Home KRYESORE Në bujtinë nuk pati vend per ta – MESHA E NATES!

Në bujtinë nuk pati vend per ta – MESHA E NATES!

Nga GJERGJ META

Një shtesë gati-gati e parëndësishme ajo e Lukës në tregimin e lindjes së Jezusit. E sonte dua të flas për këtë shënim të Lukës. “Maria … nxorri në dritë djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me shpërgenj dhe e vendosi në një grazhd, pasi në bujtinë nuk pati vend për ta.” (Lk 2,7).

Në bujtinë nuk pati vend për ta… Hyrja e Zotit në historinë e njerëzve, nis pikërisht në rrethinat e kësaj historie, në rrethinat e një qyteti të parëndësishëm në epokën kur lind Jezusi.

Nga ana tjetër Isaia profet në leximin e parë na e përshkruan me nota plot dritë lindjen e këtij fëmije: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në tokën e errët një dritë shkëlqeu” (Is 9,1). Duket sikur ka një kundërshti ndërmjet përshkrimit të Isaisë dhe mënyrës se si ka ndodhur realisht lindja e Jezusit. Por ungjilli i Lukës ndoshta na jep shpjegimin se dy gjërat nuk janë në kundërshtim. Janë disa njerëz që, përkundër të gjithë botës, e cila as nuk e di dhe as nuk do t’ia dijë se ka lindur Shëlbuesi, se ka lindur Krishti, Biri i Hyjit, arrijnë të shohin dritën e tij e këta janë disa barinj, edhe ata në periferinë e jetës urbane. Për ata shkëlqen drita. Vetëm ata që jetojnë nën qiellin e pastër të Palestinës, shkëlqen drita që vjen prej atij grazhdi. Vetëm ata janë të aftë ta shohin. Po, sepse drita që vjen nga Krishti, që të shkëlqejë, kërkon zemra të thjeshta, një shikim të thjeshtë, një qiell pa pengesat e krenarisë e të egoizmit e sidomos të vetmjaftueshmërisë që vjen nga pushteti apo pasuria.

Ne sonte në këtë liturgji do të kremtojmë e përkujtojmë lindjen e Jezusit, por në realitet ai sot gjendet jashtë këtyre mureve dhe në mënyrë krejt të mistershme ai lind në ato të varfër e të braktisur, në të sëmurët e të burgosurit, në të moshuarit dhe fëmijët e dhunuar, në gratë e dhunuara dhe burrat që luftojnë çdo ditë për të ushqyer familjen e tyre ndërmjet pakuptimit, poshtërimit, papunësisë e nënpagesës.

E sonte ai nuk lind në hotele dhe pallate lukzose, në selitë e pushteteve të mëdhaja e në mbrëmjet gala të shtruara nga pushtetarët ku me qejf marrim pjesë edhe ne klerikët, në jetën e atyre që shfrytëzojnë popujt dhe qytetarët të tyre duke i vjedhur ata e duke abuzuar me taksat e tyre, në jetën e atyre që mendojnë se kanë në dorë jetët e njerëzve, që marrin rryshfet në dyert e gjykatave dhe të administratës e i bien në qafë të pamundurve, në gjykatësit e korruptuar e në politikanët e papërgjegjeshëm, në ata që kanë ndërtuar qytetet duke shkatërruar klimën dhe ekologjinë, në ata që kanë vrarë të tjerët për punë paresh të pista e nuk kanë gjetur rrugën e pendimit. Në këta bujtina nuk mund të lindë Jezusi, sepse aty nuk ka vend për të. Jo se ai nuk e do këtë gjë. Ai dëshiron të lindë edhe aty, por nëse ai pranohet të lindë aty, duhet që ata njerëz të ndryshojnë jetën e tyre, të bien në gjunj, sikurse barinjtë përpara Zotit e të kërkojnë falje.

Kjo Krishtlindje të dashur vëllëzër e motra është në rrjedhën e Vitit të Mëshirës të shpallur nga Papa Françesku pak javë më parë. Ja pse unë mendoj dhe jam i binudr se sot Krishti lind në periferitë e qyteteve tona dhe jo në dritat boshe që janë më shumë tendera të vjedhur se sa zbukurime të zemrave. Krishtlindja kërkon hapjen e zemrës për veprimin e Hyjit. Ky veprim i Hyjit është tashmë në botë dhe është i pakthyeshëm. Zoti po vepron e sa më shumë njerëzit e pengojnë të lindë ai aq më shumë bëhet i pranishëm në jetën e botës, sepse ka plot njerëz që në heshtjen e zemrës së tyre shpresojnë e dëshirojnë një botë ndryshe.

Çfarë do të thotë për ne të krishterët këtu në Durrës, në Shqipëri, që të festojmë Krishtlindjen? Nuk kam fjalë të tjera përveçse ato të shën Palit Apostull në letrën drejtuar Titit, leximi i dytë i kësaj nate. “Ai (Hyji) na mëson t’i biem mohit pabesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë, urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lume….” (Tit 2,12).

Të dashur miq. Padrejtësitë dhe varfëria janë ajo errësirë në të cilën shpesh popujt gjenden e në të cilën për fat të keq gjendemi edhe ne këtu në Shqipëri. Tregues i kësaj janë shumë njerëz që dëshirojnë të ikin nga Shqipëria. Por fjala e Hyjit na kërkon ne që të angazhohemi urtisht, drejtësisht dhe me përshpirtëri këtu dhe tani. Roli ynë si të krishterë është një prani profetike në këtë vend. Të krishterët nuk janë njerëzit e dhunës, njerëzit e revolucioneve, ne jemi njerëzit që më së pari ndryshojmë vetveten e më pas me ndryshimin tonë mundohemi të ndryshojmë edhe realitetin. Prania profetike kërkon më së pari një angazhim personal. Lindja e Krishtit, nëse e pranojmë të ndodhë duhet të na ndryshojë rrënjësisht e mbi të gjitha të na bëjë fanar drejtësie në një vend ku padrejtësia është e hapur, të na bëjë dëshmitarë të një jete solidare në një vend ku gjithkush kërkon pasurimin e vetes së tij e të tarafit të tij. Krishtërimi nuk është një religjion tarafi, por dashuri dhe solidaritet me të gjithë. E mbi të gjitha të dashur miq nuk mud të ndryshojmë vetveten dhe realitetin nëse nuk kemi besim në Zotin dhe nëse nuk kultivojmë një jetë shpirtërore të thellë. Kjo kërkon një zemër të thjeshtë si ajo e barinjëve që edhe në natën e errët të para dy mijë vjetësh panë shkëlqimin e dritës që i lajmëroi lindjen e Krishtit. Pa Zotin nuk ka njeri e pa njeriun nuk mund ta gjejmë Zotin, sepse te njeriu ai ka gdhendur veten e tij.

Të dashur vëllezër e motra, nuk po ju them sonte “ta lëmë Krishtin të lindë brenda nesh”, nganjëherë është thjesht një slogan, pa ndonjë kuptim të madh, por të shkojmë pas kësaj meshe, e në ditët në vijim, e ta gjejmë në cilin grazhd Krishti ka bujte, ku gjendet ai e aty ta adhurojmë. Ndoshta është në lagjen tonë, në rrugicën tonë, në punën tone, te zemra e një njeriu që vuan padrejtësisht, te një person që është i vetmuar, te një njeri i braktisur, te dikush që po lufton me jetën, te një çift që po vuan dramën e ndarjes e te fëmijët që janë të çoroditur, te ndonjë i varfër që nuk ka asgjë t’u japë fëmijëve të tij për nesër. Ta kërkojmë Krishtin ku ka lindur sonte, ta sodisim pafundësisht me gjithë jetën tone e t’i ofrojmë së paku një çaj të ngrohtë …

Për shumë mot Krishtlindjen!

Marre nga http://peregrinus.al/

Share: