Home KRYESORE MENTOR IKJA!

MENTOR IKJA!

Nga Gresa Hasa

Në një shkrim të publikuar me pare edhe ne Perqasje.com që mban titullin “Dua të iki, më është shpifur çdo gjë nga këtu. A është kjo arsye për azil? më datë 2 dhjetor 2015, Mentor Kikia, drejtues i edicionit informativ të lajmeve në Top Channel, plot mllef, zhgënjim e mërziti shpreh ato fjalë që njeriu mesatar që jeton në Shqipëri mund t’i shprehë të paktën disa herë në ditë. Njeriu mesatar ngado të përplaset dhe me të drejtë sepse Shqipëria e shoqëria shqiptare është një vend e shoqëri që funksionon në drejtim të kundërt me çfarë konsiderohet e drejtë, vlerë, përgjegjësi, ideal, moral, etj. Amá, shoqëria shqiptare është një shoqëri për të cilën janë përgjegjës Mentor Kikia po aq sa edhe unë e kushdo tjetër që jeton këtu.

“Sot, shumë shqiptarë kanë ikur, e po ikin, duke kërkuar azil në Perëndim. Disa janë kolegë të mitë, gazetarë që kanë sajuar ca histori kërcënimesh me kriminelë e ISIS-ra.Të tjerë shqiptarë ikin e thonë se janë homoseksualë e se në Shqipëri i persekutojnë. Disa sajojnë një copë letër sikur janë në hasmëri gjakmarrjeje. Disa sajojnë edhe persekutime politike. Ca të tjerë ikin “me kismet të dalë ç’të dal딝.

[…]

“…Nuk jam as i kërcënuar, as i ngujuar, as homoseksual, as i persekutuar…thjesht nuk dua të jetoj më këtu!” - shprehet zoti Kikia në shkrimin e tij dhe kësisoj liston arsyet mbi zgjedhjen për tu larguar (çka tingëllon si e vetmja zgjedhje). - “Unë dua të iki sepse nuk e duroj më dot këtë klasë politike shfrytëzuese. Ma ka shpifur klasa e biznesmenëve që pasurohen me paratë e popullit duke bërë shoqëruesin e dhëndrit (kryeministrit sipas radhës) të cilit i mbërthejnë zinxhirin sa herë pshurroset nëpër botë. Ma kanë shpifur edhe ata, shqiptarët e thjeshtë, ata që shqyhen e çirren mes tyre kur zihen për partitë. Ma kanë shpifur edhe ata, të paedukatët që pëllasin rrugëve, që u bien borive të makinës edhe kur semafori është mbyllur, edhe kur këmbësori ecën tek vijat e bardha….”

Epo, z.Kikia, edhe mua më është shpifur! Më ka ardhur në majë të hundës (edhe) nga media e shitur sa në njërin kah politik po aq edhe në tjetrin; nga media që sipas interesit, rastit e kohës, i çon ujë njërit bandit e tjetrit dhe e topit akoma më shumë këtë popull trushpëlarë; dhe kur e kryen masën e lavazhit politik, servir shalë e bythë në formën më pështirosëse. Më ka ardhur në majë të hundës nga media që i vihet pas peshkut të vogël dhe përkëdhel pa kurrfarë turpi e përgjegjësie peshkun e madh.

Më ka ardhur në majë të hundës edhe se si gruaja, në ekran e jashtë tij, trajtohet ”“ se si diskriminohet, përdhunohet, pështyhet, rrihet masakrohet dhe vritet!

Ashtu si edhe ty, më ka ardhur në majë të hundës nga kasta politike që na qeveris. Nuk e pranoj që tarifat e universitetit tim do të rriten! Nuk e duroj dot që Lana mban erë të qelbur, kur njerëzit i flakërijnë plehrat nga të katër anët apo kur institucionet shtetërore më vjedhin e s’më mbarojnë asnjëherë punë! Më është shpifur që dëgjoj ende Sali Berishën tek flet për dekriminalizimin apo tek shoh Edi Ramën që më shkarravit pa turp gjithçka s’qe i aftë të përmbushte gjatë këtij mandati, që inaguron ekspozita në momente delikate të gjindjes këtu dhe bredh nëpër këto ekspozita në Europë pa u hedhur as qyrret kampeve të emigrantëve shqiptarë. Nuk e duroj dot Ilir Metën, që të gjithë e mbajnë për mafioz, tek më udhëheq si kryeparlamentar i vendit.

Po, të gjithë duan të ikin, të shporren, jo domosdoshmërisht nga kjo Shqipëria allasoji por nga përgjegjësitë vetjake. Askush nuk dëshiron të qëndrojë ”“ askush nuk provon të organizohet, të protestojë, të denoncojë, ta kryejë punën saktë e të bëjë të mundur sadopak të ndryshojë kushtet e mjera të jetesës në këtë vend.

Është dëshpëruese kur këto fjalë plot pesimizëm e mllef e kjo nxitje për t’i bërë marmeladën vendit, ku na ka rënë për hisé të jetojmë, vijnë nga dikush që i përket një sfere profesionale kaq të rëndësishme si televizioni.

Z. Kikia, unë jam studente dhe nuk dua t’i iki këtij vendi, pse gjërat e jeta këtu është disfunksionale ”“ pse shkollat e spitalet, transporti, gazetat, parlamenti e gati çdo gjë NUK FUNKSIONON si duhet; por deklarata të tilla si kjo juaja të presin krahët dhe të shqelmojnë për jashtë!

A është ikja e vetmja zgjidhje?! Unë njoh plot të rinj e të reja të brezit tim por edhe tëndit që janë inteligjentë, plot gjallëri dhe dëshirë për punë e mësim (prej vërteti). Sikur këto pika të forta të tokeshin me njëra tjetrën do mund të bënim ç’të donim NE, jo ATA!

Kij durim z.Kikia. Mos ik por eja na jep një dorë kur duhet! Dhe nëse s’mundesh e vërtetë gjykon që ikja është zgjidhja e vetme e më e volitshmja, atëherë të lutem, largohu, pa potere mundësisht e lërna t’ia gjejmë anën kësaj Shqipërisë ku jetojmë, për sa mundemi, për sa dimë.

Share: