Home I pakategorizuar Pallati i drejtësisë në gheton e padrejtësisë!

Pallati i drejtësisë në gheton e padrejtësisë!

Dr. Ledian Droboniku
Docent i së drejtës kushtetuese

Arkitektë dhe inxhinierë janë mbledhur rreth pallatit të drejtësisë për ta shpëtuar atë nga degradimi total. Përpjekjet e tyre kujtojnë skenat e filmit “Idiocracy” ku të marrët përdornin litarë për të drejtuar pallatin që po binte.

Pallati i Drejtësisë ashtu si qytet-shteti shqiptar, është ngritur mbi themele autarkie dhe fasada demokracie. Ndryshe nga ajo që thuhet, ai funksionon edhe pse jo për shumicën e banorëve të tij. Dhe deri sa ai funksonon, përse duhet të ndryshohet nga vetë ata që e krijuan atë?

Por atëherë kush duhet të rrëzojë gheton dhe të ndërtojë një qytet të denjë? Këtë zakonisht e bëjnë banorët e tij, kur zbulojnë se janë edhe qytetarë edhe sovranë.

Ky do të ishte realisht fundi i qytetit-gheto dhe një rrezik i tillë duhet të evitohet me çdo kusht nga aksionerët e ghetos. Dhe në fakt, për 25 vite ky rrezik është neutralizuar me sukses nga pushteti dhe qarku i tij mediatik. Banorët nuk u lejuan kurrë të kuptojnë zgjidhjen, të ndërgjegjësohen si qytetarë sovranë por si kompensim mund të braktisnin gheton, për të gjetur dinjitet diku gjetkë.
idiocracy25Reforma e radhës në Drejtësi njësoj si shumë të tjera këto dekada të errëta, luhet në dhomat e askionerëve, pronarë të ghetos. Ashtu si shprehet që në rreshtat e parë, objektivi i reformës, është “rikthimi i besimit” tek qytetarët, por më pas roli i qytetarit në vendimarrje nuk përmendet gjëkundi. Pushteti rindahet përsëri mes aksionerëve sepse për ata nuk ka qytetarë por vetëm banorë.

Prestigjatorët e reformës nxjerrin nga kapelja e tyre komisione pa fund duke e fshehur përfundimisht autorin nga skena e krimit magjistral. Administrimi i Drejtësisë, tashmë nga komisione dhe aksionierë ardhur nga gjyqësia, avokatia, akademia, shoqëria synon të pasurojë spektaklin e kaosit dhe të hutojë pa fund banorët e ghetos.

Sponsorizuesit e brendshëm dhe të jashtëm do vazhdojnë të promovojnë këtë spektakël, duke lavdëruar kaosin si “stabilitet” dhe anatemuar ndryshimin e vërtetë si “revolucion”. Korporata është gati ti delegojë pushtetin të huajve, që tani do të jene pjesë e sistemit të drejtësisë por nuk guxon kurrsesi të përfshijë në të “banorët”. Me ketë cedim të sovranitetit fundoset edhe idea për bashkim kombëtar, sepse njësoj si Kosova pranojmë që jemi shtete disfunksionalë.

Problemi është se banorët e ghetos ngadalë po zgjohen nga hipnoza e spektaklit dhe po pretendojnë të jenë qytetarë sovranë dhe autoktonë. Por ndërtimi i qytetit të tyre është i lidhur fatalisht me çbërjen e korporatës së aksionerëve të ghetos.

Kjo perspektivë e re kërkon që të gjitha fijet që mbajnë në këmbë korporatën të priten dhe të zëvendësohen me fije që togëzojnë direkt shtetin me sovranin. Pushtetarët e lartë nuk duhet të zgjedhin më njëri tjetrin, por të zgjidhen dhe shkarkohen direkt nga qytetarët.

Kapja e shtetit shqiptar nuk është rast unik në botë, prandaj duhet të mësojmë nga popujt e tjerë si janë çliruar.

Ndoshta, para kësaj sfide u ndodhën qytetarët amerikanë në kohën e Progressive Era, ku të gjitha format e pushtetit ishin të korruptuara dhe prandaj populli i zëvendësoi me institucione të kontrolluara nga qytetarët. Ende sot qytetarët e mbi 30 shteteve amerikane (si shumë shtete në botë), vazhdojnë të zgjedhin dhe shkarkojnë prokurorët, gjykatësit, governatorët deri tek sherifi, që tek ne do të ishte drejtori i përgjithshëm i policisë. Zgjedhja dhe shkarkimi në çdo kohë (pa mandat të bardhë) i pushtetarëve prej popullit, higjenizon makinën shtetërore nga çdo rast korrupsioni apo paaftësie drejtimi.

Por nuk janë vetëm qytetarët amerikanë, por dhe shumica e vendeve evropiane që lejojnë qytetarët vendimarrës në administrimin e drejtësisë duke parashikuar krijimin e jurive qytetare. Gjyqtari nuk do jetë më “Zot” i proçesit, por noter i verdiktit të jurisë që gjykon të ngjashmit e vet.

Sistemi shqiptar i drejtësisë, ka provuar në fakt të gjitha format e përzierjes së pushteteve nga brenda, por nuk funksionojnë thjesht sepse të gjitha format e pushtetit kanë ADN të kompromentuar. Kështu as parlamenti i inkriminuar nuk shpëton dot magjistraturën dhe as kjo e fundit nuk e shpëton dot botën politike. Makina shtetërore duhet të ndërrojë motorrët e saj duke kthyer në radhë të parë partitë politike brenda shtratit kushtetues, ku të jetë populli që kontrollon partitë dhe jo e kundërta si në regjimin komunist. Duhet të zhduket figura e liderrit absolut dhe të shenjtërohet ligji dhe përgjegjësia e pushtetarëve në çdo nivel.

Në këtë drerjtim, një tjetër mekanizëm në higjenizimin e makinës shtetërore do të ishte zbatimi jo vetëm i përgjegjësisë penale por dhe asaj civile për të gjithë funksionarët e shtetit duke përfshirë edhe gjykatësit. Vetëm kështu, gjykatësit do mendohen 10 herë përpara se tëshkaktojnë një dëm të padrejtë qytetarëve, sepse do paguanin nga rroga e tyre dëmshpërblimin. Tjetër fren ndaj papërgjegjshëmrisë së pushtetit do të ishte transaprenca proaktive. Transmetimi online i seancave gjyqësore, do të ulte diskrecionalitetin e magjsitratëve dhe do rriste kontrollin e qytetarëve mbi makinën shtetërore. Me këtë optikë dhe inspektoriati i lartë i kontrollit të pasurive, është pa sens, sepse detyrimi i publikimit on line i pasurive duhet të bëhet për të gjithë pushtetarët dhe jo me kampione si sot, dënim me burgim dhe jo gjoba për shkelësit.

Këto do të ishin masa për zhdukjen e korporatës dhe çlirimin e qytetit nga aksionierët, por normalisht këto nuk gjenden në reformën e tyre.
Do preferonim që miqtë tanë ndërkombëtarë të na sillnin modelet e tyre të sukseshme, ku qytetarët kontrollojnë pushtetin dhe jo e kundërta. Por ata kanë qejf të përsërisin se të drejtat fitohen dhe nuk dhurohen. Kështu që ne po u kthejmë mbrapsht dhuratën e stabilitetit dhe po rimarrim të drejtën tonë për të qeverisur si popull sovran dhe me dinjitet.

Share: