Home KRYESORE Lironi Donikën! Mjaft me burgosjet politike!

Lironi Donikën! Mjaft me burgosjet politike!

Nga Lavdrim Lita

Deputetja e parlamentit të Kosovës, znj. Donika Kadaj-Bujupi gjendet prej 16 ditësh në burgun e Lipjanit e arrestuar për arsye politike. Gjykata e Prishtinës, posaçërisht departamenti i Krimeve të Rënda, ka gjykuar se nëna e dy fëmijëve e pa precedentë të mëparshëm penalë duhet të ishte e para që do të përfundonte në burg sepse ka hedhur një lotsjellës në sallën e parlamentit. Të pushtetshmit e përkohshëm e kanë përzgjedhur në mënyrë selektive znj. Donika Kadaj Bujupi për të provokuar reagimin e opozitës dhe gjitha nënat e motrat e Kosovës.

Mirëpo veprimi politik i deputetes fisnike Donika Kadaj Bujupi është bërë brenda parlamentit e parlamentarizmit të Kosovës dhe pa frikë mund të cilësohet si akt i strategjisë “filibuster”, pra, i një teknike që ndjekin edhe ligjëvenësit amerikan për të penguar ose ndaluar një ligj që cilësohet si i padrejtë për kombin. Ndoshta jo në forma kaq ekstreme si lëshimi i një tymusje, por situatat e jashtëzakonshme kërkojnë akte të jashtëzakonshme. Forma të ndryshme të pengimit apo ndalimit të një ligji apo vijësjellje të konsideruar si të padrejtë ekziston prej lashtësisë. Dhe Kosova si vendi me parlamentin më të ri në Europë do të kishte ngjarjen e saj në histori, por reagimi histerik i institucioneve të Kosovës, me saktë i individëve me pushtet që përdorin institucionet për të ndaluar mendimin ndryshe është i papranueshëm.

Me e keqja e gjithë kësaj situate në Kosovës është pleksja e politikës me sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë në Kosovë pasqyrohet jo fort qelibar në raportet ndërkombëtare. Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian për Kosovën tërheq vërejtjen në faktin se, “sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e llogaridhënies dhe u nënshtrohet ndërhyrjeve politike. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për të siguruar pavarësinë në zbatimin e ligjit për të parandaluar dhe për të luftuar korrupsionin brenda gjyqësorit, për të rekrutuar dhe trajnuar personel më të kualifikuar dhe për shpërndarjen e duhur të burimeve”.

Me krimin dhe korrupsionin në shifra alarmante, Prokuroria dhe Gjykatat e Kosovës nuk duhet të kenë kohë e terezi të merret me procese politike, me akuza dhe gjykime të montuara politike. Ata duhet të merren me krime dhe korrupsione që po turpërojnë Kosovën. Lirimi i Donika- Kadaj Bujupi do të ishte akti më normal në një shtet që i thotë drejtësisë drejtësi.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës

Share: