Nga Dritan Vasili, mjek Otorinolaringolog në profesion të lirë
Po përjetojmë një pakënaqësi kolektive te grumbulluar në vite lidhur me gjendjen dhe shërbimet që ofrohen në shëndetësi e cila ka prekur që nga më i varfri të cilit i mungon së paku aksesi në shërbim e deri tek më i pasuri i cili i lutet Zotit të mos i ndodhë diçka urgjente brenda kufijve të atdheut çka i vështirëson vajtjen në klinikat europiane, që nga Shefat e Shërbimeve në QSUT të cilët arrijnë gjithnjë të përcaktojnë, përtej vetes, fajtorët e kësaj gjendjeje (por ende jo zgjidhjen!?), e deri tek mjekët në periferi të cilët duhet t’i bëjnë ballë presionit të të sëmurëve duke bashkëjetuar me degradimin e kushteve të ushtrimi të profesionit dhe presionin administrativ e mediatik.
Kemi humbur në debate shqiptaro-shqiptare të përcaktojmë se cili sistem është më perfekti (a thua se na e ka vënë detyrë dikush…), ai britanik apo francez, ai rus apo ai amerikan duke harruar se çdonjëri nga këto sisteme në vendet përkatëse është në reformim të vazhdueshëm pasi e pranon papërsosurinë nisur midis të tjerash nga mungesa e respektimit të disa parimeve universale të pranuara nga të gjithë.
Kontrata e re për mjekët e sistemit publik propozuar nga Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore është një iniciativë për tu përshëndetur pasi duke i detyruar mjekët të zgjedhin mes sistemit publik dhe jo-publik korrigjon amullinë e krijuar nga “legalizimi” i konfliktit të interesit në këtë versionin shqiptar të kapitalizmit. Konflikti i interesit jo vetëm ka cënuar rëndë konkurrencën mes mjekëve të sistemit publik dhe atij jo-publik e “zë” hapësirat për punësim të mjekëve, por duke përqëndruar në disa duar ofrimin e shërbimit shëndetësor nuk garanton një nga liritë themelore të pacientit, lirinë e zgjedhjes së këtij shërbimi. Një pacienti i cili gjen të njëjtin mjek paradite në spitalin publik dhe pasdite në atë jo-publik (privat) i kufizohet liria e zgjedhjes e nga ana tjetër i imponohet një standart shërbimi, i cili në kushtet e mungesës së konkurrencës do të jetë veçse i ulët. Pa konkurrencë nuk ka cilësi shërbimesh.
Kjo kontratë, nëse zbatohet, mund të konsiderohet një hap në nisjen e një reforme të sistemit publik dhe atij jo-publik (privat) pikërisht duke respektuar disa parime dhe vlera. Pa rënë në kurthin e debatit mbi sistemet shëndetësore do të thoja se vendet me shërbimin më të mirë mjekësor dhe efiçent nga pikëpamja mediko-ekonomike sipas shumë kritereve klasifikohen ato vende ku ka një çiftëzim midis shërbimeve publike dhe jo-publike si Franca apo edhe vende deri diku të krahasueshme për nga popullata me Shqipërinë si Uruguai. (Vendi i parë dhe i dytë).
Shumica e mjekëve kanë mbetur peng i sistemit publik i cili ndonëse nuk i siguron infrastrukturën adekuate për ushtrimin e profesionit i garanton qetësinë e një vendi pune me të ardhura të qëndrueshme dhe ndoshta edhe një pozitë sociale të admirueshme. Arritja e këtij statusi iluzional, i cili e ka bërë sistemin publik më të kërkuarin nga mjekët (sidomos të rinjtë për shkak të eksperiencës së pakët), i ka shndërruar spitalet dhe poliklinikat struktura ku partitë dhe drejtuesit e tyre, duke shfrytëzuar mekanizmat e lidhjeve, parave dhe interesave, punësojnë votuesit e tyre të ardhshëm që më së shumti jane individë dalë nga martesat brenda “llojit” apo fisi. Ky status i shumëkërkuar është iluzion sepse fryrja e spitaleve dhe ambulancave me mjekë (aq sa ka klinika ku numri i mjekëve primarë është më i madh se ai i shtretërve) as e ndihmon ngritjen e performancës së tyre apo shton kontaktin e detyrueshëm me teknologjinë, por mendoj se as nuk përmirëson të ardhurat e tyre.
Ka patur disa përpjekje gjatë viteve për të kryer reformë personeli në shëndetësi. Të gjitha dështuan pa nisur për shumë arsye por mendoj se arsyeja kryesore ka qenë se askush nuk i ka dhënë përgjigje serioze pyetjes se “çdo bëhet me mjekët e larguar”.
Drejtuesit e shëndetësisë duhet ta kenë të qartë se nuk luhet më me kartën e arrogancës duke i detyruar mjekët “të kthehen nga kanë ardhur” apo tu propozojnë vende pune në spitale fantazma. Arroganca funksiononte në kushtet e një vendi të mbyllur siç ishte Shqipëria në diktaturë. Sot njerëzit dhe mjekët mes tyre tërhiqen mbi të gjitha nga interesat dhe lëvizja e lirë iu mundëson shumë zgjedhje. Karta humbëse e arrogancës i ka drejtuar mjekët drejt Europës së Veriut dhe në shndërrimin e mjekësisë si rrallë ndonjëherë në profesion jo interesant për tu ushtruar në Shqipëri nga të rinjtë e sotëm, kjo e konfirmuar jo vetëm nga ata që e braktisin mjekësinë por edhe nga rënia e numrit të studentëve të regjistruar këte vit ne Fakultetin e Mjekësisë.
Alternativa e punësimit në kushtet e inefikasitetit mediko-ekonomik dhe cilësisë së shërbimit që lë për të dëshiruar të strukturave publike do të ishte nxitja e zhvillimit të shërbimit jo-publik dhe këtu nuk flas për spitalet por për kabinetet e mjekëve të përgjithshëm apo specialistëve në qytete e fshatra ku drejtohen më së shumti pacientët. Kjo mund të quhet alternativë vetëm nëse Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore vendos të blerë shërbimet e tyre në një masë të caktuar kushtëzuar nga mundësitë e tij financiare, duke shfrytëzuar burime të tjera apo duke u liberalizuar tregu i sigurimeve. Te sëmurit përveç alternativës për të blerë shërbime me para në dorë (out of pocket) duhet t’i krijohen edhe mundësi të tjera. Sigurimi është i detyrueshëm por të siguruarit paradoksalisht nuk i jepet e drejta të blejë shërbimin aty ku dëshiron. Vlera të një sistemi shëndetësor janë liria, barazia dhe solidariteti e duke cituar Frederik Bizar do të vazhdoja se “liria duhet të jetë e barabartë dhe jo t’i rezervohet më të favorizuarve; solidariteti duhet tu lejojë të defavorizuarve të marrin të njëjtën cilësi shërbimi si të parët”.
Sot të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se këtë liri marrjeje shërbimesh cilësore e kanë vetëm të pasurit dhe deri diku një shtresë e mesme e brishtë, për të mos harruar se ka zona të tëra në Shqipëri ku prej vitesh nuk ofrohen shërbime mjekësore bazë apo trajtim i urgjencave jetësore e jo më të specializuara. Situata me largimin e mjekëve pritet të rëndohet gjithnjë e më shumë në dekadat e ardhshme (një mjek do 10 vjet të formohet). Politikat e blerjes së këtyre shërbimeve dhe roli rregullator i shteti do të mundësojë shmangien e krijimit të të ashtuquajturave “shkretëtira mjekësore” në përputhje kjo me të drejtën universale për shëndet e cila përfshin shërbimin shëndetësor në kohë, të pranueshëm, të përballueshëm dhe me cilësinë e duhur.
Me të drejtë dikush mund të dyshojë se një reformë e tillë nëse iniciohet rrezikon të shndërrojë QSUT “Nënë Tereza” në një “shkretëtirë” mjekësh performantë e cila në fakt po ndodh me largimin e mjekëve të rinj me të ardhme gjithmonë drejt Europës së Veriut apo spitaleve private. Të gjithë biem dakort se pa një Qendër Universitare cilësore nuk mund të kemi mjekësi cilësore në rang kombëtar pasi kjo qendër ka qenë dhe do të jetë institucioni kryesor që do të “prodhojë“ mjekët e së ardhmes por kjo qendër nuk është më atraktive për mjekët. Për ta bërë atraktive, qeveritë që kanë pasuar njera tjetrën, i kanë rënë shkurt duke lejuar korrupsionin si mjet pagese tashmë të legalizuar të mjekëve (paçka se bëjnë kurban ndonjë mjek sa për të larë gojën dhe për të trembur të tjerët), konfliktin e interesit dhe kanë shkaktuar fryrjen me mjekë të QSUT nisur nga interesa financiare të drejtuesve apo partive (është naivitet mos pranojmë se për vendin e punës paguhet në forma të ndryshme), një inflacion ky që nuk duket se ka të ndalur.
Refoma e personelit “Cikuli” në thelb synonte një korrigjim të anomalive të tilla por mendoj se dështoi midis të tjerash edhe sepse nuk ofroi zgjidhjet jo vetëm për mjekët që do të largoheshin por as për ata që do të mbeteshin në QSUT, e sa për të kujtuar një nga drejtuesit të cilit iu bë pyetja lidhur me të ardhmen e të ardhurave të mjekëve, çka do t’i bënte ata të interesuar në implementimin e atyre reformave, përgjigja arrogante e rradhës ishte: “Po deshe rri, po deshe ik! Këto janë kushtet”. Dhe reforma dështoi. Një nga opsionet për të mbajtur mjekët performantë pranë QSUT është t’iu mundësohet atyre të ushtrojnë aktivitet privat me kohë të pjesshme në atë strukturë ku Fondi i Sigurimeve mund të luajë rol shumë të rëndësishëm nëpërmjet blerjes së shërbimeve të një qendre terciare, kjo edhe si mënyrë për të përzgjedhur këta mjekë performantë.
Përsëri kjo praktikë do të varet nga aftësitë blerëse të Fondit, duke shqyrtuar mundësi të tjera të financimit apo vendosur praktika të ngjashme jo vetëm me botën por edhe praktika të mëparshme shqiptare si për shembull ajo e “të ardhurave dytësore” të periudhës së administratës shëndetësore “Solis”. Mjekësia duhet të bëhet atraktive që mjekët të mos largohen, të rinjtë t’i kthehen mjekësisë si profesion e kështu pacientët të vazhdojnë të marrin shërbim shëndetësor që me gjasa të mëdha do të jetë edhe cilësor pasi liria financiare e bën me të arritshëm teknologjinë nga mjekët. Stomatologjia është një shembull që e kemi përpara syve, sigurisht jo i arritshëm nga të gjithë dhe jo në të njëjtën cilësi për të gjithë.
Shumë i mbajnë shpresat në kthimin në Shqipëri të të rinjve që studiojnë mjekësi në Europën Perëndimore apo USA. Numri i mjekëve të rinj të kthyer nga studimet në Francë këto 10 vitet e fundit është zero dhe arsyet janë po ato të një mjeku francez i cili zgjedh të mos shkojë të jetojë dhe ushtrojë profesionin në zona të caktuara të Francës: cilësia e jetës dhe aksesi në teknologjinë mjekësore e cila përparon me ritme shumë të shpejta. Pamundësia për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe “zënia” e hapësirave të punësimit janë arsye më tepër që ky kthim mos merret aspak në konsideratë nga këta mjekë.
Presioni mbi drejtuesit e shëndetësisë në ndalimin e konfliktit të interesit do të jetë i madh siç ka qenë ndër vite dhe nisur nga përvoja shqiptare kjo kontratë pritet të pësojë transformime. Shefat e sherbimeve dhe mjekët, spitalet private që përfitojnë nga puna e mjekëve të punësuar me kohë të pjesshme, mjekët pronarë të klinikave private apo të firmave farmaceutike që bëjnë biznese me mjekë dhe qeveritarë etj. do të lobojnë me “argumente” që kjo kontratë të modifikohet dhe jam i bindur se do të bazohet edhe në ligj. Të mos harrojmë se me ligje funksiononte edhe diktatura, madje çdo ligj zbatohej deri në përsosmëri, por ajo ra ndër të tjera sepse nuk bazohej në vlera dhe nuk ishte e moralshme. Kjo është edhe sfida më e madhe e çdo drejtuesi jo vetëm të shëndetësisë. Të bëjë reforma bazuar në vlera e për ta bërë të qartë misionin e tyre do të citoja Dr Margaret Çan, Drejtoreshë e Përgjithshme Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi rolin kësaj organizate: “bota ka nevojë për një roje globale shendeti, një kujdestar vlerash, një mburojë dhe mbrojtës të shëndetit, përfshi dhe të drejtën për shëndet”.
Bëhuni kujdestarë vlerash e kështu do tu siguroni bashkëkombësve shëndetin dhe të drejtën për shëndet!
Dr Dritan VASILI,
Mjek Otorinolaringolog në profesion të lirë