Nga Mentor Kikia
Nevojitej një studim i OKB-së për të treguar zyrtarisht se Shqipëria është vendi më i rrezikuar në Europë nga katastrofat natyrore. Dhe është ndër 30 me të rrezikuarit në botë. Përmbytje, rrëshqitje toke, shkatërrime pronash, dëmtime shtëpishë, rrugësh, urash, serash, fermash…
Gjithëcka që mund të shkaktojë një katastrofë natyrore. Në qytet e në fshat, në fushë e në mal, në breglum e bregdet. Askund nuk jemi imunë, kudo jemi të rrezikuar. Arsyet: Klima po ndryshon në mënyrë drastike.
Por  meqë klima nuk ndryshon vetëm për ne, atëherë fajin e kemi më shumë ne. Kemi shkatërruar lumejtë, kemi gërryer shtretërit, luginat, kemi shkatërruar argjinaturat, kanalet, kemi shkatërruar brezat mbrojtëse pyjore, kemi shkatërruar(jo prerë) mbi 80% të sipërfaqes pyjore.
Kemi ndërtuar në mënyrën më kaotike të mundëshme, kemi ndërtuar ku kemi dashur e si kemi dashur. Shtëpi, pallate, dyqane – në breg të lumit, mu në shtratin e tij, në shtëpinë e tij.
Kemi ndërtuar fshatra në ish zona kënetore e moçale, shtëpi mbi kanale e kolektorë, nëpër fshatra pa studime të tokës, në zona të shpyllëzuara e pa strukturë të qëndrueshme.
Tani jemi ballë për ballë me natyrën. Ajo e armatosur e agresive, ne të tërësisht carmatosur. Të destinuar të goditemi edhe nga vala me e vogël e mërzisë së natyrës.
Në këto kushte, ne vazhdojmë të sillemi sërish me indiferentizëm, madje me arrogancë. Nuk duam tia dimë, nuk marrim masa fare. Vazhdojmë të mendojmë vetëm për “reforma”, politikë, zgjedhje, pushtet, vjedhje, nuk mendojmë se në këtë vend po bëhet e pamundur të jetosh, jo si europian mesdhetar, por as si mesjetar.
Pasi e shkatërruam, tani qëndrojmë para natyrës krenarë, edhe pse të dhjerë!