Nga Luan Rama
Imazhet që na vijnë nga Shqipëria janë mjerane. Madje shumë më keq. Konvulsionet e liderëve që kërkojne të vijnë në pushtet përmes rrugës, me zjarr e përmbysje të dhunshme, po rishfaqen sërrish dhe po i tregojnë botës sesa larg jemi nga qytetërimi dhe Europa e Bashkuar.
Kisha shpresuar se me largimin e famëkeqit Sali Berisha, shfaqja e banditizmit politik ishte kthyer njëherë e përgjithmonë dhe se përmbysjet e qeverive bëhen vetëm me votën e popullit dhe në rrugë demokatike.
Ju liderë të opozitës sot (dje në pushtet), edhe unë e njoh dëshpërimin e popullit, dhe unë e di se ka qeveritarë që vjedhin, se ka parlementarë që flasin si rrugaçë dhe që s’duhet të jenë në tempullin e fjalës së popullit; dhe unë e di se korrupsioni e kam bërthyer atë vend, pasi vilat lluksoze të politikanëve të të gjitha ngjyrave, në Lundër, Gjiri i Lalëzit, në Qerret e gjetkë, janë «lumturia» më e pështirë që mund të ekzistojë në këtë jetë efemere.
Por përmbysja e pushtetit nuk bëhet me dhunë siç duan ta bëjnë «ludistët» e politikës berishiane. Banditizmi politik veçse vonon ardhmërinë shqiptare. Mos e digjni Shqipërinë se ajo është e të gjithëve dhe se ne të gjithë i përkasim asaj.
Fjalët për demokracinë, të drejtën dhe shtetin ligjor që flisni në konferencat pompoze në Tiranë e nëpër Europë zbatoini, dhe jo të jenë fjalë në erë. Le të jetë kjo ditë-festë e përçudnuar nga ju, një mësim për politikanët e opozitës, qeveritarët, parlmentarët, gjykatësit, prokurorët.
Ne nuk duam të kemi imazhin e «këmishave të zeza » që na u shfaqën nëpër rrugët e Tiranës. Dilni dhe manifestoni me familjet tuaja dhe thuajeni fjalën tuaj në mënyrë qytetare, mbrojeni votën tuaj sepse nga ajo votë, pushteti i nesërm do të dijë të drejtojë më mirë për t’i shërbyer popullit dhe jo pasurimit personal.
Bërja e politikës nuk është një afer biznesi siç e shohim në Shqipëri e gjetkë, por një sakrificë ideale, veçanërist në një demojkraci të re. Mjaft më ! Nuk duam më «këmisha të zeza» dhe zjarre në rrugët e Shqipërisë.
Luan Rama