Home KRYESORE Liri Lubonja: Kur Shyqi, xhelati i sistemit, zgjidhej deputet i Partisë Demokratike...

Liri Lubonja: Kur Shyqi, xhelati i sistemit, zgjidhej deputet i Partisë Demokratike për Shkodrën!

Në frontin e përplasjeve mazhorancë-opozitë, është shtuar dhe një emër: Shyqyri Çoku, ish-hetuesi i të ndjerit At Zef Pllumi dhe i profesorit Sami Repishtit. Ai u dekorua nga Ministria e Mbrojtjes si veteran i kategorisë së parë në kuadër të përvjetorit të Çlirimit, jo nominalisht por në grup, deri sa u zbulua si precedent nga media, e që më pas opozita e shndërroi në kauzë, në funksion të diskretitimin të qeverisë, që sipas saj po nderon xhelatët e diktaturës.

Dhe, pavarsisht versionit të kryeministrit Rama, ku rasti, më shumë se atë e qeverinë tij vinte nën akuzë Berishën si president në vitin 1994, njeriun që sipas tij ua sanksionoi me ligj, si nderimin e si shpërblimin financiar me një pension ekstra, zbulohet një tjetër rast ku po një person me emrin Shyqyri, jo Çoku por Çela, me statusin “xhelat i komunizmit”, jo thjesht është nderuar si adashi i tij Çoku, por madje është bërë dhe deputet. “I PS-së…”, do thoshte dikush. Jo, i PD-së.

Dhe ky fakt, vjen nga një pasazh rrëfyes i Liri Lubonjës në librin e saj memuaristik, “Larg dhe mes njerëzve”.

Komentet më pas janë të tepërta.

“….Një pasdite, Todi dhe unë, me një bidon plastik pesë litërsh, u nisëm për fat, por më kot. Duke menduar se ai mund të na buzëqeshte në Torovicë, lamë rrugën rurale dhe dolëm në asfalt, në nacionalen. As që na kishte shkuar nëpër mend ai caku, kufiri ku duhej të shkonim. Nuk arritëm të hidhnim asnjë hap. Si për dreq, një motor që po udhëtonte me shpejtësi drejt Shkodrës, ndaloi. Në të ishte Shyqi, zv/shefi. Me atë trupin e tij të bëshëm, hapin karakteristik që u jepte posti dhe pesha këtyre individëve, eci drejt nesh.

“Pse keni dalë këtu, a e dini se nuk u lejohet?” foli rëndë, ashtu siç ia kërkonte funksioni që kishte. I thamë se ishte errësirë, se…por atij nuk i duheshin hallet tona, ndaj po me ato tone lëshoi kërcënimin:

“A e dini se për këtë shkelje shkoni në burg?”

Todi, i zemëruar, ia ktheu:

“Nuk më tremb më burgu mua, sepse prej andej po vij”.

Disa çaste heshtje. Shyqi nuk e zgjati. I hipi motorit dhe u nis. Ne u kthyem në kamp me bidon bosh.

Ndoshta këtë episod nuk do ta shkruaja. Do të rradhitej më dhjetëra e dhjetëra të tjerë të të gjithë shefave, inspektorëve, operativëve të Degës së Brendshme me të cilët patëm të bënim ato shtatëmbëdhjetë vjet. Porse me Shyqin ndodhi ndryshe, një gjë e papritur, e habitshme për mua që vazhdoja me atë naivitetin tim të pashërrueshëm. Duke lexuar listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, ndër ata të Shkodrës, lexova: Shyqyri Çela. I zgurdullova sytë, e rilexova.

“Nuk mund të jetë ai”, mendova. Dikush tjetër ka po atë emër, mbiemër. Por jo, ishte ai, Shqyi ynë që u bë deputet i parlamentit demokratik të Shqipërisë.”

Marrë nga: “Larg dhe mes njerëzve”, (fq.284-285)

Tesheshi.com

Share: