhe kungujt (qeverinë). Pra të ri-bëjnë gjellën e kaçakëve dhe hajdutëve, ashtu si etërit e tyre ia lanë amanet.
Suksesi i reformës në drejtësi, mendoj arrihet veçse me një aleancë të fortë e natyrisht të përkohshme me politikën, prokurorinë, median dhe shoqërinë civile kundër gjyqtarëve të korruptuar. Në këtë mënyrë, secila palë do të ndihet e mbrojtur, apo e shpëtuar nga ndërshkimi i ligjit dhe nuk do ti bëjnë hije këtij proçesi jetik për të gjithë ne.
I nderuar Z.Ambasador,
Në një prej fjalimeve Tuaja, i bëtë ftesë ndershmërisht gjyqtarëve të korruptuar të dorëzojnë detyrën, pasi në të kundërtën rrezikojnë burgun sipas ligjit. Në çastin që një gjyqtar, apo gjyqtare e bën një gjë të tillë, të jeni të sigurt se në zgjedhjet e tjera parlamentare do të bëhet deputet, e pse jo edhe ministër drejtësie. Veçse një objektiv i tillë mund të bëjë që një gjykatës shqiptar të japë dorëheqje.
I nderuar Ambasador,
Duke Jua shprehur mirënjohjen në emër të familjes sime, për çka ka bërë dhe është duke bërë vendi Juaj, e veçse për ta gëzuar këtë Shqipëri të bukur, me lejoni t’Jua tregoj ëndrrën time me të madhe në jetë: Â “në vitin 2016, të trajnoj guzhinierët e burgjeve shqiptare dhe t’u mësoj atyre se si gatuhen barishtet në kulinarinë ilire. Hithrat, laboti, lëpjeta, preshi, kungulli një nga një e të gjitha me rradhë’.
Edhe unë fundja, siç do njeri, kam një ëndërr.
Përzemërsisht,
I Juaji
Ahmet Dursun